Menaxhimi i konflikteve: për prindërit

Konflikti është një pjesë e natyrshme e marrëdhënieve midis partnerëve, veçanërisht kur përballeni me sfidat e prindërimit. Kur punoni së bashku në menaxhimin e konflikteve, ndërtoni marrëdhënie të lumtura dhe të shëndetshme dhe i mësoni fëmijëve tuaj aftësi të rëndësishme jetësore.
Body

Çfarë është konflikti?

Konflikti mund të variojë nga mosmarrëveshjet e vogla midis jush dhe partnerit tuaj, në debate, dhe deri në përplasje fizike. Konflikti mund të jetë gjithashtu në formën e heshtjes, zemërimit dhe armiqësisë së pakëndshme.

Ndonjëherë ju mund t’i zgjidhni konfliktet me partnerin tuaj shpejt. Në raste të tjera, mund të jetë e vështirë të gjenden zgjidhje.

Konflikti ndodh në një marrëdhënie - është normale. Gjëja më e rëndësishme është se si e trajtoni atë.

Përse është i rëndësishëm menaxhimi i konfliktit për familjen tuaj?

Menaxhimi konstruktiv i konfliktit është i mirë për ju, marrëdhëniet tuaja dhe fëmijët tuaj.

Mirë për ju dhe marrëdhënien tuaj
Kur ju dhe partneri juaj flisni për ndryshimet tuaja dhe gjeni zgjidhje me të cilat mund të jetoni të dy, me shumë mundësi do të ndiheni më pozitivë, të lumtur dhe të përkrahur. Marrëdhënia juaj do të jetë gjithashtu shumë më e fortë.

Mirë për fëmijët tuaj
Konflikti është një pjesë e jetës. Kur fëmijët tuaj shohin se jeni duke punuar së bashku në menaxhimin e konflikteve, kjo i ndihmon ata të mësojnë aftësi të vlefshme jetësore se si të negociojnë dhe zgjidhin problemet në mënyrë efektive. Po kështu kjo i ndihmon fëmijët tuaj të shohin tek ju optimizmin me të cilin i zgjidhni mosmarrëveshjet dhe pikëpamjet e ndryshme. 

Fëmijët preken negativisht në terma afatshkurtër dhe afatgjatë nga konflikti i shpeshtë, i vazhdueshëm, i manifestuar me zemërim ose dhunë. Duke punuar në menaxhimin e konflikteve, ju i mbroni fëmijët tuaj nga efektet negative të tyre.

Këshilla për menaxhimin e konflikteve!

Mbajini për vete

  • Shmangni zënkat në prani të fëmijëve tuaj.
  • Diskutimet e nxehta bëjini pas dyerve të mbyllura.
  • Gjeni kohën për të diskutuar problemet kur fëmijët nuk janë me ju - për shembull, pasi flenë fëmijët ose kur ata janë në shkollë ose tek gjyshërit.

Lërini fëmijët të shohin se i zgjidhni gjërat në mënyrë konstruktive

  • Flisni me radhë dhe dëgjoni njëri tjetrin.
  • Jini të sjellshëm dhe të respektueshëm.
  • Përpiquni t’i kuptoni ndjenjat ose këndvështrimin e partnerit tuaj. Ju nuk duhet të pajtoheni, por mund të përpiqeni të kuptoni pikësynimin e tij/saj.
  • Ndani ndjenjat tuaja me partnerin/en tuaj.
  • Merreni të mirëqenë se partneri/ja juaj dëshiron t’i zgjidhë gjërat po aq sa dëshironi edhe ju.
  • Ndani të njëjtin këndvështrim për zgjidhjen e problemeve, dhe shkëmbeni ide të ndryshme për zgjidhjen e tij.

Lërini fëmijët të kuptojnë se problemi nuk është te ata!

  • Mos mendoni se duhet t’iu tregoni fëmijëve tuaj se cili është problemi. Disa probleme janë vetëm për të rriturit.
  • Tregojini fëmijëve tuaj se zënka ose konflikti midis jush dhe partnerit/es tuaj nuk ka të bëjë me ta dhe se të rriturit po e zgjidhin atë.
  • Lërini fëmijët tuaj të dinë se ju po përpiqeni të gjeni një zgjidhje për problemin.
  • Inkurajoni partnerin tuaj të kalojë kohë të lumtur dhe pozitive me fëmijët tuaj.

Përqendrohuni në marrëdhëniet pozitive me fëmijët tuaj!

  • Ndani kohë për aktivitete argëtuese me fëmijët tuaj.
  • Jepini fëmijëve tuaj vëmendje pozitive, duke përfshirë lavdërime dhe inkurajim kur ata sillen në mënyrën që juve ju pëlqen.
  • Jepini fëmijëve tuaj përqafime dhe tregojini atyre që i doni - bëhuni të dashur.
  • Bisedoni me fëmijët tuaj për gjëra që i interesojnë atyre për atë çfarë po bëjnë dhe si ndjehen.
  • Sa herë që mundeni, ndaloni atë që po bëni, kështu që ju mund të ndihmoni, dëgjoni ose bisedoni me fëmijët tuaj.

Nëse jeni në një marrëdhënie që përfshin dhunën në familje, telefononi një linjë ndihmëse, kërkoni ndihmë dhe bëni çfarëdo që ju duhet të bëni për të garantuar sigurinë tuaj dhe të fëmijëve tuaj.

Si janë të prekur fëmijët nga konflikti mes prindërve?

Konflikti i prek fëmijët negativisht, kur prindërit grinden shumë dhe nuk i zgjidhin këndvështrimet e tyre të ndryshme. Sa më shumë zënka kanë prindërit, aq më shumë ato ndikojnë te fëmijët. Konflikti i rëndë dhe i shpeshtë mund të çojë në një rrezik më të lartë të problemeve emocionale, sociale dhe të sjelljes.

Për shembull, fëmijët më të vegjël mund t’i përgjigjen konfliktit, duke manifestuar inate ose duke u sjellë në mënyrë negative. Fëmijët e moshës shkollore kanë më shumë mundësi të jenë të pabindur dhe mund të kenë probleme në shkollë. Fëmijët më të rritur mund të përjetojnë probleme si depresioni, shqetësime dhe vetëbesimi i ulët ose mungesë besimi.

Konflikti mund të jetë veçanërisht i dëmshëm nëse përfshin abuzimin, kërcënimet ose zënkat për një fëmijë në prani të tij/saj. Dhuna fizike midis çifteve mund të jetë edhe më e dëmshme për fëmijët. Fëmijët që rriten duke parë dhunë fizike kanë më shumë mundësi të kenë probleme personale dhe sociale si të rritur.