Marrëdhëniet me fëmijët parashkollorë: ide dhe këshilla
Rreth marrëdhënies me fëmijët parashkollor
Marrëdhëniet e ngrohta janë shumë të rëndësishme për mirëqenien e fëmijës tuaj.
Kur krijoni këtë marrëdhënie me fëmijën tuaj parashkollor, ai ndjehet i mbrojtur dhe i sigurt. Ndjenja e sigurisë i jep komoditet fëmijës tuaj parashkollor gjatë kohëve të vështira si përshembull pandemia globale. Ai/ajo gjithashtu ndërton besimin për të eksploruar botën dhe për të mësuar. Ndërkohë që fëmija eksploron botën, ai/ajo mëson se si të mendojë, të kuptojë, të komunikojë, të sillet, të tregojë emocione dhe të zhvillojë aftësitë sociale.
Marrëdhënia juaj me fëmijën tuaj parashkollor: çfarë duhet të prisni
Në këtë moshë fëmijët zhvillojnë aftësitë gjuhësore, aftësitë për zgjidhjen e problemeve dhe aftësitë sociale. Dhe si rezultat, marrëdhënia juaj mund të ndryshojë.
Ndërsa aftësitë e fëmijës tuaj për të përdorur dhe kuptuar gjuhën zhvillohen, bisedat tuaja do të fillojnë të jenë më të gjata. Këto biseda ju krijojnë me të vërtetë mundësinë të dëgjoni mendimet dhe ndjenjat e tij/saj. Kjo është diçka e mirë për marrëdhënien tuaj me të.
Ju do të shikoni se fëmija në këtë moshë ka shumë pyetje 'çfarë', 'pse', 'ku', 'kush' dhe 'si' për botën që e rrethon. Ai/ajo mund të kuptojë shpjegime edhe më të ndërlikuara.
Parashkollorët kuptojnë dhe përdorin më mirë fjalë që shprehin emocione si ' të lumtur', 'të trishtuar', 'të zemëruar' ose 'të befasuar'. Njëkohësisht ata do të fillojnë të kuptojnë se edhe njerëzit e tjerë i përjetojnë këto ndjenja. Zhvillimi i këtyre aftësive emocionale do të ndikojnë pozitivisht në marrëdhënien e tyre me ju dhe të tjerët, tani dhe në të ardhmen.
Ndërtimi i një marrëdhënie të fortë me fëmijën tuaj: këshilla për moshën parashkollore
- Tregojini se po e dëgjoni ndërsa ai/ajo po flet. Ndaloni punën që po bëni, krijoni kontaktin me sy, kushtojini vëmendje gjuhës së tij/saj të trupit dhe përdorni fraza si 'Vërtet? ', 'Vazhdo', ose 'Dhe pastaj çfarë ndodhi? '
- Kushtoji sa më shumë vëmendje fëmijës. Kjo nënkupton ti dedikoni kohën tuaj për të zhvilluar së bashku aktivitetet e tij/saj të preferuara - për shembull, pazëll ose Lego (lojë përmes së cilës fëmijët ndërtojnë idenë e tyre, si psh. shtëpi). Edhe nëse përfshiheni për pak, tregojini se jeni të interesuar në atë cfarë ai/ajo është duke bërë dhe se ju pëlqen të kaloni kohë me të.
- Tregoni durim me pyetjet që ju drejton fëmija dhe inkurajoni interesat e tij/saj. Nëse ai/ajo ju bën një pyetje për të cilën ju nuk e dini përgjigjen, mund ta shikoni atë së bashku në internet, ose të kërkoni ndihmën e një miku apo anëtari të familjes.
- Nëse ju pyet për tema të vështira, përgjigjuni me një gjuhë të thjeshtë dhe fjali të shkurtra në mënyrë që të jetë sa më e kuptueshme për të - për shembull, 'Po, është e vështirë të mos luash me shokët e tu për shkak të Covid 19. Arsyeja është se ne duam që të gjithë të jenë të shëndetshëm dhe të sigurt. Le të mendojmë se çfarë do ti tregojmë Davidit për lodrën tënde të re, ndërsa flisni në telefon.'
- Luani së bashku lojra si 'Të gjejmë fjalën', lojra të thjeshta me letra ose me formuese. Lojëra të tilla e ndihmojnë fëmijën tuaj të mësojë si të luajë në grup dhe të bashkëpunojnë me të tjerët.
- Lexoni së bashku. Leximi i rregullt me fëmijën tuaj në këtë moshë krijon një moment të veçantë për forcimin e marrëdhënies suaj.
- Sa herë që të jetë e mundur, konsumoni ushqim së bashku. Të ngrënit së bashku forcojnë marrëdhëniet tuaja familjare dhe ndjenjën e përkatësisë tek fëmija juaj (ndjenja se është pjesë e një vendi, familje).
- Inkurajoni fëmijën t'ju ndihmojë në punët e shtëpisë - për shembull, duke shtruar tavolinën ose duke rregulluar rrobat. Kjo do t'i tregojë atij/asaj se ju po e ngarkoni atë me përgjegjësi. Edhe punët e shtëpisë e ndihmojnë atë të ndjehet 'i madh' dhe i dobishëm për veten.
Njëkohësisht është e rëndësishme të kujdeseni për veten tuaj. Qoftë duke shpenzuar disa minuta në ditë për të bërë gjërat që ju pëlqejnë si përshembull një shëtitje ose leximin e një reviste, do t'ju bëjnë të ndjeheni ndryshe nga koha që kaloni me fëmijën tuaj. Të kujdeseni për veten, ju bën mirë ju, marrëdhënies me fëmijën tuaj dhe zhvillimit të tij.