Stresi dhe menaxhimi i tij: për të rriturit

Stresi është një reagim normal ndaj ndryshimeve dhe sfidave, si ato që rezultojnë nga të qenit prind. Disa strese mund të jenë të shëndetshme, por shumë mund të jenë të lodhshme. Nëse stresi paraqet problem për ju, është mirë të njiheni me disa teknika për menaxhimin e tij.
Body

Stresi: çfarë duhet të dini

Stresi është pjesë normale e jetës, diçka që të gjithë e përjetojnë.

Një masë e vogël e stresit mund të jetë e dobishme, duke ju dhënë motivim dhe fokus për t’i përballuar sfidat dhe për t’i përfunduar gjërat.

Por stresi i tepërt mund të jetë i lodhshëm, duke e bërë të vështirë përballimin e detyrave të përditshme. Nëse keni shumë stres, mund të përfundoni të sëmurë ose të mos jeni në gjendje të kujdeseni për fëmijët tuaj dhe të shijoni jetën e përditshme familjare.

Çfarë e shkakton stresin?

Ndryshimet në jetën tuaj, madje edhe ato pozitive, mund të jenë stresuese, veçanërisht nëse mendoni se nuk mund t’i përballoni. Për shembull, ardhja e një foshnje të re në familje është një ngjarje që ndryshon jetën - por edhe stresuese - për shumë njerëz.

Të ndiheni të pasigurt, të mos keni kontroll mbi mjedisin tuaj dhe të keni shumë për të bërë dhe kohë të pamjaftueshme për ta arritur atë, janë gjithashtu ndër shkaqet më të mëdha të stresit. Është e lehtë të shihet se si një foshnje e re mund ta krijojë këtë lloj stresi në jetën tuaj, ose një fëmijë i vogël që përjeton zemërim.  

Pastaj ka çështje të përditshme - për shembull, dalja juaj edhe e fëmijëve tuaj nga shtëpia për ta dërguar atë në shkollë dhe për të arritur në kohë në punë.

Shenjat që tregojnë se mund të jeni të stresuar

Nëse jeni të stresuar, trupi juaj me shumë mundësi do t’ju japë sinjale. Në një moment stresues, rrahjet e zemrës suaj mund të rriten, frymëmarrja juaj mund të bëhet më e shpejtë dhe muskujt tuaj mund të tensionohen.

Ndonjëherë këto reagime afatshkurtra të stresit mund t’ju ndihmojnë të përballeni me situata stresuese. Për shembull, ato mund të rrisin adrenalinën tuaj, për të kapur autobusin në kohë.

Por nëse vazhdoni me këtë shpejtësi, trupi juaj do të lodhet. Mund të përfundoni me dhimbje koke, probleme me gjumin, probleme me tretjen ose ndjenjën se thjesht nuk mund t’i përballoni gjërat. Kjo padyshim nuk është e mirë për shëndetin dhe mirëqenien tuaj.

Pra, është e rëndësishme të keni kujdes për shenjat e stresit. Mund të jeni të stresuar, nëse:

  • jeni duke u shqetësuar për absolutisht gjithçka.
  • jeni duke pirë tepër alkool, duhan ose barna.
  • e keni të vështirë të jeni tolerantë me partnerin/en ose fëmijët tuaj.
  • keni probleme me gjumin.
  • nuk ndiheni mirë - ndoshta keni dhimbje koke ose dhimbje të tjera.
  • nuk keni dëshirë të ngriheni nga shtrati në mëngjes.
  • keni mendime si “Unë kurrë nuk do të dal nga kjo rrëmujë”.
  • ndjenja se nuk po i menaxhoni gjërat praktike të përditshme, si rutinat dhe financat e familjes.

Këshilla të thjeshta për menaxhimin e stresit!

Njihuni me atë që ju shkakton stres
Nëse e dini se cilët janë shkaktarët tuaj të stresit, mund të jetë më e lehtë ta përballoni atë. Ju mund të jeni në gjendje t’i shmangni situatat stresuese, ose të përgatiteni për to. Një ushtrim i dobishëm është të shkruani atë që ju bën të ndiheni të stresuar.

Për shembull, kur fëmija juaj qan për një kohë të gjatë mund të jetë shumë stresuese për ju. Nëse është e rëndësishme për ju që të jeni në kohë, mund t’ju duket stresuese kur shihni se ora po kalon dhe fëmijët tuaj po lëvizin ngadalë. Nëse dëshironi një shtëpi të pastër dhe të rregullt, por nuk e keni më, kjo mund të jetë stresuese.

Të menduarit pozitivisht dhe të folurit me veten
Mendimet negative e bëjnë më të vështirë përballimin e gjërave stresuese - për shembull, në një situatë stresuese ju mund të mendoni: “Çfarë nuk është në rregull me mua? Unë jam duke humbur kontrollin“.

Por ju mund t`i ndryshoni mendimet negative në të menduarit dhe të folurit pozitivisht për veten tuaj, të cilat janë mënyra të mira për t’u përballur me stresin. Këto mënyra i shtojnë ndjenjat tuaja pozitive dhe rrjedhimisht edhe aftësinë tuaj për t’u përballur me situata stresuese.

Për të vënë në veprim të menduarit dhe të folurit pozitivisht me veten, provoni si më poshtë:

  • Sfidoni mendimet negative. Për shembull, fëmija juaj qan në supermarket. Ju mendoni, “Të gjithë do të mendojnë se jam një prind i keq”. Por ju mund të pyesni veten, “Si e di që njerëzit do ta mendojnë këtë?”, “A do ta mendoja këtë për dikë tjetër?”.
  • Bëhuni realistë. Për shembull, ju nuk mund të prisni që fëmija juaj të mos qajë kurrë në supermarket. Por ndoshta ju mund ta ndryshoni situatën, kështu që ai/ajo të ketë sa më pak mundësi për të qarë. A do të qante më pak fëmija juaj nëse do të bënit pazar në një kohë tjetër të ditës, ndoshta pasi të ketë fjetur gjumë?
  • Zhvilloni mendime pozitive, që do t’ia drejtoni vetes. Për shembull, ju mund t’i thoni vetes, “Pazari nuk do të zgjasë shumë - unë mund ta përballoj”, “Njerëzit përreth merren me punën e tyre - nuk po na shikojnë ne”, “Kujt i intereson se çfarë mendojnë të tjerët?”.
  • Njihni kufijtë tuaj. Nëse ndiheni të irrituar ose keni përvoja jo të këndshme, mund të jetë më mirë të përpiqeni ta shmangni burimin e stresit nëse është e mundur. Për shembull, provoni blerjet në internet nëse blerjet në supermarkete janë shumë të vështira për ju dhe fëmijën tuaj.

Sa më shumë që praktikoni mendime pozitive për veten, aq më automatike do të bëhen ato në jetën tuaj. Filloni ti praktikoni në një situatë që ju shkakton stres, dhe pastaj kaloni në një tjetër situatë.

Përqendrohuni në gjërat thelbësore
Stresi shpesh nënkupton që po përpiqeni të bëni shumë, prandaj përpiquni të vendosni objektiva realistë për ditën tuaj. Ju gjithashtu mund të shmangni marrjen e më shumë ngarkesave sesa mund të përballoni.

Bërja e një plani dhe të pasurit disa rutina familjare mund t’ju ndihmojë të ndiheni më mirë në realizimin e detyrave dhe në reduktimin e stresit.

Dhe nëse keni disa detyra të mëdha me të cilat duhet të merreni, ato mund të jenë më të menaxhueshme nëse i ndani në pjesë më të vogla. Ju gjithashtu mund të kërkoni ndihmë nga familja ose miqtë tuaj.

Qëndroni të lidhur me të tjerët
Biseda me partnerin/en ose mikun tuaj mund t’ju ndihmojë t’i mbani gjërat në kontroll. Nëse e keni të vështirë të flisni, mund të provoni të përdorni një ditar për të shkruar mendimet dhe ndjenjat tuaja.

Kalimi i kohës me miqtë mund të jetë gjithashtu një ndihmë e vërtetë. Edhe takimi për një kafe të shpejtë mund të jetë i mjaftueshëm, sepse ndarja e shqetësimeve mund t’ju bëjë të ndiheni të mbështetur dhe në gjendje më të mirë për të përballuar stresin.

Nëse keni kohë të kufizuar, lidhja me prindërit e tjerë përmes rrjeteve sociale apo edhe dërgimi i postave elektronike (e-mail) miqve mund t’ju ndihmojë të qëndroni në kontakt me njerëzit me të cilët ndani mendime të njëjta.

Jepini përparësi shëndetit fizik dhe emocional  
Nëse mundeni shmangni stimuluesit si cigaret, kafeinën, alkoolin gjërat që supozoni se do j'ua lehtësojnë gjendjen tuaj.

Kujdesuni për shëndetin tuaj fizik duke ngrënë mirë, duke bërë ushtrime dhe duke pushuar. Ndonjëherë një shëtitje e shpejtë përreth shtëpisë (lagjes) ose një gjumë i shpejtë mund të ndryshojë humorin tuaj.

Nëse e keni të vështirë të flini, mos shikoni televizor, mos kontrolloni e-mailet tuaja ose rrjetet sociale para se të shkoni në shtrat. Nëse zgjoheni gjatë natës, ngrihuni nga shtrati dhe lexoni diçka jo stimuluese derisa të ndiheni të përgjumur. Ju gjithashtu mund të provoni të meditoni për t'u relaksuar. Nëse stresi ose shqetësimi për një problem po ju mban zgjuar, mund t'ju ndihmojë nëse i shkruani shqetësimet tuaja dhe shikoni ato ditën tjetër.

Nëse jeni duke punuar me orë të gjata, mendoni nëse ka mënyra që mund të shkurtoni ose ta bëni punën më fleksibël.

Mund të jetë e lehtë të harroni për ti kushtuar kohë vetes tuaj. Bëni një listë të gjërave që ju pëlqejnë, qoftë leximi i revistave, shikimi i televizorit, kopshtarisë, blerjeve etj. Mundohuni çdo ditë të bëni një nga gjërat e shkruara në listë, ose çdo dy ditë, dhe veçanërisht në fundjavë. Argëtimi me partnerin/en dhe familjen tuaj mund të përfshihet në listën tuaj.

Pjesë e të kushtuarit kohë vetes tuaj mund të përfshijë të mësuarit e të thënit jo. Nëse ju duket e vështirë, mund të ndiqni një kurs mbi rritjen dhe forcimin e vetëbesimit. Kurse të tilla mund t’ju ndihmojnë me teknikat për të vendosur kufinj dhe për të thënë jo, pa u ndjerë në faj. Kërkoni në internet për të gjetur kurse pranë vendbanimit tuaj ose nëpërmjet internetit.

Humori bën mrekulli për të çliruar stresin. Duke parë anën pozitive të gjërave do t’ju bëjë të ndiheni shumë më mirë. Buzëqeshja dhe humori është një nga teknikat më të mira të relaksimit, ndërsa nëse e bëni veten të ndiheni mirë mund tju ndihmojë vërtet në reduktimin e niveleve të stresit. Provoni të flisni me një mik që ju bën të qeshni, ose shikoni një shfaqje humori në televizion. A e dini se nuk mund të ndiheni në ankth ndërsa jeni duke përjetuar gëzim?

Nëse stresi vazhdon

Nëse ende ndiheni shumë të stresuar çdo ditë, mund të jetë e dobishme të flisni me një profesionist të kujdesit shëndetësor, siç është mjeku juaj ose mund të kërkoni edhe këshillim nga një psikolog/e.

Stresi është shpesh rezultat i problemeve me menaxhimin e kohës ose probleme të tjera. Shqyrtimi i problemeve me një profesionist/e dhe shtjellimi i zgjidhjeve të mundshme mund të jetë një ndihmë e madhe.