Sëmundja celiake

Nëse fëmija juaj ka sëmundje celiake, trupi i tij/saj reagon në mënyrë jonormale ndaj një proteine të quajtur gluten, e cila gjendet në grurë, thekër, elb dhe ndonjëherë edhe në tërshërë. Ju dhe fëmija juaj mund të menaxhoni sëmundjen celiake duke hequr ushqimet me gluten nga dieta e fëmijës suaj.
Body

Rreth sëmundjes celiake

Sëmundja celiake është një lloj sëmundje autoimune. ’Autoimune’ do të thotë që trupi gabimisht sulmon veten kur ndjen një shkas të caktuar. Nxitësi i sëmundjes celiake është një proteinë e quajtur gluten, e cila gjendet në grurë, thekër, elb dhe mund të jetë edhe në tërshërë.

Sëmundja celiake prek shtresën e brendshme të zorrës së hollë, e cila është e mbuluar me vile. Vilet janë si gishta të vegjël që dalin nga shtresa e brendshme e zorrëve. Nëse fëmija juaj ka sëmundje celiake, ngrënia e ushqimeve me gluten dëmton vilet. Nëse vilet dëmtohen, trupi i fëmijës suaj nuk mund t'i absorbojë siç duhet lëndët ushqyese.

Sëmundja celiake prek rreth 1 në 70-100 persona. Kjo gjendje shëndetësore mund të shfaqet si te fëmijët ashtu edhe te të rriturit në çdo moshë. Tek fëmijët, kjo mund të shfaqet rreth muajit të gjashtë, pasi ata të fillojnë të konsumojnë ushqime të ngurta që përmbajnë gluten.

Shkaqet e sëmundjes celiake

Sëmundja celiake mund të trashëgohet në familje. Njerëzit me sëmundje celiake trashëgojnë gjene nga njëri ose të dy prindërit që e bëjnë më të mundshme zhvillimin e sëmundjes. Por jo të gjithë me këto gjene do të vazhdojnë ta zhvillojnë këtë gjendje shëndetësore.

Nëse ju, prindi tjetër i fëmijës tuaj ose njëri nga vëllezërit ose motrat e fëmijës suaj keni sëmundje celiake, fëmija juaj ka rreth 10% mundësi që të ketë gjithashtu këtë gjendje shëndetësore.

Shenjat dhe simptomat e sëmundjes celiake

Sëmundja celiake mund të shkaktojë shumë shenja dhe simptoma të ndryshme.

Nëse fëmija juaj ka sëmundje celiake, shenjat dhe simptomat mund të përfshijnë:

  • të përziera dhe të vjella
  • diarre
  • kapsllëk
  • oreks të dobët
  • dhimbje stomaku
  • ulçera në gojë
  • mungesë hekuri
  • anemi
  • vonesë në rritje ose pubertet të vonshëm
  • rënie në peshë
  • lodhje dhe nervozizëm.

Nëse sëmundja celiake nuk diagnostikohet dhe trajtohet, mund të shkaktojë probleme të rënda afatgjata shëndetësore, duke përfshirë kequshqyerjen, rritjen e dobët, intolerancën ndaj laktozës, osteoporozën, artritin, sëmundjen e mëlçisë, epilepsinë, infertilitetin dhe kancerin.

Kur duhet të vizitoni mjekun për sëmundjen celiake

Nëse vëreni ndonjë nga simptomat e mësipërme dhe ato janë të pashpjegueshme ose zgjasin më shumë se dy javë, duhet ta çoni fëmijën tuaj tek mjeku.

Diagnostifikimi i sëmundjes celiake

Hapi i parë për të diagnostikuar sëmundjen celiake është një analizë gjaku për të matur antitrupat specifikë celiak. Nëse fëmija juaj ka një nivel të lartë të këtyre antitrupave, mjeku juaj do t'ju referojë më pas te një gastroenterolog.

Mjeku gastroenterolog do të bëjë një gastroskopi për të konfirmuar që fëmija juaj ka sëmundje celiake.

Gastroskopia bëhet me anestezi të lehtë dhe zgjat rreth 10 minuta. Një tub fleksibël kalon përmes gojës së fëmijës tuaj dhe në zorrën e tij të hollë ku merren mostra të vogla të indeve.

Mjekët mund t'i shikojnë këto mostra për të parë nëse vilet janë të dëmtuara. Nëse ato janë të dëmtuara, do të thotë që fëmija juaj ka sëmundje celiake.

Në disa raste, fëmija juaj mund të ketë nevojë të bëjë një analizë gjaku për të parë nëse ai/ajo ka gjenet që mund të çojnë në sëmundjen celiake. Kjo mund të ndodhë nëse analizat e tjera janë të paqarta.

Trajtimi i sëmundjes celiake

Për momentin nuk ka kurë për sëmundjen celiake. Por mund të menaxhohet duke ndjekur një dietë strikte, gjatë gjithë jetës, pa gluten.

Sapo fëmija juaj të ndalojë së ngrëni gluten, zorra e tij/saj e hollë mund të shërohet dhe ai/ajo duhet të fillojë të ndihet më mirë, zakonisht brenda pak ditësh ose javësh.

Menaxhimi i sëmundjes celiake

Edhe sasitë e vogla të glutenit në dietën e fëmijës suaj mund të dëmtojnë zorrën e hollë të fëmijës suaj, megjithëse fëmija juaj mund të mos shfaqë gjithmonë shenja ose simptoma. Prandaj, është shumë e rëndësishme t'i përmbaheni një diete pa gluten. Ja se si.

Largimi i ushqimeve me gluten nga dieta e fëmijës suaj. 
Gluteni gjendet në grurë, thekër, elb dhe tërshërë, kështu që mund të filloni duke hequr dorë nga ushqimet e bëra me këta përbërës. Këto ushqime mund të përfshijnë:

  • bukën
  • ëmbëlsirat
  • biskotat
  • drithërat e mëngjesit
  • bazat e picave
  • pastat
  • brumërat
  • ushqimin e fërguar të mbështjellur me thërmia buke.

Kur fëmija juaj diagnostikohet për herë të parë, është e rëndësishme të flisni me një dietolog se si të menaxhoni një dietë pa gluten për fëmijën tuaj.

Hapat e tjerë të rëndësishëm përfshijnë:

Mbajtjen e ushqimit pa gluten në vend të veçantë në shtëpi
Leximin e etiketave në të gjitha ushqimet
Kujdesin kur hani jashtë

Kërkimi i alternativave pa gluten: Ka shumë libra gatimi pa gluten për t'ju ndihmuar të gjeni disa ide të reja për menunë. Ju mund të dëshironi t'i kërkoni dietologut tuaj të rekomandojë disa receta, libra gatimi dhe faqe interneti të besueshme. Disa fëmijë dhe të rritur mund të hanë tërshërë pa probleme dhe këtë mund ta diskutoni me mjekun tuaj.

Edhe nëse fëmija juaj ka sëmundje celiake, ai/ajo prapë mund të ketë një dietë të ekuilibruar dhe ushqyese.