Aktiviteti fizik për foshnjat dhe fëmijët: pse dhe sa!?
Aktiviteti fizik: pse është i mirë për fëmijët!?
Aktiviteti fizik është jetësor për shëndetin, mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve, tani dhe në të ardhmen.
Aktiviteti fizik ka shumë përfitime shëndetësore për fëmijët, kjo pasi:
- forcon kockat, muskujt, zemrën dhe mushkëritë e fëmijës.
- përmirëson koordinimin, ekuilibrin, pozicionimin dhe fleksibilitetin e fëmijëve.
- ndihmon fëmijët të qëndrojnë në një peshë të shëndetshme.
- zvogëlon rrezikun e fëmijëve për t'u prekur nga sëmundjet e zemrës, kanceri dhe diabeti i tipit 2 më vonë gjatë jetës.
Gjithashtu, aktiviteti fizik rrit mirëqenien e fëmijëve. Për shembull, fëmijët aktivë janë më të prirur që:
- të kenë besim dhe të ndihen të sigurtë.
- të qetësohen dhe të flenë mirë.
- të përqëndrohen më mirë në shkollë.
- të shoqërohen me të tjerët dhe të bëjnë miq me lehtësi.
- të kuptojnë konceptin e radhës dhe të bashkëpunojnë me të tjerët.
Aktiviteti fizik është një pjesë e rëndësishme e lojës dhe mësimit. Dhe kur fëmijët bëjnë aktivitet fizik me ju ose me njerëz të tjerë, kjo mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për ta që të ndërtojnë marrëdhënie në familjen dhe komunitetin tuaj.
Aktiviteti fizik është, gjithashtu, thjesht zbavitje e mirë për fëmijët.
Çfarë është aktiviteti fizik?
Aktiviteti fizik është çdo aktivitet që përfshin lëvizjen e trupit. Ai përfshin veprimtaritë e përditshme, lojën fizike aktive dhe sportet dhe ushtrimet e organizuara.
Aktiviteti i lehtë fizik mund të jetë një shëtitje, të luash një instrument muzikor ose qëndrimi në këmbë për të pikturuar
Aktiviteti fizik i moderuar i bën fëmijët që të dihasin. Mund të jetë:
- ecja e shpejtë.
- ngarja e bicikletës për në kopsht, në shkollë ose në shtëpinë e një shoku.
- vallëzim, hedhje, kapërcim pellgjesh ose drejtim balonash fluturuese.
- noti.
Aktiviteti i fuqishëm fizik i bën fëmijët që të dihasin shumë, si edhe të djersisin. Mund të jetë:
- lojëra me vrap, si gara "e ka kush e ka".
- duke ngarë biçikletën shpejt.
- duke luajtur sporte të organizuara si futboll, basketboll, volejboll, tenis.
Aktivitetet që forcojnë muskujt dhe kockat i bëjnë muskujt të punojnë më shumë se normalisht dhe të vënë forcë shtesë mbi kockat – për shembull, kërcim, vrapim, ngjitje dhe ngritje. Veprimtaritë fizike të moderuara dhe të fuqishme shpesh ndihmojnë në ndërtimin e muskujve dhe kockave.
Loja energjike është një mënyrë e natyrshme për fëmijët që të lëvizin dhe të jenë aktivë. Për shembull, foshnjat lëkunden dhe i shqelmojnë këmbët. Fëmijët më të mëdhenj vrapojnë, kërcejnë, rrotullohen, godasin, hedhin, kërcejnë me muzikë, luajnë në pajisjet e parkut të lojërave.
Për sa aktivitet fizik kanë nevojë fëmijët çdo ditë?
Fëmijët nën 1 vjeç duhet të luajnë shumë në dysheme. Për foshnjat që nuk janë ngritur akoma në këmbë, rekomandohet rreth 30 minuta të qëndrojnë çdo ditë në pozicion barkas.
Fëmijët e moshës 1 deri në 3 vjeç duhet të jenë fizikisht aktivë për të paktën tri orë çdo ditë. Kjo përfshin lojën energjike.
Fëmijët e moshës 3 deri në 5 vjeç duhet të jenë fizikisht aktivë për të paktën tri orë çdo ditë. Kjo përfshin një orë lojë energjike.
Fëmijët e moshës 5 deri në 18 vjeç duhet të bëjnë të paktën një orë aktivitet fizik të moderuar deri në të fuqishëm, plus disa orë aktivitet fizik të lehtë çdo ditë. Dhe të paktën tri ditë në javë, kjo duhet të përfshijë aktivitete që forcojnë muskujt dhe kockat.
Të rinjtë e moshës mbi 18 vjeç duhet të bëjnë 2 (1/2) - 5 orë aktivitet fizik të moderuar ose 1 (1/4) - 2 (1/2) orë aktivitet të fuqishëm fizik në javë, ose një kombinim i aktivitetit fizik të moderuar dhe energjik që i shtohet aktivitetit të mjaftueshëm në përgjithësi. Dhe të paktën dy ditë në javë, ata duhet të bëjnë aktivitete që forcojnë muskujt.
Fëmija juaj mund të bëjë aktivitet fizik në blloqe të vogla të kohës gjatë gjithë ditës. Gjëja kryesore është që fëmija juaj të bëjë mjaft aktivitet fizik në përgjithësi. Sa më shumë aktivitet fizik të bëjë fëmija juaj dhe sa më pak kohë kalon fëmija juaj ulur, aq më mirë është për fëmijën tuaj.
Aktiviteti fizik dhe fëmijët me nevoja të veçanta
Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për të gjithë fëmijët.
Nëse fëmija juaj ka nevoja të veçanta, si një paaftësi ose një gjendje mjekësore, ose keni ndonjë shqetësim për sasinë dhe llojin e aktivitetit fizik që bën fëmija juaj, është një ide e mirë të flisni me mjekun pediatër ose me një profesionist tjetër të kujdesit shëndetësor.