Shqetësimet për zhvillimin e foshnjës të lindur para kohës

Shumica e foshnjave të parakohshme kanë zhvillim të zakonshëm. Sa më herët që foshnjat e parakohshme lindin, aq më shumë ka gjasa të kenë probleme në zhvillim. Disa fëmijë të lindur para kohe kanë vështirësi në të menduarit dhe të mësuarit, ose probleme me zhvillimin fizik, social ose emocional. Nëse jeni të shqetësuar për zhvillimin e fëmijës suaj, flisni me infermieren e shëndetit të fëmijës dhe familjes, mjekun e përgjithshëm ose pediatrin.
Body

Foshnjat e lindura para kohës dhe rreziku i problemeve në zhvillim

Shumica e foshnjave të lindura para kohës vazhdojnë të zhvillohen si moshatarët e tyre të lindur në kohë të rregullt. Sa më herët që lindë foshnja para kohës, gjasat janë më të mëdha të ketë probleme në zhvillim.

Foshnjat që lindin pak para kohës

Foshnjat e parakohshme janë ato që lindin pak  më herët - në javën 34-36.

Shumë prej organeve të këtyre foshnjave janë zhvilluar plotësisht, por ende ka shumë ndryshime që ndodhin në trurin e tyre.

Këto foshnje kanë rrezik shumë të vogël të kenë probleme në zhvillim dhe vështirësi në frymëmarrje krahasuar me foshnjat që lindin në kohë të rregullt. Mund të kenë nevojë të qëndrojnë në spital për të shtuar në peshë dhe të mësohen të ushqehen duke koordinuar thithjen, frymëmarrjen dhe gëlltitjen.

Foshnjat që lindin shumë para kohës

Foshnjat e lindura para kohës, në më pak se 28 javë dhe foshnjat e lindura me peshë jashtëzakonisht të ulët në lindje, prej më pak se 1 kg, janë shumë të rrezikuara nga problemet përgjatë zhvillimit.  Rreziku rritet nëse kanë edhe komplikime mjekësore gjatë qëndrimit në njësinë e kujdesit intensiv neonatal.

Nëse keni ndonjë shqetësim në lidhje me zhvillimin e foshnjës, besoni instinktit tuaj dhe flisni sa më herët me mjekun. Ndonjëherë, foshnja mund të ketë nevojë të vizitojë edhe profesionistë të tjerë, si audiologë, optometristë, logopedë, terapistë profesionistë, fizioterapeutë dhe stomatologë.

Zhvillimi i gjuhës tek foshnjat e lindura para kohës

Te shumica e foshnjave të lindura para kohës gjuha zhvillohet normalisht, por zhvillimi i gjuhës tek foshnjat e lindura para kohës mund të ketë vonesë. Gjithashtu mund të kenë probleme në të folur dhe në të kuptuar, krahasuar me fëmijët që lindin në kohë.

Ndonjëherë, problemet gjuhësore mund të jenë shenjë e hershme e problemeve të dëgjimit, të menduarit ose të të mësuarit.

Zhvillimi fizik tek foshnjat e lindura para kohës

Shumica e foshnjave të lindura para kohës kanë zhvillim të zakonshëm fizik dhe motorik, megjithëse foshnjat e lindur para kohës priren të jenë më të shkurtër dhe më të dobët, krahasuar me fëmijët që lindin në moshë të plotë.

Problemet motorike

Rreth 40% e fëmijëve të lindur para kohës kanë ngecje të lehta motorike. Përfshirë problemet në:

  • aftësi të buta (fine) motorike - për shembull, për të mbajtur lapsin;
  • planifikim motorik – për shembull, në ushtrimet për të ecur rreth pengesave;
  • koordinimi vizuomotorik - për shembull, kopjimi i formave;
  • aftësitë sensoro-motore - për shembull, marrja e një gote të plotë pa derdhur përmbajtjen në të.

Disa foshnja të lindura para kohës kanë paralizë cerebrale. Rreziku i paralizës cerebrale është më i lartë te foshnjat që lindin shumë/ekstrem para kohës dhe nëse kanë edhe komplikime mjekësore gjatë qëndrimit në njësinë e kujdesit intensiv neonatal.

Dhëmbët

Foshnjat e lindura para kohës kanë më shumë gjasa të kenë probleme dentare sesa foshnjat që lindin në kohë.

Problemet dentare mund të përfshijnë:

  • Smalti onormal i dhëmbëve: dhëmbi mund të duket ngjyrë hiri ose kafe, ose të ketë një sipërfaqe jo të rrafshët. Kavitetet mund të formohen më lehtë në dhëmbë me smalt të dobët. Larja e rregullt e dhëmbëve ndihmon në këtë aspekt.
  • Dhëmbët e vonshëm: dhëmbët e foshnjave të lindur para kohës shpesh zhvillohen disa muaj më vonë se dhëmbët e foshnjave që lindin në moshë të plotë, por dhëmbët vazhdojnë të zhvillohen në rendin e zakonshëm.
  • Qiellza e thellë ose më e ngushtë: mund të ndikojë në të folur dhe kafshim. Shumica e fëmijëve përshtaten me formën e qiellzës së tyre, por disave mund t'ju duhen proteza më vonë.

Rekomandohet të vizitoni  dentistin për fëmijë, idealisht para se fëmija juaj të jetë një vjeç.

Zhvillimi shqisor tek foshnjat e lindura para kohës: dëgjimi, shikimi, ndërgjegjësimi shqisor

Shumica e foshnjave të lindur para kohës kanë dëgjim, shikim dhe ndërgjegjësim shqisor tipik/të zakonshme.

Dëgjimi

Në krahasim me foshnjat që lindin në kohë, foshnjat e lindura para kohës kanë më shumë gjasa të kenë vështirësi në dëgjim ose të jenë të shurdhër, por shumë pak fëmijë kanë probleme të rënda në të dy veshët që kanë nevojë për aparat dëgjimi ose implant koklear.

Derisa foshnja është ende në spital, rekomandohet të bëhet një ekzaminim i dëgjimit. Me anë të ekzaminimit zbulohen shumica e problemeve të dëgjimit, por disa diagnostikohen më vonë. Është e rëndësishme të diagnostikohet dhe të trajtohet shurdhim sepse foshnja duhet të dëgjojnë mirë për të zhvilluar aftësitë gjuhësore, sociale dhe komunikuese.

Shikimi

Fëmijët që lindin para kohës kanë më shumë gjasa të kenë dëmtim të shikimit sesa moshatarët  që lindin në kohë.

Po ashtu, kanë më shumë gjasa t’iu zhvillohen probleme të lehta vizuale si shkurtpamësia ose largpamësia, vëngëria, ndjeshmëria ndaj kontrastit ose probleme me perceptimin e thellësisë.

Shumica e problemeve më të rënda të syve zbulohen shumë herët. Rekomandohet që sa janë në spital, foshnjave të lindura shumë para kohës ti bëhen teste të rregullta të syve, gjë që mund të çojë në trajtim të hershëm.

Ndjeshmëria shqisore

Foshnjat e lindura para kohës kanë ndjeshmëri shqisore,  veçanërisht ndaj stimujve si zhurma ose pëlhura të caktuara. Disa foshnje të lindura para kohës nuk u pëlqen t'i vendosin gjërat në gojë dhe mund të kenë probleme me ushqyerjen. Foshnjat e lindura para kohës mund të kenë prag më të ulët ndaj dhimbjeve sesa foshnjat që lindin në kohë.

Zhvillimi i të menduarit dhe të mësuarit tek foshnjat e lindura para kohës

Shumica e foshnjave të lindura para kohës kanë zhvillim të zakonshëm/tipik të të menduarit dhe të të mësuarit dhe kanë rezultate të mira në shkollë.

Disa foshnje të lindur para kohës mund të kenë dëmtime në të menduar dhe të mësuar. Për shembull, mund të kenë probleme me leximin, planifikimin dhe fokusimin në detyra.

Mund të mos vini re asnjë problem derisa foshnja i lindur para kohës të fillojë të shkojë në shkollë. Foshnjat e lindur para kohës mund të kenë nevojë për mbështetje shtesë në shkollë.

Zhvillimi social dhe emocional tek foshnjat e lindura para kohës

Shumica e foshnjave të lindura para kohës kanë zhvillim të zakonshëm/tipik social dhe emocional, por mund të sillen ndryshe nga foshnjat që lindin në kohë.

Për shembull, në vitin e parë të jetës, foshnjat e lindura para kohës kanë më pak gjasa të ndërveprojnë me të tjerët në krahasim me foshnjat  e lindura në kohë. Kanë më shumë gjasa të shmangin shikimin (mos të ndërveprojnë) në mënyrë që të mos mbingarkohen dhe mund të acarohen më shpejt.

Ndërsa foshnja rritet, këto gjëra do të jenë më pak shqetësuese. Të mësuarit për të lexuar gjuhën e trupit të foshnjës të lindur para kohës mund t'ju ndihmojë të dalloni kur foshnja dëshiron të ndërveprojë dhe kur dëshiron të ndalojë.

Problemet sociale dhe emocionale

Nëse fëmija ka “probleme sociale dhe emocionale”, do të thotë se fëmija ka vështirësi të përshtatet me mjedisin që e rrethon, të ndjekë rregullat dhe të shoqërohet me fëmijët dhe të rriturit e tjerë.

Ndonjëherë, shumica e fëmijëve kanë zemërime të çastit, mërziten dhe testojnë kufijtë tuaj. Foshnjat e lindur para kohës kanë më shumë gjasa të kenë vështirësi në përballimin dhe menaxhimin e ndjenjave të tyre. Mund të kenë vështirësi të qëndrojnë të qetë, të hanë mirë dhe të flenë mirë. Disa mund të kenë vetëbesim më të ulët ose të kenë vështirësi në ndërtimin e miqësisë.

Foshnjat e lindur para kohës kanë më shumë gjasa se foshnjat e lindura në kohë, të kenë: çrregullimi të hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes, çrregullimi i spektrit të autizmit, ankthi dhe depresioni.

Por këto probleme ende janë të rralla tek foshnjat e lindura para kohës. 

Mjedise të dashura, të qëndrueshme, stimuluese, të sigurta në shtëpi dhe shkollë, ku fëmija mund të krijojë marrëdhënie të ngushta, mbështesin zhvillimin e fëmijës.

Gjithashtu, këto lloj mjedisesh mund të ndihmojnë për t'i tejkaluar ose bërë më të vogla disa probleme në zhvillim dhe t’iu mundësojnë fëmijëve me vonesë të hershme të jenë në hap me bashkëmoshatarët në fëmijërinë e vonë ose në vitet e adoleshencës.

Mosha e korrigjuar

Nëse keni shqetësime rreth zhvillimit, ju ndihmon njohja e moshës së korrigjuar të foshnjës.

Mosha e korrigjuar është mosha kronologjike e foshnjës minus numri i javëve ose muajve që ka lindur para kohës. Foshnja mund të duket se ka një zhvillim të vonuar,  nëse e krahasoni me një foshnje të së njëjtës moshë kronologjike. Por nëse përdorni moshën e korrigjuar të foshnjës tuaj, mund t’iu tregojë se zhvillimi i foshnjës po rrjedh normalisht.

Binjakët, trinjakët dhe katërnjakët shpesh lindin para kohës. Nëse jeni të shqetësuar për këtë, është e rëndësishme të dini që rezultatet janë të ngjashme si të foshnjave të vetme të lindura para kohës ashtu edhe të binjakëve, trinjakëve dhe katërnjakëve.