7-9 Muaj – Zbulime të reja

Nëse do të mund t’ju thosha. . . "Unë e di kur diçka është e njohur për mua, dhe më pëlqen të jem rreth gjërave të njohura. Ndihem e sigurt kur e di se çfarë ka ndodhur dhe çfarë do të ndodhë më pas. Më pëlqejnë gjithashtu gjërat e reja, kështu që unë dua t'i eksploroj ato dhe të mësoj gjithçka rreth tyre. Nuk e di pse, por tani kur shoh fytyra të reja ose takoj ndonjë person të panjohur, nuk ndihem gjithmonë e lumtur. Ndonjëherë jam edhe e frikësuar. Kur isha më e vogël më pëlqenin njerëzit e rinj. Tani, edhe nëse jam e frikësuar, afërsia juaj, përqafimet dhe fjalët e ëmbla më ndihmojnë ta largoj frikën. Gjëra tjera të reja po ndodhin - Unë e di emrin tim dhe do ta kthej kokën dhe do të shikoj kur dikush thërret emrin tim. Unë di edhe fjalë të tjera dhe mund të përpiqen t’i them disa prej tyre. Lojërat, si 'symbyllazi', më entuziazmojnë sepse ato më ndihmojnë të mësoj se gjërat dhe njerëzit mund të zhduken, por ato gjithashtu mund të kthehen tek unë. Dhe - lajmi i madh – kam filluar të ulem, zvarritem, dhe përpiqem të qëndrojë në këmbë. Sa shumë mënyra për të eksploruar dhe zbuluar gjëra të reja tani!”

Zhvillimi i fëmijës në periudhën nga muaji i 7-të deri në muajin e 9-të

 

Të komunikuarit

Çfarë kemi të re?

Nga muaji i 7-të deri në muajin e 9-të, fëmija juaj do të gugatë shumicën e kohës. Gugatja e tij mund të tingëllojë si bisedë e vërtetë, duke përdorur ritmet e të folurit edhe pse nuk mund t’i kuptoni fjalët. Në këtë periudhë, disa fëmijë do t’i thonë tashmë fjalët e tyre të para, që tingëllojnë si "ma-mi" ose "ba-bi", edhe pse fëmija ende nuk do ta dijë kuptimin e tyre të saktë. Në këtë moshë, fëmija juaj do të tregojë se kupton disa fjalë të tjera - për shembull, kur thoni: "Ku është mamaja?" ose "Ku është babai?" ai mund të shikojë përreth duke kërkuar nënën ose babanë e tij. Ose ai mund ta ndalojë atë që po bën kur dëgjon fjalën ”jo”.

Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?

Flisni me fëmijën tuaj teksa i bëni rutinat tuaja të zakonshme ditore. Atij i pëlqen të ju dëgjojë teksa flisni me të. Është e lehtë: thjesht tregojini se çfarë po bëni, çfarë do të bëni, ose përmendni objektet që po i përdorni ose që janë përreth tij. Kjo e ndihmon fëmijën tuaj t’i lidhë gjërat me emrat dhe kuptimet e tyre. Kur fëmija juaj gugatë, përgjigjuni ngrohtësisht. Për shembull, nëse ai gugatë "ah-ah-ah" teksa sheh fruta në kuzhinë, ju mund t’i imitoni tingujt e tij dhe të thoni "Oh, a i sheh mollët? Shiko, ja një mollë! ” Përveç bisedës me të, këndojini, lëshoni ndonjë këngë, tregojini përralla dhe lexoni për të, çdo ditë. Kjo tregon se sa shumë e doni dhe e ndihmon atë të mësojë se si të komunikojë.

 

Ndjenjat

Çfarë kemi të re?

Në këtë moshë, edhe pa thënë fjalë, fëmija juaj do të jetë në gjendje t'ju bëjë me dije, shumë qartë, kur është i lumtur ose i mërzitur. Gjatë këtyre muajve, fëmija juaj krijon lidhje të fortë ose afërsi me ju ose anëtarët e ngushtë të familjes ose kujdestarët. Por në të njëjtën kohë, ai zhvillon frikë nga njerëzit e panjohur. Nëse ndonjë fqinj i afërt vjen për vizitë, fëmija juaj mund të fshihet ose të qajë - edhe nëse ai ka shkuar i lumtur te personi disa muaj më parë. Ai mbase është mjaft i vendosur se cilët janë njerëzit e tij të preferuar dhe do ta kërkojë vëmendjen dhe ndihmën e tyre. Ai do t’i përdorë aftësitë e tij të reja fizike për t’u afruar te ju ose te ndonjë person tjetër i veçantë, do të buzëqeshë dhe pret që ju të reagoni. Nëse largoheni nga dhoma edhe për pak kohë, ai mund të mërzitet. Nëse është i mërzitur për këtë ose për gjëra të tjera, ai do ta kërkojë një përqafim ngushëllues.

Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?

Mos harroni, këto sjellje janë normale, tipike për këtë moshë - dhe ato tregojnë se ai e di se kush janë njerëzit e rëndësishëm në botën e tij dhe sa shumë ai të do ty. Edhe pse ndonjëherë është e vështirë, jini të durueshëm dhe ofroni fëmijës tuaj një ndjenjë sigurie kur takon njerëz të rinj. Kushtojini vëmendje mënyrës se si fëmija juaj reagon ndaj situatave dhe njerëzve të rinj, pasi reagimet e tij ndoshta do të ndryshojnë nga java në javë. Nëse njerëz të rinj bëhen pjesë e botës së tij, përpiquni ta ndihmoni të mësohet gradualisht me ta, në mënyrë që të ndihet rehat. Emërtoni ndjenjat që vini re tek fëmija juaj - “Po, e shoh që po ndihesh i frikësuar. Gjithçka do të shkojë mirë; Më ke mua këtu. Le të shohim nëse mund të bëjmë diçka që ti të ndihesh më mirë."

Nëse ju duhet të kaloni kohë larg fëmijës suaj në baza të rregullta, për shembull, nëse ai ndjek ndonjë program të kujdesit për fëmijë, sigurohuni që fëmija juaj t’i ketë me vete disa nga gjërat e tij të preferuara dhe të jetë i familjarizuar me kujdestarin. Nëse është e mundur, zgjidhni një mjedis në të cilin ai do të jetë me të njëjtin kujdestar çdo ditë.

 

Të menduarit

Çfarë kemi të re?

Për shkak se fëmija juaj ka filluar të zvarritet dhe ndoshta edhe të qëndrojë në këmbë me ndihmë, një pjesë krejt e re e botës i hapet atij. Kur ai i mbërrin objektet interesante, ai tani është në gjendje t'i kap ato me shumë precizitet dhe t'i inspektojë ato me shumë kujdes. Nëse fshihni ndonjë objekt me një leckë, ai kërkon në vendin ku e ka parë atë për herë të fundit. Ai mund ta kërkojë lodrën që ju e mbuloni me leckë. Nëse ai hedh diçka, ai e përcjellë atë dhe e kërkon vendin ku ka rënë.

Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?

Luani lojëra si symbyllazi ose kukafshehtas – ose vendosni një lodër të vogël nën batanije dhe inkurajoni fëmijën ta tërheqë batanijen për ta gjetur lodrën. Atij i pëlqen t’i përsërisë këto lloj lojërash, të cilat zhvillojnë aftësitë e të menduarit, si dhe sigurinë emocionale. Atij gjithashtu do t’i pëlqejë të hedhë objekte të vogla në një tas, t'i nxjerrë ato përsëri, dhe ta përsërisë këtë për disa herë. (Vëzhgojeni nga afër, pasi fëmijët në këtë moshë eksplorojnë gjithashtu duke i futur objektet në gojë.) Lëreni të luajë me sende të vogla, duke i shtyrë ato përreth, ose duke rrokullisur topa para dhe prapa. Teksa luan, ai fillon të kuptojë se veprimet e tij janë shkaktare që gjëra të caktuara të ndodhin (shkaku/pasoja) - një zbulim i rëndësishëm.

 

Të lëvizurit

Çfarë kemi të re?

Këta muaj sjellin disa zhvillime interesante. Në këtë periudhë, fëmija juaj zhvillon shumë aftësi të reja motorike që i mundësojnë atij të zbulojë gjëra magjepsëse rreth botës së tij. Secili fëmijë zhvillohet në afate të ndryshme kohore, por ka shumë të ngjarë që ai tani ka filluar jo vetëm të ulet në mënyrë të pavarur, por edhe të lëvizë, kryesisht duke u zvarritur ose rrotulluar. Ai gjithashtu është gjithnjë e më i suksesshëm në mbajtjen e objekteve të vogla me gishta. Ai analizon me shkathtësi objektet me duart e tij, shpesh duke i kaluar objektet nga njëra dorë në tjetrën - megjithëse ai akoma, shumë shpesh, do t’i eksplorojë objektet duke i futur në gojë. Në këto zona dhe në të tjera, pavarësia e fëmijës suaj po rritet. Në këtë periudhë dhe në varësi të traditave tuaja, ju mund të filloni t’i jepni fëmijës tuaj ushqime të ngurta.

Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?

Vendoseni fëmijën tuaj pranë objekteve interesante të cilat ai mund t’i kap sigurt. Lëreni atë të lëvizë lirshëm nëpër dhomë, për sa kohë që ambienti është i sigurt dhe ju jeni afër për ta mbikëqyrur dhe ndihmuar, nëse është e nevojshme. Sigurohuni që asnjëri nga objektet që fëmija juaj mban në dorë nuk është shumë i vogël, për ta parandaluar rrezikun e ngufatjes. Detyra juaj është t’i siguroni fëmijës një ambient i cili është mjaftueshëm stimulues në të cilin ai mund të eksplorojë, por gjithashtu mjaftueshëm të sigurt në mënyrë që të mos lëndohet. Kur ai zbulon diçka, përcilleni zbulimin e tij me një buzëqeshje të madhe ose koment ("Shiko çfarë gjete - një filxhan! A mund ta shoh?"). Në këtë mënyrë, fëmija do të mësojë ta zhvillojë kureshtjen e tij dhe të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur në të njëjtën kohë.

Nëse ai ka filluar të hajë ushqim të ngurtë, lëreni të eksplorojë shije të ndryshme dhe të eksplorojë ushqime të reja në mënyra të ndryshme. Shumica e fëmijëve në këtë moshë do të përpiqen të hanë vetë (duke kapur thërrime ushqimi dhe duke e ushqyer veten).

Për të gjetur më shumë mënyra të tjera se si ta mbështesni zhvillimin e fëmijës përmes lojës, shkoni tek sesioni Të Luajmë së Bashku.

Shqetësimet e prindërve për zhvillimin në periudhën nga muaji i 7-të deri në muajin e 9-të

Meqenëse secili fëmijë zhvillohet në mënyrën e vet të veçantë, është e pamundur të parashikohet saktësisht se kur ose si fëmija juaj do ta përsosë një aftësi të caktuar. Aftësitë (gurët kilometrik zhvillimor) e pritshme dhe të listuara për këtë periudhë ju japin vetëm një ide të përgjithshme për ndryshimet që mund t’i prisni teksa fëmija juaj rritet. Ju lutemi mos u shqetësoni nëse zhvillimi i tij ndjek një rrugë pak më ndryshe.

Sidoqoftë, për t’u siguruar, flisni me pediatrin tuaj [ose me ndonjë ofrues tjetër të kujdesit shëndetësor] nëse fëmija juaj shfaq ndonjë nga shenjat e mëposhtme të zhvillimit të vonuar të mundshëm, nëse fëmija juaj duket se ka humbur disa nga aftësitë që kishte në një moshë më të hershme, ose nëse keni arsye të tjera për t’u shqetësuar:

  • Nëse fëmija juaj nuk ju shikon në sy ose nuk i përcjell me sy objektet në lëvizje,
  • nuk gugat ("mami", "babi", etj.)
  • nuk reagon ndaj burimit të zërit
  • nuk shikon aty ku i bëni me gisht
  • nuk tregon dashuri ndaj kujdestarëve të tij - nuk u buzëqesh atyre
  • nuk reagon kur i thirret emri
  • duket se nuk i njeh njerëzit e afërm
  • nuk rrotullohet
  • kur e merrni në duar, është i lëshuar ose shumë i ngurtë
  • nuk mund të ulet as me ndihmën dhe mbështetjen tuaj
  • ka vështirësi në të ngrënit e ushqimit të ngurtë.
References and comments

Reference:

https://raisingchildren.net.au/babies/development/development-tracker-3-12-months/7-8-months

https://raisingchildren.net.au/babies/development/development-tracker-3-12-months/8-9-months

https://raisingchildren.net.au/babies/development/development-tracker-3-12-months/9-10-months

Laura E. Berk (2006), Child development (7ht edition), Allyn & Bacon

Dr sci Nirvana Pištoljević (2016), Rani razvoj deteta: šta treba znati, Udruženje pedijatara Srbije, Beograd.