Të qarat e bebeve dhe fëmijëve 0-8 vjeç
Çfarë tregojnë bebet dhe fëmijët kur qajnë
Të gjithë fëmijët qajnë kur janë të uritur, të lodhur, jo komod, të sëmurë ose ndjejnë dhimbje. Ndonjëherë ata qajnë sepse kanë nevojë për vëmendje. Fëmijët e vegjël dhe ata pak më të rritur, për shembull, mund të qajnë për shkak se ndihen të nervozuar, të trishtuar apo të zemëruar.
Por ndonjëherë mund të jetë e vështirë ta kuptosh se për çfarë ai ka nevojë ndërsa është duke qarë, veçanërisht nëse ai ende nuk mund të flasë.
Pra, kur fëmija juaj është duke qarë, së pari kontrolloni nëse ai është i sëmurë ose i lënduar. Nëse nuk jeni të sigurt, bëni një konsultë me mjekun tuaj.
Nëse fëmija juaj është duke qarë për një tjetër arsye, ka shumë gjëra me të cilat ju mund ti vini në ndihmë.
Asnjëherë mos e tundni, qëlloni ose lëndoni një fëmijë që po qan. Nëse ndjeni se mund ta lëndoni fëmijën tuaj, ndaloni para se të bëni diçka. Largohuni dhe merrni frymë thellë. Thërrisni dikë për ndihmë — një mik, fqinj ose një profesionist nëse është e mundur.
Përse qajnë bebet
Bebet lindin me aftësinë për të qarë. Kjo është mënyra e tyre e komunikimit.
Afërsisht 1 në 10 bebe qajnë shumë — 'shumë' nënkupton më shumë se tre orë në ditë. Bebet nën moshën 12 muaj kanë tendencë të qajnë më së shumti në pjesën e pasdites ose para mbrëmjes. Kjo mund të jetë shumë stresuese për ju.
Kjo fazë e të qarave intensive do të kalojë, ndoshta më shpejt se sa mendoni.
Si të menaxhoni beben tuaj kur është duke qarë
Së pari kontrolloni nëse ai është i uritur, i lodhur ose nuk ndihet rehat. Me kalimin e kohës, ju do ta kuptoni se për çfarë qajnë bebet tuaja.
Disa alternativa të tjera të dobishme:
- Vendoseni beben tuaj në një karrocë ose mbajtëse dhe dilni për një shëtitje. Edhe nëse ai nuk ndalet së qari, ndonjëherë është më e lehtë ta përballoni ndërsa jeni në lëvizje.
- Kërkoni ndihmën e një miku ose të afërmi për t'iu ndihmuar gjatë orarit që bebi juaj qan më shumë. Është normale të kërkosh ndihmë.
- Nëse ndiheni të mbingarkuar, vendoseni beben tuaj në një vend të sigurt dhe bëni një pushim prej pesë minutash. Edhe nëse e lini duke qarë për disa minuta kjo gjë nuk e dëmton atë, dhe mund t'ju ndihmojë të merrni situatën nën kontroll.
Ndërsa ju përpiqeni të relaksoni beben tuaj, ai mëson se bota është një vend i sigurt dhe i parashikueshëm. Ai do fitojë besimin tuaj dhe do të përpiqet të qajë më pak.
Përse qajnë fëmijët e vegjël
Të vegjëlit qajnë për të njëjtat arsye si bebet. Të qarat e tyre janë një mënyrë për të përballuar emocionet e reja dhe të vështira si mungesa e vëmendjes, turpi apo xhelozia.
Si të menaxhoni fëmijët e vegjël kur janë duke qarë
Nëse fëmija juaj është fizikisht në rregull, këshillat e mëposhtme mund t'iu ndihmojnë:
- Nëse mendoni se fëmija juaj mund të jetë i lodhur, një pushim do ta ndihmonte. Ju mund ta qetësoni atë duke dëgjuar muzikë ose duke i treguar një përrallë.
- Nëse ata qajnë në kohën e gjumit, mund t'iu nevojitet ndihmë për të qetësuar fëmijën tuaj.
- Nëse fëmija ndihet i zemëruar, merreni atë në një vend të sigurt për t'u qetësuar.
- Nëse fëmija juaj është i nervozuar, përpiquni të gjeni një zgjidhje sëbashku. Për shembull, “Ti je nervozuar sepse formueset bien vazhdimisht. Le ta provojmë së bashku dhe njëherë'. Emërtimi i një emocioni i tregon fëmijës tuaj se ju po e kuptoni. Gjithashtu e ndihmoni atë të mësojë sesi të menaxhojë veten dhe emocionet.
- Nëse fëmija juaj ndihet i nervozuar, provoni të ndryshoni rutinën, si përshembull një shëtitje jashtë, një vaskë me shkumë, ose mund të vendosni muzikë për fëmijë dhe kërceni së bashku. Do të argëtoheni pafund.
Përse qajnë parashkollorët dhe fëmijët e moshës shkollore
Derisa fëmija juaj mund të flasë, është shumë më e lehtë për të që të përdorë fjalë për t'ju treguar pse ajo është e mërzitur dhe për çfarë ka nevojë. Njëkohësisht është më e lehtë për ju të bisedoni me të për ndjenjat e tij.
Si të menaxhoni parashkollorët dhe fëmijët e moshës shkollore kur janë duke qarë
Nëse fëmija juaj është fizikisht në rregull, provoni idetë e mëposhtme:
- Së pari jepini kohë fëmijëve për t'u qetësuar, më pas pyeteni se çfarë e ka mërzitur atë. Tregojini që po e dëgjoni duke përshkruar ndjenjat e tij. Për shembull, 'Ti je trishtuar sepse Sam nuk do të luajë me ty'.
- Jepini nalternativa të tjera për ta tejkaluar situatën. Për shembull, 'Po sikur t'i kërkosh Xheit të luani së bashku? '
- Sigurohuni që fëmija juaj të kuptojë se ndonjëherë është normale të qajë — për shembull, kur ndodh diçka e trishtuar ose kur lëndohet, 'Ouch, edhe unë do të kisha qarë nëse do të godisja kokën'.
Nëse fëmija juaj qan vazhdimisht dhe veprimet e tij tregojnë se ai është i mërzitur, mbani në konsiderat= të konsultoheni me mjekun tuaj për më shumë këshilla. Miqtë dhe fqinjët mund t'ju ndihmojnë gjithashtu.
Si për fëmijët dhe për të rritur, e qara është një mënyrë për të tejkaluar trishtimin dhe humbjet e mëdha. Përpiquni ta dëgjoni, teksa fëmija juaj i shpreh këto ndjenja, kështu ju mund ta ngushëlloni dhe qetësoni atë.
E qara dhe ndjenjat tuaja
Të qarat e bebeve dhe fëmijëve janë një nga arsyet më të zakonshme që prindërit kontaktojnë për ndihmë profesionale.
Nëse ata qajnë shumë, ju me siguri do të ndjeheni të mërzitur, apo edhe në depresion. Nëse i përjetoni këto ndjenja, ose ndjenja se mund ta lëndoni fëmijën tuaj, është e rëndësishme të kërkoni menjëherë ndihmë.
Ju mund të kontaktoni shërbimet që ofrojnë mbështetje për prindërit. Artikulli ynë mbi shërbimet dhe mbështetjen ka një listë të vendeve dhe njerëzve të duhur për t'ju ndihmuar.
Ndonjëherë është mirë që dikush tjetër t'ju zëvendësojë. Nëse mundeni, kërkoni ndihmën e partnerit, miqve ose të afërmve.
Prindërimi mund të jetë punë me të vërtetë e vështirë, veçanërisht nëse keni një fëmijë që qan shumë. Të jesh i duruar dhe të kërkosh ndihmë janë gjërat pozitive që ti mund të bësh për veten dhe për fëmijën tënd.
E qara përpara fëmijëve tuaj
Duke parë emocionet tuaja fëmija do të mësojë se të rriturit janë njerëz me ndjenja gjithashtu.
Por nëse dhe ju qani shumë ose qani pa e ditur arsyen, atëherë ju duhet të flisni me mjekun tuaj për të marrë ndihmën e duhur.