Infeksioni i veshit të mesëm
Disa informacione rreth infeksionit të veshit të mesëm ose otitis media
Infeksioni i veshit të mesëm është infeksion i lëngut që ndodhet pas timpanit të veshit.
Infeksioni mund të shkaktohet nga një bakter ose nga një virus.
Infeksionet e veshit të mesëm janë shumë të zakonshme tek fëmijët e vegjël.
Emri mjekësor për infeksionet e veshit të mesëm është otitis media.
Veshi ka tri pjesë kryesore - veshin e jashtëm (bula e veshit, kanali i veshit dhe daullja e veshit), veshin e mesëm (prapa timpanit të veshit, që lidhet me fytin) dhe veshin e brendshëm (kërmilli dhe organi vestibular i cili ka nervat që ndihmojnë në detektimin e zërit).
Simptomat e infeksionit të veshit të mesëm
Shumica e fëmijëve me infeksion të veshit të mesëm ankohen për dhimbje veshi. Ata/ato mund të ndihen të paekuilibruar dhe të kenë probleme me dëgjimin. Simptomat mund të përfshijnë gjithashtu ethe, rrjedhje hundësh, nervozizëm ose humbje të oreksit.
Foshnjat mund të qajnë shumë dhe të tërheqin veshin e infektuar, veçanërisht gjatë natës kur janë shtrirë.
Me raste timpani i veshit mund të çahet. Kjo gjë quhet timpan i çarë i veshit. Mund të ketë një rrjedhje të trashë dhe ndonjëherë me gjak nga veshi i fëmijës suaj. Kjo ndihmon në lehtësimin e presionit që është krijuar në vesh nga infeksioni dhe lehtëson dhimbjen. Çarja e daulles së veshit zakonisht shërohet natyrshëm.
A ka nevojë fëmija juaj që të vizitohet nga mjeku për shkak të infeksionit të veshit të mesëm?
Po! Ju duhet ta çoni fëmijën tuaj tek mjeku nëse:
- fëmija juaj ankohet për dhimbje shqetësuese veshi.
- fëmija juaj ka rrjedhje qelbi nga veshi i tij/saj.
- fëmija juaj është në përgjithësi i/e sëmurë, ka ethe ose të vjella.
- mendoni se fëmija juaj ka probleme me dëgjimin.
- fëmija juaj vazhdon të ketë infeksione të veshit.
- fëmija juaj ka ënjtje prapa veshit ose veshi është shtyrë përpara.
Ekzaminimet për infeksionin e veshit të mesëm
Mjeku do të kontrollojë veshin e fëmijës tuaj me otoskop.
Nëse fëmija juaj ka pasur disa infeksione të veshit, ose nëse mjeku juaj mendon se mund të ketë një infeksion kronik, mjeku mund të këshillojë një testim të dëgjimit.
Trajtimi i infeksionit të veshit të mesëm
Simptomat e infeksionit të veshit të mesëm zakonisht përmirësohen vetë brenda 24-48 orëve, kështu që antibiotikët nuk nevojiten gjithmonë.
Ju mund t'i jepni fëmijës suaj paracetamol ose ibuprofen në doza të rekomanduara për të ndihmuar në lehtësimin e dhimbjes. Mjeku juaj mund të sugjerojë disa pika veshi anestezike nëse fëmija juaj ka dhimbje të forta.
Nëse fëmija juaj ende ka dhimbje dhe nuk është mirë pas 48 orësh, është veçanërisht i/e sëmurë, sidomos nëse është më i/e vogël se 12 muaj, mjeku juaj mund të përshkruajë një terapi të shkurtër me antibiotik, zakonisht amoksicilinë.
Shumica e fëmijëve përmirësohen pas disa ditëve që trajtohen me antibiotikë, por gjithmonë sigurohuni që fëmija juaj të përfundojë të gjithë trajtimin. Ndërprerja e hershme e trajtimit mund të bëjë që infeksioni të rikthehet.
Dekongjestantët, antihistaminikët dhe kortikosteroidet nuk funksionojnë si trajtim për infeksionet e veshit të mesëm.
Vendosja e topave të pambukut në veshin e fëmijës suaj ose pastrimi i shkarkimit me një shkop pastrues të pambukut mund të dëmtojë veshin. Nuk rekomandohen.
Parandalimi i infeksionit të veshit të mesëm
Shumë fëmijë që kanë infeksione të përsëritura të veshit të mesëm kanë tuba të vendosur në timpanin e veshit për të parandaluar infeksionin. Këta janë tuba të posaçëm ventilimi që ndalojnë grumbullimin e lëngjeve pas timpanit të veshit dhe ndihmojnë në ruajtjen e dëgjimit. Nëse fëmija juaj ka nevojë për tuba, ai/ajo do të duhet që të vizitohet tek ndonjë specialist i veshit, hundës dhe fytit.
Shmangni pirjen e duhanit. Fëmijët që janë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit, pirja pasive e duhanit, kanë më shumë gjasa të zhvillojnë disa sëmundje, duke përfshirë infeksionet e veshit të mesëm.