Ankthi i ndarjes tek foshnjat dhe fëmijët

Pikat kryesore: Ankthi i ndarjes është pjesë normale e zhvillimit dhe normalisht ndodh rreth moshës 8 muajshe. Ju mund ta ndihmoni fëmijën me ankthin e ndarjes duke e inkurajuar atë butësisht që të ndahet nga ju. Kjo mund të kërkojë praktikë dhe shpërblime pozitive. Nëse, fëmija e përjeton më rëndë ankthin e ndarjes, në kohë të tejzgjatur, dhe nëse ndërhyn në jetën e fëmijës tuaj merrni parasysh të kërkoni ndihmë profesionale.
Body

Çfarë është ankthi i ndarjes që përjetojnë fëmijët?

Ankthi i ndarjes është një gjendje në të cilën një fëmijë bëhet më i frikësuar dhe nervoz kur është larg shtëpisë ose i ndarë nga personat që do shumë; zakonisht prindërit ose kujdestarët me të cilët fëmija është i lidhur. Ai është i zakonshëm tek fëmijët e vegjël dhe normalisht zhvillohet rreth moshës 8 muajshe dhe arrin kulmin tek foshnjat e moshës 14-18 muajsh. Zakonisht kalon gradualisht gjatë fëmijërisë së hershme.

Ankthi nga të panjohurit është i ngjashëm me ankthin e ndarjes. Kjo pasi, ankthi nga të panjohurit ndodh kur fëmijët mërziten nga prania e njerëzve që nuk i njohin. Mund të ndodhë në moshën 7-10 muajshe dhe zakonisht fillon të largohet pas ditëlindjeve të para të fëmijëve.

Këto shqetësime janë një pjesë normale e zhvillimit në vitet e para. Në fakt, kur fëmija juaj shfaq mërzi nëse ju ndaheni mund të tregojë ai/ajo kujdeset vërtet për ju-siç bëni ju për të! 

Si mund të ndihmoni fëmijën që të ndihet i/e qetë?

Nëse fëmija juaj ka filluar të ndihet i/e mërzitur nëse largohet/ndahet nga ju, ka shumë gjëra që mund të bëni për ta ndihmuar atë.

Në vende të reja

  • Nëse e lini fëmijën tuaj në një mjedis të ri - çerdhe, kopësht, shtëpinë e shokut/shoqes, me dadon - mundohuni që të kaloni kohë me fëmijën tuaj në vendin e ri para se të ndaheni me të.
  • Të paktën në fillim, lëreni fëmijën të marrë diçka që ai/ajo e do nga shtëpia, si një arush pellushi, jastëk ose batanije.
  • Tregojini profesionistëve në çerdhe, kopësht ose shkollë nëse fëmija juaj ka tendencë të jetë i/e mërzitur kur ndahet nga ju, dhe bëjani të ditur se çfarë po bëni për ta ndihmuar atë.
  • Inkurajoni butësisht fëmijën që të ndahet nga ju, dhe kushtojini kohë proçesit të ndarjes derisa ai/ajo të mësohet. Mos shmangni ndarjet por përpiquni t’i jepni përvoja pozitive. Për shembull, thoni fëmijës që: "Mami/Babi kthehet gjithmonë!"

Në momentin që ndaheni nga fëmija

  • Tregojini fëmijës se kur do largoheni dhe kur do të ktheheni. Të largoheni pa thënë lamtumirë mund t’i përkeqësojë gjërat.
  • Para se të largoheni përfshini fëmijën në një aktivitet të këndshëm.
  • Thoni shkurtimisht lamtumirë fëmijës tuaj - mos e nxisni atë që të vijë pas jush.
  • Ndërsa largoheni, mbani një pamje të relaksuar dhe të lumtur në fytyrë.

Në shtëpi

  • Pavarësisht se sa i/e frustruar ndiheni, shmangni kritikat ndaj vështirësisë që fëmija ka me ndarjen. Për shembull, shmangni shprehjet si "Vajzat e mira nuk bëjnë kështu" ose "Mos u bëj si bebe".
  • Lexoni libra ose krijoni histori me fëmijën tuaj për frikën e ndarjes - për shembull, 'Njëherë e një kohë, ishte një lepur i vogël që nuk donte të linte maminë e tij. Ai kishte frikë nga ajo që mund të gjente jashtë strofullës së tij...' Kjo mund ta ndihmojë fëmijën të ndiejë se nuk është i vetëm në frikën e ndarjes nga prindërit e tij.

Kur të kërkoj ndihmë profesionale për ankthin intensiv të ndarjes apo çrregullimin e ankthit të ndarjes?

Ju e njihni më mirë fëmijën tuaj. Nëse jeni të shqetësuar, sidomos në rastet e fëmijëve më të mëdhenj ose atyre me sjellje shumë intensive mund të kërkoni ndihmë profesionale nga mësuesit apo profesionistët e kujdesit shëndetësor.