Ushqime sa një kafshatë: Shembuj me foto
Fruta dhe perimet: ushqimet fillestare për t'u ngrënë me dockat e vogla
Copëzat e frutave sa një kafshatë janë të përsosura si ushqime për t'u ngrënë vetë me dockat e vogla për foshnjat prej rreth tetë muajsh. Filloni me copëza të vogla të frutave të buta, si dardhë të pjekur mirë ose feta banane.
Copëzat e perimeve mund të hahen lehtësisht nga vetë fëmija. Provoni patate të gatuar, kungull, karrota, brokoli, lulelakër të zjerë. Mund t'i zjeni në avull dhe shërbejini pasi të jenë ftohur.
Shërbeni perime shumëngjyrëshe në formë sallate, si kastravec dhe spec i kuq, prerë në shkopinj. Lëreni lëkurën, mos i qëroni. Disa fëmijë pëlqejnë të zhytin shkopinjtë e perimeve në salca apo pure, si psh tarator, xaxiqe, humus, pure patatesh apo pure avokadoje.
Ushqime në copëza për t'u shërbyer me perime
Shërbejini perimet me copëzat sa një kafshatë të peshkut, pulave, mishit. Ose provoni mini-qofte të bëra me mish pa yndyrë, me peshk ton ose me qiqra.
Vezët e ziera fort shkojnë mirë me sallatë perimesh. Copëzat e vezëve shkojnë mirë me perimet e copëtuara, të ziera në avull. Vezën mund ta gatuani në formë të një omëlete, duke e mbushur atë me kungull të grirë, bizele dhe djathë.
Copëzat e djathit dhe të makaronave integrale - të gatuara thjesht ose me salcë, si psh. salce bolonjeze - janë një tjetër opsion. Zgjidhni forma makaronash që janë të lehta për t'u mbajtur në dorë, si pene, flutura ose guacka.
Bukë, tost dhe sanduiçe si ushqime kafshatë
Shiritat e bukës së thekur, që fëmija mund t'i hajë me dockat e tij, janë shumë të pëlqyeshme. Bëjini ato të shijshme, duke i lyer përsipër me pure avokado, djathë për fëmijë apo edhe pure banane.
Provoni të bëni sanduiçe me bukë integrale. Mbushjet mund të jenë vezë të ziera me majonezë; avokado dhe pure perimesh; banane e shtypur; mollë e grirë dhe gjalpë kikiriku; ose pure patatesh të ëmbla të pjekura dhe djathë.
Mini-krepa të bëra në shtëpi janë një ëmbëlsirë e mirë për të vegjëlit. Gatuajini ato thjesht ose shtoni disa boronica të freskëta ose të ngrira në brumin e krepave. Mos harroni t'i lini të ftohen!