Loja në ambient të hapur
Lojërat në ambient të hapur kanë tendencë të jenë më pak të strukturuara. Mjedisi natyror - parqet, livadhet, pyjet - kërkojnë që fëmija të mendojë mënyra si të ekplorojë dhe të argëtohet. Ky lloj inkurajimi është i madh për fëmijët. Po kështu, aty ku është e mundur, lojërat në natyrë mund të përfshijnë pjesëmarrjen e fëmijës në rutina të ndryshme - duke u kujdesur për kopshtin, oborrin, lulet dhe kështu me radhë. Një shëtitje e thjeshtë në një park mund ta inkurajojë fëmijën të mësojë për sigurinë, të flasë për mjedisin, të vëzhgojë dhe të analizojë sjelljet e njerëzve etj. Gjëja e parë që na vjen ndërmend kur mendojmë për lojën në ambient të hapur është mungesa e kufizimit në lëvizje. Edhe fëmijët e vegjël, të cilët ende po mësojnë të ecin ose po praktikojnë aftësitë e ecjes, madje edhe ata që zvarriten - mund të kenë shumë mundësira të shijojnë në raste të tilla. Për foshnjat, qëndrimi në ambient të hapur përfshin shumë aroma të reja, tinguj, shumë mundësi për të eksploruar sipërfaqe të ndryshme me prekje etj. Për shembull, nëse bëni piknik me fëmijën tuaj - ai/ajo do kënaqet duke luajtur, i/e shtrirë në një batanije në barkun e tij/saj, duke u zvarritur në batanijen e vendosur sipër në bar, duke vëzhguar gjethet që lëvizin, duke ecur nëpër gjethe apo duke i mbledhur ato me duart e tij/saj. Mos harroni - në këto aventura, gjysma e gëzimit vjen nga marrëdhënia me ju: bisedoni me foshnjën, mbajeni atë, ndihmojeni që të arrijë atë që ai/ajo dëshiron; dalloni interesin ose përvojën e tij/saj dhe emërtojeni atë; inkurajoni foshnjën të flasë dhe t’ju përqafojë.
|