Zakonet e të ushqyerit të shëndetshëm për fëmijët!

Si prind jepini fëmijës tuaj ushqim të shëndetshëm dhe mundësi për ta ngrënë atë. Fëmija juaj mund të vendosë se sa do hajë - ose nëse do të hajë. Nëse jeni të shqetësuar se fëmija juaj është duke ngrënë shumë ose nuk është duke ngrënë sa duhet, rutina e ushqyerjes së shëndetshme mund të ndihmojë. Bëhuni model i mirë duke ngrënë vetë ushqime të shëndetshme dhe duke u siguruar që keni shumë ushqime të shëndetshme në shtëpi.
Body

Ushqimi i shëndetshëm dhe oreksi i fëmijës suaj

Ju mund të shqetësoheni nëse është duke ngrënë mjaftueshëm fëmija juaj. Ose mund të shqetësoheni që fëmija juaj po ha shumë dhe është mbi peshën e shëndetshme.

Si prind ju i jepni fëmijës tuaj ushqim të shëndetshëm dhe mundësi për ta ngrënë atë. I mbetet fëmijës tuaj që të vendosë se sa do hajë - ose nëse do të hajë.

Është normale që orekset e fëmijëve të ndryshojnë nga dita në ditë. Ndonjëherë fëmija juaj mund të dëshirojë të hajë shumë - vetëm sigurohuni që t'i mundësoni ushqim të shëndetshëm. Ndonjëherë ai/ajo mund të mos dëshirojë të hajë. Mundohuni të mos shqetësoheni, sepse me siguri do ta kompensojë atë në vaktin tjetër apo edhe ditën tjetër.

Nëse fëmija juaj nuk dëshiron të hajë, përpiquni të mos e detyroni atë ose të ofroni shpërblime ushqimore. Detyrimi për të ngrënë e mëson atë të mos dëgjojë oreksin e tij/saj.

Nëse fëmija juaj rritet dhe zhvillohet mirë, ai/ajo me gjasë është duke konsumuar ushqim të mjaftueshëm.

Mënyra më e mirë për të përçuar mesazhin e ushqimit të shëndetshëm tek fëmijët tuaj është duke ju parë juve se si zgjidhni ushqimin e shëndetshëm çdo ditë. Fëmijët duan të bëjnë atë që ju shohin juve duke bërë.

“Biseda e barkut” dhe ushqimi i shëndetshëm

Të kuptuarit e mënyrës se si barku i fëmijës suaj "flet" me trurin e tij/saj mund t’ju ndihmojë të ballafaqoheni me shqetësimet për mos-ngrënien ose ngrënien e tepërt të fëmijës tuaj.

Për shembull, truri i fëmijës suaj e kupton që barku i tij/saj është plot, vetëm 20 minuta pasi ushqimi të jetë në barkun e tij/saj. Gjithashtu, uria e fëmijës suaj përcaktohet pjesërisht nga sa ka qenë ai/ajo fizikisht aktiv dhe nëse fëmija ka nevojë të “kompensojë” nëse nuk ka ngrënë shumë gjatë dy ditëve të fundit.

Ofrimi i vakteve dhe ushqimeve midis vakteve me rregull inkurajon oreks më të mirë gjatë vakteve. Ushqimet dhe vaktet e rregullta mund të jenë pjesë e një rutine të ushqyerit të shëndetshëm.

Ushqimi i tepërt

Nëse jeni të shqetësuar se fëmija juaj ka tendencën e ngrënies së tepërt, këtu janë disa gjëra që mund t`i provoni:

  • Jepini porcione pak më të vogla të ushqimit. Nëse fëmija juaj e përfundon atë, mund të ofroni një porcion të dytë më të vogël. Kjo i jep trurit dhe barkut të fëmijës suaj mundësinë për të kuptuar ngopjen.
  • Nëse fëmija juaj nuk ha një pjesë të ushqimit - për shembull, perimet - kjo është zgjedhja e tij/saj. Nuk është ide e mirë që t'i ofroni ushqime të tjera shtesë - për shembull, mish - për të kompensuar perimet.
  • Shërbejini fëmijës suaj ushqimin në një pjatë më të vogël. Kështu, ai/ajo merr porcionin me madhësinë e duhur, por prapë merr një “pjatë të plotë” të ushqimit.
  • Shmangni shpërqendrimet si televizori ose lodrat gjatë kohës së ngrënies. Kjo do ta ndihmojë fëmijën tuaj të përqendrohet në oreksin e tij/saj.

Ushqyerja e pamjaftueshme

Nëse mendoni se fëmija juaj nuk ha mjaft gjatë vakteve ose nuk ka oreks, mund të provoni strategjitë e mëposhtme:

  • Ofroni ushqimin në të njëjtën kohë çdo ditë. Nëse fëmijët hanë vaktet me rregull, ata kanë më shumë gjasa të jenë të uritur në atë kohë të ditës.
  • Inkurajoni fëmijën tuaj që të hajë më shumë gjatë vakteve, duke u siguruar që i shërbeni sasi të vogla gjatë vakteve. Fëmija juaj ka nevojë edhe për ushqime të shëndetshme në sasi të vogla për ri-fitim të energjisë, por nëse ka shumë të tilla ose ato janë të mëdha, mund ta ngopin atë para vaktit kryesor.
  • Shmangni ofrimin e alternativës kur fëmija juaj nuk ha një vakt. Fëmija juaj mund të ketë oreks të vogël për momentin.

Nëse jeni shqetësuar për rritjen ose zakonet e të ngrënit të fëmijës tuaj, bëni një takim me një mjek pediatër ose dietolog/e.

Ushqimi i shëndetshëm dhe mesazhet ushqimore për fëmijën tuaj!

Zakonet e të ushqyerit të shëndetshëm fillojnë në shtëpi.

Është e rëndësishme t'i jepni fëmijës tuaj ushqime të shëndetshme. Për më tepër, do ishte e dobishme që fëmija të rrethohet me mesazhe për zakonet e ushqyerjes dhe ushqimit të shëndetshëm. Kjo mund të ndihmojë fëmijën tuaj që të bëjë zgjedhjet e ushqimit të shëndetshëm.

Këtu keni disa ide:

  • Mundohuni të vendosni një shportë të mbushur me fruta të freskëta aty ku mund të shihet dhe arrihet nga fëmija, në tryezën e kuzhinës. Mund të ofroni fruta midis vakteve ose pas ushqimit, nëse fëmija juaj është ende i/e uritur.
  • Mbusheni qilarin dhe frigoriferin tuaj me shumë ushqime të shëndetshme, ushqyese dhe lini ushqimin "e shpejtë" në raftet e supermarketeve.
  • Mundohuni të zgjidhni fruta dhe perime me ngjyra, tekstura dhe shije të ndryshme - sa më shumë larmi të ketë, aq më shumë ka të ngjarë që fëmija juaj të gjejë diçka që është i interesuar të hajë.
  • Përfshini fëmijën tuaj në planifikimin dhe përgatitjen e ushqimeve. Nëse fëmija juaj ka ndihmuar në përgatitjen e ushqimit, ai/ajo ka më shumë gjasa ta hajë atë.
  • Shijoni ushqime të shëndetshme së bashku si familje sa më shpesh të jetë e mundur. Gjithashtu kërkoni mundësi për të ngrënë së bashku në mëngjes dhe në fundjavë.
  • Fikeni televizorin gjatë ngrënies. Në këtë mënyrë fëmija juaj i kushton vëmendje ushqimit dhe zgjedhjeve të freskëta të ushqimit të shëndetshëm që ju ofroni.
  • Lexoni libra që kanë mesazhe ushqimore të shëndetshme për fëmijën tuaj - për shembull, libra me fotografi të frutave dhe perimeve. Nxiteni fëmijën tuaj të tregojë lloje të ndryshme, ngjyra, forma etj.

Mbani ushqime të shëndetshme në shtëpi për t'i përdorur ndërmjet vakteve - dhe përpiquni të shmangni blerjen e atyre të pashëndetshme. Fëmijët do të zgjedhin opsionin e shëndetshëm nëse është i vetmi që kanë. Për shembull, mund të keni një shportë me fruta të freskëta në tryezë dhe një enë me perime në frigorifer.