Depresioni pas lindjes dhe partneri/ja juaj: si mund të ndihmoni

Jini të vëmendshëm ndaj shenjave të depresionit pas lindjes tek partneri juaj, përfshirë ndryshimet në emocione, të menduarit ose sjelljen e partneres tuaj. Nëse partnerja juaj merr ndihmë të hershme profesionale për PND, kjo mund të nënkuptojë një shërim më të shpejtë. Mbështetni partneren tuaj duke ndarë kujdesin për fëmijët dhe punët e shtëpisë, duke e dëgjuar dhe duke i bërë shoqëri asaj. Mos harroni të kujdesuni edhe për veten.
Body

Depresioni pas lindjes: vëzhgimi i shenjave

Edhe pse, lindja e një fëmije është përvojë e gëzueshme dhe emocionuese, është e zakonshme që të keni luhatje emocionale pas lindjes. Për shembull, mund të ndiheni të stresuar dhe të mbingarkuar ndërsa ju dhe partneri mësoni se si të kujdeseni për fëmijën tuaj - mund të përballeni me mungesën e gjumit dhe shumë më pak kohë për veten tuaj.

Por depresioni pas lindjes është më shumë se sa stres ose lodhje - zgjat më shumë se disa ditë dhe mund të jetë një problem serioz i shëndetit mendor.

Prandaj është e rëndësishme të keni kujdes për shenjat e depresionit pas lindjes tek partneri/ja juaj. Këto shenja mund të përfshijnë ndryshime në emocione, mendime, sjelljen dhe jetën shoqërore, si dhe mirëqenien e përgjithshme fizike. Dhe nëse partnerja juaj ka humor të rënë ose ka humbur interesin për gjërat që normalisht do të kënaqej, ju duhet ta merrni këtë shenjë shumë seriozisht.

Duke folur shpesh me partneren tuaj dhe duke pyetur se si ndihet ajo do t’ju ndihmojë të dyve që të jeni të vetëdijshëm për çdo ndryshim.

Nëse ndryshimet emocionale të partneres tuaj vazhdojnë për më shumë se dy javë dhe pengojnë jetën e përditshme, ju duhet ta ndihmoni atë që të marrë këshilla profesionale.

Nëse besoni se jeta e dikujt është në rrezik të menjëhershëm, telefononi shërbimet e urgjencës lokale ose shkoni në departamentin e urgjencës të spitalit tuaj lokal.

Mbështetje profesionale për depresionin pas lindjes

Depresioni pas lindjes mund të kërkojë kohë që të trajtohet. Mbështetja e hershme profesionale mund të ndihmojë partneren që të shërohet më shpejt.

Në të tilla raste ka shumë njerëz dhe shërbime që mund të ndihmojnë partneren dhe familjen tuaj, siç është mjeku juaj, infermieri/ja dhe qendra juaj shëndetësore lokale.

    Disa gra mund të hezitojnë që të kërkojnë ndihmë sepse janë të shqetësuara për atë që njerëzit e tjerë mund të mendojnë. Ato gjithashtu mund të sillen sikur kanë çdo gjë nën kontroll dhe nuk ka gjë për t'u shqetësuar. Të gjitha këto janë reagime normale. Sigurojeni partneren tuaj se do të jeni aty për ta mbështetur.

    Mbështetje emocionale për partneren e cila vuan nga depresioni pas lindjes

    Është e zakonshme që nënat e reja të ndihen emocionale kur kalojnë ndryshimet fizike dhe praktike të shtatzanisë dhe lindjes. Ju mund t'i jepni partneres tuaj shumë mbështetje vetëm duke e dëgjuar atë dhe duke e siguruar se gjërat do të përmirësohen.

    Gjithashtu, të kujdesesh për një fëmijë të ri është një punë e madhe. Është shumë kërkuese dhe e lodhshme. Pra, është me të vërtetë e rëndësishme të flisni me partneren tuaj për mënyrën se si ndihet, si dhe t'i tregoni asaj se ju vlerësoni punën e mrekullueshme që ajo po bën.

    Ju gjithashtu mund ta pranoni që ajo mund të jetë e lodhur. Për shembull, ju mund të thoni: 'Faleminderit që kujdesesh për fëmijën tonë. E di që është e vështirë dhe shpeherë lodhesh, dhe unë vlerësoj gjithçka që po bën '.

    Gjatë trajtimit mund të ketë disa vështirësi dhe pengesa. Ju mund ta siguroni partneren tuaj se vështirësitë janë pjesë e procesit dhe se ju do ta mbështesni atë ndërsa ajo i kapërcen ato.

    Mbështetje praktike për partneren tuaj që vuan nga depresioni pas lindjes

    Të gjithë prindërit e rinj kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje praktike, veçanërisht prindërit që përjetojnë depresion pas lindjes.

    Gjatë kësaj kohe ju mund të ndihmoni partneren tuaj në mënyra praktike të sugjeruara si më poshtë:

    • Ndani kujdesin për foshnjën tuaj dhe merrni ndihmë shtesë për fëmijën nëse mundeni. Kjo mund t'i japë partneres tuaj më shumë kohë për t'u kujdesur për veten.
    • Bëni më shumë punë në shtëpi. Nëse mund të bëni punët e shtëpisë pa j'ua kërkuar, do të thotë që partnerja nuk ka pse të shqetësohet edhe për këtë gjë.
    • Bëjini shoqëri partneres tuaj. Koha cilësore e çiftit dhe familjes do ta ndihmojë atë që të kalojë këtë periudhë. Ju mund të bëni gjëra të tilla si ecje në park, shëtitje etj.
    • Krijoni mundësi që dikush tjetër të jetë pranë saj, nëse ju nuk mundeni. Duhet të jetë dikush me të cilin partnerja juaj ndihet rehat duke kaluar kohë me të, si një i afërm ose një mik/e i/e ngushtë.
    • Pranoni ndihmë nga familja dhe miqtë. Ju gjithashtu mund t'i njoftoni familjarët se keni nevojë për mbështetje shtesë dhe sugjeroni se çfarë mund të bëjnë për të ndihmuar. Njerëzit shpesh e vlerësojnë kur ju kërkohet diçka specifike.
    • Ndihmoni partneren tuaj me takimet e saj. Për shembull, ju mund ta ndihmoni atë që të vendosë një orar për të takuar një mjek/e apo psikolog/e, ta shoqëroni atë në takim si dhe të kujdeseni ndërkohë për fëmijën.
    • Bëni kërkimin tuaj. Sa më shumë të mësoni për depresionin pas lindjes, aq më mirë mund të mbështetni partneren tuaj. Mund të pyesni profesionistët e kujdesit shëndetësor për më shumë informacion.
    • Festoni kur partnerja juaj ka përmirësime dhe ndihet më mirë. Për shembull, nëse vëreni se partnerja juaj po del më shpesh nga shtëpia, kujdesuni për foshnjën në mënyrë që ajo të qetësohet ose të pijë një kafe me një shoqe.

    Partnerja juaj mund të përjetojë ndjesi faji për situatën ku ju jeni, por ju duhet ta siguroni atë se mirëqenia e saj është e rëndësishme për ju dhe familjen tuaj.

    Si të kujdeseni për veten kur partnerja juaj vuan nga depresioni pas lindjes

    Ju mund të jeni të fokusuar në mirëqenien e partneres tuaj, por është gjithashtu e rëndësishme të merrni kohë edhe për veten tuaj. Nëse jeni mirë emocionalisht dhe fizikisht, do të jeni në gjendje më të mirë për të mbështetur partneren tuaj.

    Për shembull, mund të bëni ndonjë aktivitet fizik duke e nxjerrë fëmijën për një shëtitje. Kjo gjithashtu i jep partneres tuaj një pushim të vogël dhe ndoshta mundësinë për të pushuar apo për të fjetur.

    Ushqimi i shëndetshëm ju ndihmon ju dhe partneren tuaj të ndërtoni energjinë që ju nevojitet për t'u kujdesur për foshnjën dhe për të mbështetur njëri -tjetrin.  

    Mbështetja e një partneri që vuan nga depresioni mund të shkaktojë tendosje në marrëdhënie dhe të ndikojë në mirëqenien tuaj. Mund t'ju ndihmojë nëse ndani ndjenjat tuaja me një të afërm, mik apo profesionist të kujdesit shëndetësor.

    Burrat gjithashtu mund të përjetojnë depresion pas lindjes. Strategjitë e sugjeruara në këtë artikull mund të ndihmojnë si burrat ashtu edhe gratë që vuajnë nga depresioni pas lindjes. Kujdesi për veten mund të ndihmojë në zvogëlimin e këtij rreziku.