Të qenit të vëmendshëm (mindfulness)!

Të qenit të vëmendshëm është t’i kushtoni vëmendje asaj që po ndodh tani, në këtë moment dhe në momentin pas tij. Të qenit të vëmendshëm mund të rrisë mirëqenien emocionale dhe fizike, dhe të ndihmojë me stresin, ankthin dhe depresionin. Të qenit të vëmendshëm mund t’i ndihmojë fëmijët teksa rriten të përballojnë stresin e studimeve, punës dhe lojës.
Body
Të qenit të vëmendshëm (mindfulness): parimet themelore

Mendjet tona janë vazhdimisht aktive. Ju mund të jeni duke parë televizor - por edhe duke menduar për të kaluarën, ose duke u shqetësuar për diçka, ose duke menduar se çfarë do të bëni për darkë.

Të qenit të vëmendshëm ka të bëjë me qetësimin e mendjes tuaj aktive. Kjo është përcaktuar në disa mënyra, duke përfshirë:

  • të kushtuarit vëmendjen tuaj të plotë të tashmes në çdo moment.
  • të kushtuarit vëmendje në një mënyrë të veçantë, me qëllim, momentit aktual, por pa ndonjë gjykim.

Ka të bëjë me të qenit të vëmendshëm për çdo moment që jetoni dhe përjetoni – ashtu siç ndodh. Mund të jetë një mënyrë e dobishme për ta qetësuar veten, duke u fokusuar dhe përqendruar në atë që po bëni.

Ju mund të jeni të vëmendshëm për botën tuaj të brendshme - për shembull, ndjesitë, frymëmarrjen dhe emocionet. Ose mund të përqendroheni në atë që është përreth jush - për shembull, pamjet, tingujt dhe aromat.

Mund të keni vëmendjen kudo dhe me çdo gjë. Për shembull, ndërsa jeni duke ngrënë, duke ecur, duke dëgjuar muzikë ose duke ndenjur.

Të qenit të vëmendshëm në përditshmëri

Ju mund t’i përdorni momentet e përditshme për të ndërtuar dhe praktikuar përqëndrimin. Sa më shumë të praktikoni, aq më shumë përfitime do të keni.

Ju gjithashtu mund ta inkurajoni fëmijën tuaj të jetë i vëmendshëm. Në shumë mënyra, kjo ka të bëjë me nxitjen e fëmijës tuaj për të qenë i/e përqëndruar në gjërat që ai/ajo i bën natyrshëm. Fëmijët e vegjël janë natyrisht të vëmendshëm sepse çdo përvojë e re është e freskët dhe emocionuese për ta. 

Inkurajimi i fëmijës tuaj për të përjetuar momentin i jep aftësinë të përballet me stresin e studimeve, punës dhe lojrave kur të rritet.

Ka shumë mënyra për të ndihmuar fëmijën tuaj të ndërtojë dhe praktikojë aftësinë e të qenit të vëmendshëm. Për shembull:

  • Ngjyrosja është një mënyrë e shkëlqyer për ta mbajtur fëmijën tuaj të përqëndruar në një detyrë.
  • Ecja në natyrë me familjen mund ta bëjë fëmijën tuaj të interesuar për të eksploruar bukurinë e natyrës. Fëmija juaj mund të mbledhë dhe analizojë gjethet e vjeshtës, ose mund të ndiejë rërën nën këmbë gjatë një shëtitje në plazh.
  • Fotografimi ose vizatimi i gjërave interesante ose të bukura - si një guaskë deti ose një insekt - e inkurajon fëmijën tuaj të shikojë nga afër detajet.
  • Kujdesi për një bimë të mbjellë e inkurajon fëmijën tuaj të shikojë dhe mësojë se si rriten bimët.
  • Dëgjimi i muzikës dhe përqendrimi në instrumente ose tekste muzikore është një mënyrë e shkëlqyer që fëmija juaj të përqendrohet në momentin pa u shpërqëndruar.
Meditimi i vëmendjes

Meditimi i vëmendjes është një lloj përqëndrimi shumë i fokusuar. Kjo kombinon meditimin, teknikat e frymëmarrjes dhe vëmendjen ndaj momentit aktual për t’ju ndihmuar të vini re mënyrën se si mendoni, ndiheni dhe veproni.

Ju mund të bëni meditim të vëmendjes me një instruktor/e, ose mund të përdorni një aplikacion ose CD për meditimin e vëmendjes.

Nëse ju ose fëmija juaj jeni të interesuar për këtë lloj meditimi, është e rëndësishme të mos përqendroheni në mendimet negative ose shqetësuese, ndërsa e bëni atë. Nëse mendoni se kjo mund të jetë një çështje që ju prek, një terapist me përvojë mund t’ju ndihmojë të kuptoni se si ju mendoni dhe t’ju ndihmojë të përqendroheni në mendimet pozitive.

Të qenit të vëmendshëm: dëshmitë shkencore

Ka dëshmi të qarta se praktikimi i të qenit të vëmendshëm mund të ketë përfitime shëndetësore për të rriturit.

Për shembull, studimet sugjerojnë që reduktimi i stresit i bazuar në përqëndrim (MBSR) mund të zvogëlojë stresin dhe të përmirësojë çështje të tjera të shëndetit mendor. Terapia njohëse e bazuar në përqëndrim (MBCT) mund t’i ndihmojë njerëzit me depresion të jenë mirë dhe t’i mbrojë ata që të mos bien përsëri në depresion. Mund të funksionojë po aq mirë sa një antidepresant.

Të qenit “i/e pranishëm/e” dhe më pak i/e shqetësuar mund të rrisë aftësitë shoqërore dhe suksesin akademik. Gjithashtu mund t’i ndihmojë njerëzit të menaxhojnë emocionet.

Ende nuk ka mjaftueshëm kërkime për përqëndrimin te fëmijët dhe adoleshentët, kështu që ne nuk e dimë sa mirë funksionon me ta. Por ka dëshmi në rritje që tregojnë se përqëndrimi ndihmon në të mësuarit, marrjen e vendimeve, inteligjencën emocionale, vetëbesimin dhe lidhjen me të tjerët.