Sëmundja celiake
Rreth sëmundjes celiake
Sëmundja celiake është një lloj sëmundje autoimune. ’Autoimune’ do të thotë që trupi gabimisht sulmon veten kur ka një shkak të caktuar. Nxitësi i sëmundjes celiake është një proteinë e quajtur gluten, e cila gjendet në grurë, thekër, elb dhe mund të jetë edhe në tërshërë.
Sëmundja celiake prek shtresën e brendshme të zorrës së hollë, e cila është e mbuluar me vile. Vilet janë si gishta të vegjël që dalin nga shtresa e brendshme e zorrëve. Nëse fëmija ka sëmundje celiake, ngrënia e ushqimeve me gluten dëmton vilet. Nëse vilet dëmtohen, trupi i fëmijës nuk mund t'i absorbojë siç duhet lëndët ushqyese.
Sëmundja celiake prek rreth 1 në 70-100 persona, mund të shfaqet si te fëmijët ashtu edhe te të rriturit në çdo moshë. Tek fëmijët, kjo mund të shfaqet rreth muajit të gjashtë, pasi ata të fillojnë të konsumojnë ushqime të ngurta që përmbajnë gluten.
Shkaqet e sëmundjes celiake
Sëmundja celiake mund të trashëgohet. Njerëzit me sëmundje celiake trashëgojnë gjene të tilla nga njëri ose të dy prindërit janë më të rrezikuar nga zhvillimi i sëmundjes. Pavarësisht trashëgimit të gjeneve, kjo gjendje shëndetësore nuk zhvillohet te të gjithë.
Nëse prindërit e fëmijës, njëri nga vëllezërit ose motrat e fëmijës kanë sëmundje celiake, fëmija ka rreth 10% mundësi që të trashëgojë këtë gjendje shëndetësore.
Shenjat dhe simptomat e sëmundjes celiake
Sëmundja celiake mund të shkaktojë shumë shenja dhe simptoma të ndryshme.
Nëse fëmija ka sëmundje celiake, shenjat dhe simptomat mund të përfshijnë:
- të përziera dhe të vjella;
- diarre;
- kapsllëk;
- oreks të dobët;
- dhimbje stomaku;
- ulcera në gojë;
- mungesë hekuri;
- anemi;
- vonesë në rritje ose pubertet të vonshëm;
- rënie në peshë;
- lodhje dhe nervozizëm.
Nëse sëmundja celiake nuk diagnostikohet dhe trajtohet, mund të shkaktojë probleme afatgjata të rënda shëndetësore, duke përfshirë: kequshqyerjen, rritjen e dobët, intolerancën ndaj laktozës, osteoporozën, artritin, sëmundjen e mëlçisë, epilepsinë, infertilitetin dhe kancerin.
Kur duhet të vizitoni mjekun për sëmundjen celiake
Nëse vëreni ndonjë nga simptomat e mësipërme dhe ato janë të pashpjegueshme ose zgjasin më shumë se dy javë, duhet ta çoni fëmijën tuaj tek mjeku.
Diagnostikimi i sëmundjes celiake
Hapi i parë për të diagnostikuar sëmundjen celiake është një analizë gjaku për të matur antitrupat specifikë celiak. Nëse fëmija ka nivel të lartë të këtyre antitrupave, mjeku do t'ju referojë më pas te një gastroenterolog për fëmijë.
Mjeku gastroenterolog do të bëjë një gastroskopi për të konfirmuar që fëmija ka sëmundje celiake.
Gastroskopia bëhet me anestezi të lehtë dhe zgjat rreth 10 minuta. Një tub fleksibël kalon përmes gojës së fëmijës dhe në zorrën e tij të hollë merren mostra të vogla të indeve.
Mjekët analizojnë këto mostra për të parë nëse vilet janë të dëmtuara. Nëse ato janë të dëmtuara, do të thotë që fëmija ka sëmundje celiake.
Kur analizat tjera janë të paqarta, në disa raste mund të ketë nevojë fëmijës ti bëhet analiza gjaku për të vërtetuar nëse ka trashëguar gjenet që mund të çojnë në zhvillimin e sëmundjes celiake.
Trajtimi i sëmundjes celiake
Për momentin nuk ka kurë për sëmundjen celiake. Por mund të menaxhohet duke ndjekur një dietë strikte, gjatë gjithë jetës, pa gluten.
Sapo fëmija të ndalojë së ngrëni gluten, zorra e hollë mund të shërohet dhe zakonisht duhet të fillojë të ndihet më mirë brenda pak ditësh ose javësh.
Menaxhimi i sëmundjes celiake
Edhe sasitë e vogla të glutenit në dietën e fëmijës mund të dëmtojnë zorrën e hollë, megjithëse fëmija mund të mos shfaqë gjithmonë shenja ose simptoma. Prandaj, është shumë e rëndësishme t'i përmbaheni një diete pa gluten.
Ja se si: Largimi i ushqimeve me gluten nga dieta e fëmijës.
Gluteni gjendet në grurë, thekër, elb dhe tërshërë, prandaj mund të filloni të hiqni dorë nga ushqimet që përmbajnë këta përbërës. Këto ushqime mund të përfshijnë:
- bukën;
- ëmbëlsirat;
- biskotat;
- drithërat e mëngjesit;
- bazat e picave;
- pastat;
- brumërat
- ushqimin e fërguar të mbështjellur me thërrmija buke.
Kur fëmija diagnostikohet për herë të parë, është e rëndësishme të flisni me një dietolog se si të menaxhoni një dietë pa gluten për fëmijën.
Hapat e tjerë të rëndësishëm përfshijnë:
- Mbajtjen e ushqimit pa gluten në vend të veçantë në shtëpi;
- Leximin e etiketave në të gjitha ushqimet;
- Kujdesin kur hani jashtë.
Kërkimi i alternativave pa gluten: Ka shumë libra gatimi pa gluten për t'ju ndihmuar të gjeni disa ide të reja për menynë. Mund t'i kërkoni dietologut t’ju rekomandojë disa receta, libra gatimi dhe faqe interneti të besueshme. Disa fëmijë dhe të rritur mund të hanë tërshërë pa problem, por edhe për këtë duhet të konsultoheni me mjekun.
Edhe nëse fëmija ka sëmundje celiake, prapë mund të ketë dietë të ekuilibruar dhe ushqyese.