Shqetësimet mbi zhvillimin e foshnjes së lindur para kohe
Foshnjat e lindura para kohe dhe rreziku i problemeve në zhvillim
Shumica e foshnjave të lindura para kohe vazhdojnë të zhvillohen si moshatarët e tyre të lindur në mënyrë të rregullt. Por sa më herët që foshnjat e parakohshme lindin, aq më shumë ka gjasa të kenë probleme në zhvillim.
Foshnjat me lindje pak para kohe
Foshnjat me lindje pak para kohe lindin shumë pak para kohe - në javën 34-36. Shumica e fëmijëve të lindur para kohe, janë të lindur pak para kohe.
Shumë prej organeve të këtyre foshnjave janë zhvilluar plotësisht, por ende ka shumë ndryshime që ndodhin në trurin e tyre.
Këto foshnje kanë rrezik shumë të vogël për probleme në zhvillim dhe vështirësi në frymëmarrje krahasuar me foshnjet me lindje të rregullt. Ndoshta kanë nevojë të qëndrojnë në spital për të shtuar peshë dhe të mësohen të ushqehen duke koordinuar thithjen, frymëmarrjen dhe gëlltitjen e tyre.
Foshnjat me lindje të parakohshme ekstreme
Foshnjat e lindura para kohe në më pak se 28 janë, dhe foshnjat e lindura me peshë jashtëzakonisht të ulët në lindje prej më pak se 1 kg kanë rrezikun më të lartë të problemeve në zhvillim. Ky rrezik rritet nëse kanë edhe komplikime mjekësore gjatë qëndrimit në njësinë e kujdesit intensiv neonatal (NICU).
Nëse keni ndonjë shqetësim në lidhje me zhvillimin e foshnjës tuaj, besoni instinktit tuaj dhe flisni sa më herët me mjekun tuaj. Fëmija juaj ndonjëherë mund të ketë nevojë të vizitojë edhe profesionistë të tjerë, si audiologët, optometristët, patologët e të folurit, terapistët profesionistë, fizioterapeutët dhe stomatologët.
Zhvillimi i gjuhës tek foshnjat të lindura para kohe
Shumica e foshnjave të lindura para kohe zhvillojnë gjuhë normale, por zhvillimi i gjuhës tek ta mund të ketë vonesë. Gjithashtu mund të kenë probleme në të folur dhe në të kuptuar, krahasuar me fëmijët me lindje të rregullt.
Problemet gjuhësore mund ndonjëherë të jenë shenjë e hershme e problemeve të dëgjimit, të menduarit ose të të mësuarit.
Zhvillimi fizik tek foshnjat e lindura para kohe
Shumica e foshnjave të lindura para kohe kanë zhvillim të zakonshëm fizik dhe motorik, megjithëse fëmijët e lindur para kohe priren të jenë më të shkurtër dhe më të lehtë se moshatarët me lindje të rregullt.
Problemet motorike
Rreth 40% e fëmijëve të lindur para kohe kanë ngecje të lehta motorike. Këtu përfshihen problemet në:
- aftësi të buta (fine) motorike - për shembull, për të mbajtur një laps
- planifikim motorik – për shembull, në ushtrimet për të ecur rreth pengesave
- koordinimi vizuomotorik - për shembull, kopjimi i formave
- aftësitë sensoro-motore - për shembull, marrja e një gote të plotë pa derdhur përmbajtjen në të.
Disa foshnja të lindura para kohe kanë paralizë cerebrale. Rreziku i paralizës cerebrale është më i lartë për foshnjat me lindje të parakohshme ekstreme, dhe për foshnjat që janë shumë të sëmurë në NICU.
Dhëmbët
Foshnjat e lindura para kohe kanë më shumë gjasa të kenë probleme dentare sesa foshnjat me lindje të rregullt.
Problemet dentare mund të përfshijnë si në vijim:
- Smalti onormal i dhëmbëve: dhëmbi mund të duket gri ose kafe, ose të ketë një sipërfaqe jo të rrafshtë. Kavitetet mund të formohen më lehtë në dhëmbë me smalt të dobët. Larja e rregullt e dhëmbëve ndihmon në këtë aspekt.
- Dhëmbët e vonshëm: dhëmbët e foshnjave të lindur para kohe shpesh zhvillohen disa muaj më vonë se dhëmbët e fëmijëve me me lindje të rregullt, por ata do të vazhdojnë të zhvillohen në rendin e zakonshëm.
- Qiellza e thellë ose me ngushtë: kjo mund të ndikojë në të folur dhe kafshim. Shumica e fëmijëve përshtaten me formën e qiellzës së tyre, por disave mund t'ju duhen proteza më vonë.
Është mirë të vizitoni një dentist pediatrik, idealisht para se fëmija juaj të jetë një vjeç.
Zhvillimi shqisor tek foshnjat e lindura para kohe: dëgjimi, shikimi, vetëdija shqisore
Shumica e foshnjave të lindur para kohe kanë dëgjim, vizion dhe vetëdije shqisore të zakonshme.
Dëgjimi
Foshnjat e lindura para kohe kanë më shumë gjasa se foshnjat me lindje të rregullt të jenë të shurdhër ose me vështirësi në dëgjim, por shumë pak fëmijë kanë probleme të rënda në të dy veshët që kanë nevojë për aparat dëgjimi ose implant koklear.
Një ekzaminim për dëgjim mund të bëhet përderisa foshnja është ende në spital. Ky ekzaminim zbulon shumicën e problemeve të dëgjimit, por disa diagnostifikohen më vonë. Është e rëndësishme të diagnostikoni dhe të trajtoni shurdhimin, sepse fëmijët duhet të dëgjojnë siç duhet për të zhvilluar aftësitë gjuhësore, sociale dhe komunikuese.
Vizioni
Fëmijët që lindin para kohe kanë më shumë gjasa të kenë dëmtim të shikimit sesa moshatarët me lindje të rregult. Ata/ato kanë më shumë gjasa të zhvillojnë probleme të lehta vizuale si shkurtërpamësia ose largëpamësia, vëngëria, ndjeshmëria ndaj kontrastit ose probleme me perceptimin e thellësisë.
Problemet më të rënda të syve zbulohen shumë herët. Foshnjat të lindura shumë para kohe mund të bëjnë teste të rregullta të syve ndërsa janë në spital, gjë që mund të çojë në trajtim të hershëm.
Ndjeshmëri shqisore
Disa prindër thonë se fëmijët e tyre të lindur para kohe kanë ndjeshmëri shqisore, si ndjeshmëri e shtuar ndaj stimujve si zhurma ose pëlhura të caktuara. Disa foshnjave të lindura para kohe nuk u pëlqen të fusin gjëra në gojë dhe mund të kenë probleme me ushqyerjen. Dhe foshnjat e lindura para kohe mund të kenë prag më të ulët ndaj dhimbjeve sesa foshnjat me lindje të rregullt.
Zhvillimi i të menduarit dhe të mësuarit tek foshnjat e lindura para kohe
Shumica e foshnjave të lindura para kohe kanë zhvillim të zakonshëm të të menduarit dhe të të mësuarit dhe kanë arritje të mira në shkollë.
Disa fëmijë të lindur para kohe do të kenë dëmtime në të menduar dhe të mësuar. Për shembull, mund të kenë probleme me leximin, planifikimin dhe fokusimin në detyrë.
Ju mund të mos vini re asnjë problem derisa fëmija juaj i lindur para kohe të fillojë të shkojë në shkollë. Fëmijët të lindur para kohe mund të kenë nevojë për mbështetje shtesë në shkollë.
Zhvillimi social dhe emocional tek foshnjat e lindura para kohe
Shumica e foshnjave të lindura para kohe kanë zhvillim të zakonshëm social dhe emocional, por mund të sillen ndryshe nga foshnjat me lindje të rregullt.
Për shembull, në vitin e parë të jetës, foshnjat e lindura para kohe kanë më pak gjasa të ndërveprojnë me të tjerët në krahasim me foshnjat me lindje të rregullt. Ata kanë më shumë gjasa t'i heqin sytë (mos të ndërveprojnë) në mënyrë që të mos mbingarkohen, dhe mund të acarohen më shpejt.
Ndërsa fëmija juaj rritet, këto gjëra do të jenë më pak shqetësuese. Dhe të mësuarit për të lexuar gjuhën e trupit të foshnjës tuaj të lindur para kohe mund t'ju ndihmojë të dalloni kur fëmija juaj dëshiron të angazhohet dhe kur dëshiron të ndalojë.
Problemet sociale dhe emocionale
Nëse një fëmijë ka 'probleme sociale dhe emocionale', kjo do të thotë se fëmija po ka probleme në përshtatje me mjedisin përreth, t'i ndjekë rregullat dhe të shoqërohet me fëmijët dhe të rriturit e tjerë.
Shumica e fëmijëve ndonjëherë kanë zemërime të çastit, mërziten dhe testojnë kufijtë tuaj. Por fëmijët e lindur para kohe kanë më shumë gjasa të kenë vështirësi në përballimin dhe menaxhimin e ndjenjave të tyre. Mund të kenë vështirësi të qëndrojnë të qetë, të hanë mirë dhe të flenë mirë. Disa mund të kenë vetëbesim më të ulët ose t'i kenë të vështira miqësitë.
Fëmijët e lindur para kohe kanë më shumë gjasa se fëmijët me lindje të rregullt të kenë gjendje si çrregullimi i hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes, çrregullimi i spektrit të autizmit, ankthi dhe depresioni.
Por këto probleme janë ende të rralla tek fëmijët e lindur para kohe.
Mjediset e dashura, stabile, stimuluese dhe të sigurta në shtëpi dhe shkollë, ku fëmija juaj mund të krijojë marrëdhënie të ngushta, mbështesin zhvillimin e tij/saj. Këto lloj mjedisesh mund të ndihmojnë për t'i bërë disa probleme në zhvillim më pak të rënda dhe të ndihmojnë fëmijët me vonesë të hershme të jenë në hap në fëmijërinë e mëvonshme ose në vitet e adoleshencës.
Mosha e korrigjuar
Njohja e moshës së korrigjuar të fëmijës suaj mund të ndihmojë nëse keni shqetësime të zhvillimit.
Mosha e korrigjuar është mosha kronologjike e fëmijës suaj minus numri i javëve ose muajve që ka lindur para kohe. Fëmija juaj mund të duket se ka një zhvillim të vonuar nëse e krahasoni me një fëmijë të së njëjtës moshë kronologjike. Por nëse përdorni moshën e korrigjuar të foshnjës tuaj, kjo mund të tregojë se zhvillimi i foshnjës po shkon normalisht..
Binjakët, trenjakët dhe katërnjakët shpesh lindin para kohe. Nëse jeni të shqetësuar për binjakët, trenjakët ose katërnjakët tuaj, mund të jetë e dobishme të dini që rezultatet e foshnjeve të shumta të lindura para kohe janë të ngjashme me ato të vetëm një foshnjeje të lindur para kohe.