2 Muaj - Përshtatja e ndërsjelltë dhe krijimi i rutinës
Zhvillimi i fëmijës gjatë muajit të 2-të
Të komunikuarit
Çfarë kemi të re?
Gjëja e parë që mund të vini re gjatë kësaj periudhe është se fëmija juaj qan më shumë se sa në ditët e para pas lindjes. Kjo gjë është e pritshme gjatë muajit të dytë të zhvillimit dhe do të vazhdojë gjatë muajit të tretë. Në të vërtetë nënkupton që fëmija juaj po mëson të komunikojë me ju. Të qarat e saj janë më të dallueshme tani – e qara është ndryshe për të treguar urinë, parehatinë ose lodhjen e saj. Gjithashtu do të vini re se ajo fillon të gugatë ("ooh" ose "aah").
Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Do t’i duhet pak kohë që të sigurohet se e kuptoni mënyrën e komunikimit, prandaj është e rëndësishme t’i përgjigjeni të qarës së fëmijës suaj çdo herë. Flisni me fëmijën tuaj qartë dhe ngadalë kur fëmija juaj lëshon tingull, shprehni gëzim me shprehjet e fytyrës dhe zërin tuaj dhe përsëritni tingujt e saj.
Ndjenjat
Çfarë kemi të re?
Fëmija juaj ka zhvilluar një marrëdhënie me ju - dhe ju njeh kryesisht nga aroma dhe zëri. Ajo përpiqet t'ju kërkojë juve dhe njerëzit e tjerë të veçantë. Gjatë kësaj periudhe, ajo tashmë mund t'ju përgjigjet me buzëqeshjen e saj të parë - një moment magjik.
Ajo në përgjithësi do të bëhet më e ndjeshme ndaj tingujve gjatë muajit të dytë - jo vetëm që do t'ju njohë kur i flisni, por gjithashtu do t'i përgjigjet zërit tuaj duke e kërkuar fytyrën tuaj kur flisni me të. Sigurisht që ajo ka nevojë për rehatinë që ju i ofroni por ajo bëhet e aftë të qetësojë veten, për shembull duke e futur grushtin në gojë.
Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Kurdoherë që i përgjigjeni duke ia përmbushur nevojën fëmijës tuaj - duke e ushqyer atë, duke i ndërruar pelenat ose duke komunikuar me të përmes zërit dhe prekjes - ajo do të ndihet rehat dhe e sigurt. Gjithmonë qetësojeni fëmijën tuaj duke i folur me zë të butë, duke e prekur butësisht, duke e tundur ose duke i kënduar. Fëmijës suaj i pëlqen të jetë pranë jush. Asaj i pëlqen të shikojë përreth dhe të dëgjojë. Tundeni atë, këndojini dhe bisedoni me të, përdorni të folurit si fëmijë dhe luani shpesh me të. Kushtojini vëmendje asaj që e kënaq dhe e qetëson atë. Ndihmojeni të mësohet ta qetësojë veten - është mirë që ajo t’i thithë gishtat e vet.
Të menduarit
Çfarë kemi të re?
Ajo po mëson shumë përmes syve të saj - për shembull, ajo ndjek objekte interesante me sytë e saj. Ajo është kureshtare për fytyrat që sheh, të cilat janë një burim tjetër i informacionit të ri për fëmijën tuaj. Ajo fillon të mërzitet ose bezdiset nëse aktiviteti nuk ndryshon, ose mbi-stimulohet nëse ka shumë ndryshime.
Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Ndërsa foshnja juaj është e shtrirë në bark, ju mund të vendosni një lodër me ngjyra të ndezura para saj dhe ta lëvizni atë nga njëra anë në tjetrën. Nëse fëmija juaj shfaq pakënaqësi, kthen kokën anash ose qan gjatë lojës, kjo mund të jetë shenjë e stimulimit të tepruar. Duhet të ngadalësoni lojën ose të bëni pak pushim. Gjithashtu, mund të vëzhgoni nëse ajo mbase është mërzitur dhe do t’i pëlqente një aktivitet i ri ose thjesht mund të qëndrojë në një pjesë tjetër të dhomës. Ju e njihni fëmijën tuaj më së miri! Mund t’i jepni fëmijës tuaj gjëra të ndryshme të cilat ajo mund t’i shikojë, prekë dhe mbajë në dorë. Kur ajo është e shtrirë në shpinë, mbani ndonjë lodër ose rrake-take mbi kokën e saj në nivel të syve dhe inkurajojeni që ta kapë atë. Për të, ky është një problem i ri dhe interesant për ta zgjidhur.
Të lëvizurit
Çfarë kemi të re?
Deri në fund të muajit të dytë, aftësitë motorike të fëmijës tuaj bëhen gjithnjë e më të mira. Fëmijët zhvillohen në afate të ndryshme kohore, por gjatë kësaj periudhe, ajo me shumë mundësi do të jetë në gjendje të ngrejë kokën dhe të lëvizë nga njëra anë në tjetrën kur ajo është shtrirë në bark. Lëvizjet e saj të krahëve dhe të këmbëve janë më të rregullta dhe më të koordinuara sesa kur ishte e porsalindur. Është interesante për të, që të zbulojë trupin e vet prandaj duart dhe gishtat e saj do të jenë ndoshta gjëja më argëtuese për të në këtë periudhë. Për shembull, ajo do t’i eksplorojë duart e saj duke i shikuar ato, duke i bashkuar dhe ndarë ato, si dhe me ndihmën tuaj ajo do të jetë në gjendje të mbajë një objekt në duar.
Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Shtrijeni fëmijën tuaj në bark sa është zgjuar dhe vendosni objekte interesante dhe të sigurta pranë saj. Ledhatojeni dhe masazhojeni fëmijën tuaj – kështu ju nxisni zhvillimin e saj motorik. Në të njëjtën kohë, do të krijoni lidhje me të dhe do të jeni në gjendje ta qetësoni nëse është e mërzitur.
Për të gjetur më shumë mënyra të tjera se si ta mbështesni zhvillimin e fëmijës përmes lojës, shkoni tek sesioni i Lojërave.
Shqetësimet e prindërve për zhvillimin gjatë muajit të 2-të
Meqenëse secili fëmijë zhvillohet në mënyrën e vet të veçantë, është e pamundur të parashikohet saktësisht se kur ose si fëmija juaj do ta përsosë një aftësi të caktuar. Aftësitë (gurët kilometrik zhvillimor) e pritshme dhe të listuara për këtë periudhë ju japin vetëm një ide të përgjithshme për ndryshimet që mund t’i prisni teksa fëmija juaj rritet. Ju lutemi mos u shqetësoni nëse zhvillimi i saj ndjek një rrugë pak më ndryshe.
Sidoqoftë, për t’u siguruar, flisni me pediatrin tuaj [ose me ndonjë ofrues tjetër të kujdesit shëndetësor] nëse fëmija juaj shfaq ndonjë nga shenjat e mëposhtme të zhvillimit të vonuar të mundshëm; nëse fëmija juaj duket se ka humbur disa nga aftësitë që kishte në një moshë më të hershme, ose nëse keni arsye të tjera për tu shqetësuar:
- fëmija shpesh qan shumë dhe, zakonisht, nuk jeni në gjendje ta qetësoni atë.
- nuk i vështron fytyrat madje as për një kohë të shkurtër.
- nuk reagon ndaj dritës ose tingujve të lartë.
- nuk ushqehet ose fle mirë (ose fle më shumë se 16 orë në ditë).
- nuk lëviz aspak krahët ose këmbët.
- nuk i fut duart në gojë.
- nuk u buzëqesh njerëzve.
Reference:
https://raisingchildren.net.au/newborns/development/development-tracker/1-2-months
Laura E. Berk (2006), Child development (7ht edition), Allyn & Bacon
Dr sci Nirvana Pištoljević (2016), Rani razvoj deteta: šta treba znati, Udruženje pedijatara Srbije, Beograd.