Sjellja e fëmijëve të moshës parashkollore: çfarë të presësh?
Sjellja e fëmijëve parashkollorë
Fëmijët e moshës parashkollore janë të magjepsur nga bota që i rrethon, kështu që ju mund të prisni prej tyre shumë pyetje “kush”, “çfarë” dhe “pse”. Ju mund të keni nevojë të merrni më shumë kohë, kur jeni bashkë me fëmijën tuaj parashkollor - për shembull, ju duhet të ndaloni në rrugë, sepse fëmija juaj do që të shikojë një kërmill.
Ndërsa përpiqen të kuptojnë botën, fëmijët e moshës parashkollore ndonjëherë mund të shpërqendrohen. Mund të duket sikur fëmija nuk po ju dëgjon – ndërkohë që ai/ajo ende mund të jetë duke u përpjekur të kuptojë atë që i keni thënë 5 minuta më parë.
Pavarësia është e rëndësishme për fëmijët parashkollorë, të cilët kanë shumë dëshirë që t’i bëjnë gjërat vetë. Megjithatë, nga ana tjetër fëmija ka nevojë për mbështetjen tuaj për të ndërtuar besimin dhe vetëvlerësimin. Rritja e vëmendjes pozitive, lavdërimet dhe mundësitë për të praktikuar aftësi të reja, janë shumë pozitive për fëmijën.
Fëmijët e moshës parashkollore përmirësohen për sa i përket vetë-rregullimit, gjë që i ndihmon të ndërveprojnë më mirë me bashkëmoshatarët e tyre në parkun e lojërave. Sidoqoftë, fëmija juaj ka ende nevojë për ndihmën tuaj, për t’i shprehur ndjenjat e forta në mënyrë të përshtatshme dhe për ta menaxhuar sjelljen, veçanërisht në situata sfiduese.
Mosha parashkollore: pse është e mirë për fëmijët
Fëmijët mund të përfitojnë gjatë moshës parashkollore.
Disa fëmijëve mund t’u duhet pak më shumë kohë për t’u përshtatur me kopshtin. Megjithatë, është e rëndësishme që fëmija të shkojë në kopësht, sepse ndjekja e tij i jep mundësinë për të krijuar miqësi dhe për të praktikuar aftësi të reja siç është ndarja nga prindi, përfshirja në punë grupi, ndarja e gjërave me të tjerët etj. Në moshën parashkollore, fëmijët mund të fillojnë të mësojnë për respektimin e rregullave dhe si të shoqërohen me fëmijët e tjerë.
Shqetësimet lidhur me sjelljen e fëmijëve parashkollorë
Ankthi
Ankthi është një pjesë normale e zhvillimit të fëmijëve, prandaj fëmijët e moshës parashkollore shpesh kanë frikë nga gjërat si të qenit vetëm ose të qenit në errësirë. Nëse fëmija juaj shqetësohet shumë ose tregon shenja ankthi, ju mund ta mbështesni atë duke e pranuar frikën e tij/saj, duke e nxitur butësisht që t’i bëjë gjërat që i shkaktojnë ankth dhe duke e lavdëruar më pas për guximin që ka shfaqur. Nëse ankthi ndikon në jetën e fëmijës suaj, atëherë është e nevojshme ta vizitoni te mjeku specialist.
Ngacmimi (bulizmi)
Ngacmimi mund të ketë pasoja të rënda për besimin dhe vetëvlerësimin e fëmijëve, veçanërisht në vitet parashkollore. Nëse fëmija juaj ngacmohet në klasë, ai/ajo ka nevojë për shumë dashuri dhe mbështetje, si në shtëpi, ashtu edhe në kopësht. Gjithashtu, fëmija duhet ta dijë se ju do të ndërmerrni masa për të parandaluar çdo ngacmim të mëtejshëm.
Zënkat
Mosmarrëveshjet dhe grindjet mes fëmijëve janë shumë të zakonshme. Disa faktorë që ndikojnë në këto zënka janë temperamenti, mjedisi, mosha dhe aftësitë. Ju mund të punoni me këta faktorë për t’i përballuar zënkat në familjen tuaj.
Zakonet
Shumë fëmijë kanë zakone të tilla, si: kafshimi i thonjve ose përdredhja e flokëve. Zakonet e fëmijës suaj mund t’ju shqetësojnë, por zakonisht nuk është asgjë për t’u shqetësuar. Pjesa më e madhe e zakoneve largohen vetvetiu.
Gënjeshtra
Ju mund ta keni kapur fëmijën tuaj duke thënë gënjeshtra herë pas here. Gënjeshtra është pjesë e zhvillimit dhe shpesh fillon rreth moshës 3-vjeçare. Zakonisht është më mirë t’ua mësoni fëmijëve të vegjël vlerën e ndershmërisë dhe të thënit e së vërtetës sesa t’i ndëshkoni për gënjeshtra të vogla.
Ndrojtja
Sjellja e ndrojtur është normale te fëmijët e moshës parashkollore. Nëse fëmija juaj është i ngadaltë me afrimin ndaj njerëzve të tjerë, përpiquni ta mbështesni në situata shoqërore. Për shembull, ju mund të qëndroni në klasë për një kohë të shkurtër në mëngjes gjatë ditëve të para. Gjithashtu, është mirë ta lavdëroni fëmijën për sjelljet e guximshme shoqërore, si kthimi i përgjigjes ndaj të tjerëve, përdorimi i kontaktit me sy ose kur luan larg jush.
Zemërimi
Nëse fëmija juaj zemërohet duhet të mbani mend se ai/ajo ende është duke mësuar mënyra të përshtatshme për t’i shprehur ndjenjat. Nëse punoni në zvogëlimin e nivelit të stresit të fëmijës suaj, kuptimin e ndjenjave të tij/saj dhe zbulimin e faktorëve të zemërimit, atëherë do të shikoni se fëmijët do të shfaqin më pak sjellje zemëruese ndërsa rriten dhe mbushin 4 vjeç.
Mos u shqetësoni nëse fëmija juaj parashkollor ka një shok imagjinar. Miqtë imagjinarë burojnë nga imagjinata e shëndetshme dhe aktive. Ata u japin fëmijëve një mënyrë të shkëlqyer për t’i shprehur ndjenjat dhe praktikuar aftësitë shoqërore.
Ndihmoje fëmijën parashkollor të sillet mirë: disa këshilla
Kujtojeni vazhdimisht
Fëmijët e kësaj moshe kanë kujtesë të shkurtër dhe shpërqendrohen lehtësisht. Ju mund të keni nevojë t’ia kujtoni fëmijës suaj gjërat disa herë. Për shembull, kur afrohet koha për t’u larguar nga këndi i lojërave, provoni t’i thoni “Do shkojmë në shtëpi së shpejti”. Pastaj kujtojani përsëri kur të vijë koha, se shumë shpejt do të niseni për në shtëpi - “Edhe dy rrëshqitje të tjera edhe do të nisemi”.
Ndani ndjenjat
Nëse fëmija juaj i moshës parashkollore e kupton se si ndikon sjellja e tij/saj tek ju, ai/ajo mund të jetë në gjendje të ndiejë për ju. Kështu që ju mund t’i thoni “Unë po mërzitem, sepse ka shumë zhurmë dhe nuk mund të flas në telefon”. Kur e filloni fjalinë me “Unë”, kjo i jep fëmijës tuaj mundësinë për t’i ndryshuar gjërat për hatrin tuaj.
Ndryshoni mjedisin
Shpesh mund ta parandaloni ose ta minimizoni sjelljen problematike duke ndryshuar mjedisin e fëmijës tuaj. Për shembull, nëse fëmija juaj parashkollor irritohet, se vëllai apo motra e tij/saj më i/e vogël vazhdon të zvarritet mbi lodrat e tij/saj, përpiquni të gjeni një vend të qetë ku fëmija më i rritur të mund të luajë i pashqetësuar.
Disiplina e fëmijës së moshës parashkollore dhe drejtimi i sjelljes së tij/saj
Disiplina e ndihmon fëmijën tuaj të mësojë si të sillet - si dhe si të mos sillet.
Disiplina funksionon më mirë kur keni një marrëdhënie të ngrohtë dhe të dashur me fëmijën tuaj dhe inkurajoni sjellje të mirë - për shembull, duke përdorur rutinat, udhëzimet e qarta dhe shumë lavdërime për sjelljen e mirë.
Rregullat e familjes janë një aspekt kyç i disiplinës për fëmijët e të gjitha moshave. Ato e drejtojnë sjelljen e fëmijëve në mënyrë pozitive, duke përcaktuar saktësisht se çfarë sjellje prisni. Por fëmijët parashkollorë ka të ngjarë t’i harrojnë ose t’i injorojnë rregullat, kështu që ata do të kenë nevojë për mbështetje dhe rikujtesë për t’i zbatuar.
Pasojat janë një mënyrë e dobishme për ta drejtuar sjelljen e fëmijëve, sepse ato ua bëjnë të qartë fëmijëve se çfarë nuk duhet të bëjnë. Ju mund t’i përshtatni pasojat në situata të ndryshme, por pasojat janë gjithmonë më të mira kur kombinohen me një fokus në sjelljen pozitive të fëmijës suaj.
Ndëshkimi fizik nuk i mëson fëmijët si të sillen dhe mund t’i dëmtojë. Gjithashtu, mund t’i bëjë fëmijët të kenë frikë nga ju, gjë që e bën më të vështirë t’i mësoni ata si të sillen mirë.
Sjellja e fëmijëve parashkollorë dhe ndjenjat tuaja
Kur sjellja e fëmijës suaj është sfiduese, ju mund të ndiheni të zemëruar ose të stresuar.
Kujdesi për veten duke ngrënë mirë, duke fjetur mjaftueshëm dhe duke bërë disa aktivitete fizike mund t’ju ndihmojnë. Një mënyrë tjetër që mund t’ju vijë në ndihmë është të flisni për ndjenjat tuaja me dikë që i besoni, si partneri juaj, një mik apo doktori juaj.
Kontaktoni një profesionist të shëndetit të fëmijëve nëse keni shqetësime për sjelljen e fëmijës tuaj ose thjesht nuk dini çfarë të bëni në lidhje me të.