Përse është e rëndësishme zgjidhja e problemeve?
Kur jeni prind, mënyra se si e menaxhoni çdo problem apo mosmarrëveshje në marrëdhënien tuaj, ndikon tek fëmijët tuaj.
Duke i menaxhuar problemet në mënyrë pozitive dhe konstruktive, ju mund t’i mbroni fëmijët tuaj nga anët negative të konfliktit. Kur ju dhe partneri/ja juaj gjeni zgjidhje së bashku, ju e ndihmoni të gjithë familjen të ketë marrëdhënie më të lumtur, më të shëndetshme dhe më të fortë.
Kjo ndodh sepse mënyra për zgjidhjen e problemeve mund t’ju ndihmojë ju dhe partnerin/en tuaj që:
- të ballafaqoheni me problemet, në vend që t’i shmangni ato.
- të flisni dhe dëgjoni me respekt dhe durim.
- të gjeni zgjidhje me të cilat jeni të dy të kënaqur.
- të ndjeheni sikur po punoni si ekip.
Kjo mënyrë gjithashtu mund t’iu mësojë fëmijëve tuaj aftësi të rëndësishme për jetën.
Rregullat bazë për zgjidhjen e problemeve
Para se të filloni me zgjidhjen e problemeve, është një ide e mirë të vendosni disa rregulla themelore. Po ashtu është mirë për ju dhe partnerin/en tuaj t’i krijoni së bashku rregullat themelore.
Këtu janë sugjerime lidhur me rregullat themelore për të filluar me zgjidhjen e problemeve:
- Secili prej jush mundet që në çdo kohë të shtrojë një problem për diskutim.
- Secili prej jush mund të thotë “jo” nëse nuk dëshiron të flasë për atë çështje në atë moment, por pranon të ndajë një kohë tjetër për ta diskutuar atë çështje - jo më shumë se një ditë pasi paraqitet fillimisht problemi.
- Nëse nxehet diskutimi, secili prej jush mund të bëjë thirrje për një “pushim” për t’u qetësuar.
- Shtjelloni problemet në një kohë dhe vend të mirë. Për shembull, bëjeni kur nuk janë fëmijët pranë, kur ka kohë të mjaftueshme për ta diskutuar çështjen, kur nuk ka kërkesa të tjera konkurruese si bërja e darkës dhe kur të dy jeni të qetë.
- Mundohuni të dëgjoni në mënyrë që të dy të kuptoni se çfarë po thotë personi tjetër.
- Pajtohuni me njëri-tjetrin që nuk do të ngrini tema konflikti ose nuk do të tregoni mosrespekt para njerëzve të tjerë.
- Mbani parasysh nëse njëri prej jush ka një problem, atëherë të dy keni një problem.
Zgjidhja e problemeve: hapat që duhen ndjekur
1. Përcaktoni problemin
Jini të qartë dhe specifikë për problemin:
- Përshkruani se çfarë po ndodh, sa shpesh po ndodh dhe kush është i përfshirë. Për shembull, “Në tre javët e fundit, më duket se kemi debatuar shumë më tepër se zakonisht”.
- Përqendrohuni te çështja, jo tek personi. Për shembull, “Ne gjithmonë bëjmë punë shtëpie ose i çojmë fëmijët në sport, dhe nuk kemi qenë në gjendje të pushojmë së bashku. Unë mendoj se kjo po ndikon në marrëdhënien tonë”.
- Pranoni rolin ose kontributin tuaj në raport me problemin. Për shembull, “E di, që i/e kam filluar unë i/e pari/a ato zënka”.
- Përshkruani problemin me një qasje neutrale, pa fajësim. Për ta bërë këtë, mund të provoni ta formuloni çështjen si pyetje. Për shembull, “A mund të flasim për mënyrën se si mund të gjejmë pak kohë për lidhjen tonë?”
2. Sqarojani njëri-tjetrit atë që dëshironi
Jini të qartë për atë që është e rëndësishme për secilin prej jush. Bëni pyetje për t’i sqaruar pozicionet tuaja. Për shembull:
- Pse është kaq e rëndësishme?
- Pse e doni/keni nevojë për këtë?
- Pse jeni i/e shqetësuar/i/e brengosur/i/e frikësuar për këtë?
- Pse nuk e do/nuk ke nevojë për këtë?
- Çfarë do të ishte kaq e tmerrshme për këtë?
Qëllimi juaj është të keni një kuptim të qartë të asaj që ju të dy e dëshironi. Jini të durueshëm dhe përqendrohuni në dëgjimin e përgjigjeve të njëri-tjetrit.
3. Shkëmbim idesh për zgjidhje
Shkruani çdo zgjidhje të mundshme. Këtu janë dhënë disa këshilla për të filluar me shkëmbimin e ideve:
- Flisni me radhë për të sugjeruar ide.
- Mundohuni të jepni sa më shumë ide që mundeni, edhe nëse disa nuk duken të rëndësishme. Synoni për të paktën 8-10 ide.
- Përfshini të gjitha idetë. Refuzimi i ideve mund t’i dëmtojë ndjenjat e njëri-tjetrit dhe t’jua ndalojë t’i ndani idetë tuaja.
- Prisni derisa t’i keni shpalosur të gjitha idetë tuaja para se të flisni për to.
4. Vlerësoni zgjidhjet dhe zgjidhni njërën prej tyre
Shikoni secilën zgjidhje në listën tuaj të shkëmbimit të ideve dhe kufizojeni atë në alternativa praktike, që mund ta zgjidhin problemin tuaj. Këtu janë dhënë disa këshilla që mund të ndihmojnë:
- Fshini idetë për të cilat të dy jeni dakord se nuk do të funksionojnë.
- Nëse njëri prej jush mendon se një ide mund të funksionojë, lereni atë në listë.
- Listoni avantazhet dhe disavantazhet për secilën ide që keni vënë në listë. Shikoni përparësitë së pari - përpiquni të gjeni diçka pozitive për secilën ide.
- Mbani diskutime të shkurtra në mënyrë që të keni kohë të mjaftueshme, për t’i diskutuar të gjitha idetë e mbetura në listë.
- Fshini çdo ide që qartë ka më shumë disavantazhe sesa përparësi.
- Vlerësoni opsionet e mbetura nga 1 (jo shumë të mira) deri në 10 (shumë të mira).
- Zgjidhni një zgjidhje që ju dhe partneri juaj jeni dakord ta provoni - mund të mos jetë zgjidhja juaj e preferuar, por duhet të jetë ajo me të cilën ju jeni të kënaqur.
Nëse nuk mund të gjeni një zgjidhje, përsëritni hapin e shkëmbimit të ideve dhe përpiquni të dilni me ide të ndryshme.
Nëse keni nevojë për ide të reja, mund të pyesni miqtë ose familjen e besuar. Por së pari kontrolloni me partnerin/en tuaj nëse ai ose ajo është në rregull me këtë. Partneri/ja juaj mund të preferojë t’i mbajë private disa çështje konflikti.
Nëse kjo ende nuk funksionon, ju të dy mund të bini dakord të provoni këtë radhë zgjidhjen tuaj, ndërsa herën tjetër zgjidhjen e partnerit/es tuaj.
5. Provoni zgjidhjen
Merrni një angazhim për zgjidhjen duke rënë dakord për sa vijon:
- Kush do të bëjë çfarë, kur dhe ku?
- Çfarë do të ndodhë nëse nuk i bëjmë gjërat për të cilat kemi rënë dakord?
- A duhet të mbajmë shënime se sa mirë funksionon zgjidhja jonë?
- Kur do të rishikojmë se si po funksonon zgjidhja?
Nëse zgjidhja juaj lidhet me fëmijët tuaj, merrni parasysh përfshirjen e tyre në testimin e zgjidhjes, nëse është e përshtatshme.
6. Rishikim
Pas një kohe të caktuar, shikoni zgjidhjen tuaj dhe flisni se si po shkon. Mund të bëni pyetje si:
- A funksionon zgjidhja?
- Çfarë ka funksionuar mirë? Çfarë nuk ka funksionuar?
- Çfarë mund të bëjmë, që gjërat të funksionojnë më mirë?
Nëse marrëveshja funksionon, të dy do të vini re se ka më pak konflikte. Nëse nuk ka, parashtrojani vetes këto pyetje:
- A ishte zgjidhja e arsyeshme?
- A dhamë, a fituam më shumë të dy?
- A ishin të qarta rregullat dhe përgjegjësitë për të dy?
- A u përdorën pasojat për prishjen e marrëveshjes dhe a ishin ato të përshtatshme?
- A kanë dalë çështje të tjera për të cilat duhet të flasim para se zgjidhja jonë të funksionojë?
Ju mund të zbuloni se duhet ta filloni përsëri procesin e zgjidhjes së problemeve për të gjetur një zgjidhje më të mirë.
Është normale të keni disa ulje dhe ngritje gjatë këtij procesi - prisni 1-2 javë që gjërat të funksionojnë.
Merrni ndihmë
Nëse përpjekja për t’i zgjidhur problemet ju shqetëson ose zemëron ju ose partnerin/en tuaj, mund t'ju ndihmojë të flisni me një këshillues/e çiftesh. Këshilluesit e marrëdhënieve mund t’ju ndihmojnë të identifikoni se çfarë po shkakton konflikt mes jush dhe të gjeni zgjidhje praktike.
Është mirë nëse ju dhe partneri juaj mund të shkoni së bashku tek këshilluesi i marrëdhënieve. Por nëse partneri/ja juaj nuk dëshiron të shkojë, përsëri ia vlen të kërkoni ndihmë, edhe nëse e bëni i vetëm/ e vetme.
Nëse jeni në një marrëdhënie që përfshin dhunën në familje, telefononi një linjë ndihme, kërkoni mbështetje dhe bëni gjithçka që duhet të bëni për të garantuar sigurinë tuaj dhe të fëmijëve tuaj.
|