Si mund të menaxhojmë zemërimin: për prindërit

Ndonjëherë, të gjithë ndihen të zemëruar - zemërimi është normal. Por, nëse zemërohesh shumë ose e ke të vështirë ta kontrollosh veten kur je i/e zemëruar, është mirë të njihni disa teknika si mund të menaxhoni zemërimin që po ndjeni.
Body

Zemërimi dhe prindërit: çfarë duhet të dini

Zemërimi është një ndjenjë normale dhe njerëzore. Të gjithë prindërit mund të zemërohen në momente të caktuara.

Zemërimi gjithashtu mund të jetë një gjë e mirë. Ndonjëherë mund të të japë energji për të bërë diçka ose për të mbrojtur atë që beson. Të jesh i/e zemëruar dhe ta përballosh zemërimin në mënyrë pozitive dhe të shëndetshme, ju ndihmon që t'i jepni fëmijës një shembull të mirë. Për shembull, në momentet që jeni i/e zemëruar nëse në vend që të shpërtheni, zgjidhni të merrni frymë thellë dhe të vetë-qetësoheni, ju i tregoni fëmijëve se si të sillen.

Por zemërimi mund të jetë edhe negativ, sidomos nëse ndodh shpesh ose situata del jashtë kontrollit. Po të humbësh durimin kur je i/e zemëruar, mund t'i keqësosh problemet dhe të nxisësh konflikte me të tjerët. Kur nuk i jep kohë vetes për t'u qetësuar, mund të thuash ose të bësh gjëra të papërshtatshme të cilat nuk mund t'i tërhiqni mbrapsht.

Është e frikshme për fëmijët nëse e gjejnë vetem në situata ku ka shumë konflikte dhe të bërtitura.

Nëse e keni të vështirë të kontrolloni veten kur jeni të zemëruar, mund t'ju ndihmojë nëse kontaktoni një profesionist të kujdesit shëndetësor.

Pse ndonjëherë prindërit ndihen të zemëruar?

Si prind, ndoshta po ekuilibroni shumë kërkesa të ndryshme, duke përfshirë punën, kohën familjare, punët e shtëpisë, aktivitetet e fëmijëve dhe aktivitetet shoqërore. Kur jeni i/e ngarkuar dhe i/e lodhur, është e lehtë të humbisni durimin dhe të ndjeni zemërim kur fëmijët nuk bashkëpunojnë ose gjërat nuk shkojnë sipas planit.

Ndonjëherë mund të ndiheni të zemëruar apo të inatosur edhe me parnerin tuaj, kur nuk bini dakord për prindërimin, disiplinën dhe kush bën punët e shtëpisë. Këto lloj mosmarrëveshjesh mund të çojnë madje në konflikte, sidomos nëse ndiheni të kufizuar apo të pakuptuar.

Ndonjëherë vetë zemërimi ose këmbëngula e fëmijës mund t'ju bëje edhe juve të zemëruar. Për shembull, nëse fëmija zemërohet dhe flet ashpër ose nuk do të bëjë siç ju i thoni, në të tilla momente mund të ndjeni dhe ju zemërim. Mund të ndodh që të reagoni në çast dhe pendoheni më vonë.

Ka edhe faktorë të tjerë që mund t'ju bëjnë më të prirur të ndiheni të zemëruar – si sëmundja, stresi në punë, vështirësitë financiare, mungesa e gjumit dhe e kohës së mjaftueshme për veten tuaj. Ndonjëherë mund të ndjeni se "nuk po mundeni më".

Për disa njerëz, prindërimi mund të nxisë ndjenja të pazgjidhura zemërimi ose ndjenja të fshehura që nga fëmijëria e tyre. Nëse keni përjetuar traumë, abuzim ose neglizhencë kur keni qenë fëmijë, ka më shumë të ngjarë të silleni në mënyrë të tepruar në disa situata ose të keni vështirësi për t'u vetë-kontrolluar kur jeni të zemëruar.

Të sapolindurit dhe foshnjat kanë muskuj shumë të dobët të qafës për të mbajtur kokat e tyre. Tundja e dhunshme e një foshnje – ose goditja, shqelmimi apo hedhja e tij/saj – mund të rezultojë në vdekje, paaftësi ose dëmtim serioz.

Njohja e shenjave të zemërimit

Mund t'ju duket që thjesht shpërtheni në zemërim pa paralajmërim, por në të vërtetë trupi ju jep disa sinjale paraprake. Kur t'i njihni këto shenja, mund të merrni masa edhe që të kontrolloni zemërimin tuaj.

Shenjat e para të zemërimit përfshijnë:

  • rrahje më të shpejta të zemrës.
  • ndjesi djegie në stomak
  • axhitim - kur ndjeni zemërim apo irritim
  • frymëmarrje më të shpejtë
  • shpatulla të tendosura
  • nofulla dhe duar të shtrënguara
  • djersitje.

Mendime negative
Të menduarit negativ është shumë i zakonshëm kur zemërohesh, por edhe mund të të përkeqësojë zemërimin.

Për shembull, mund të keni pasur një ditë të vështirë në punë dhe të ndihesh i/e stresuar. Kur i merrni fëmijët nga shkolla, ata fillojnë të grinden në ndenjësen e pasme, gjë që të bën të ndjesh zemërim dhe stres. Pasi ktheheni në shtëpi, ata refuzojnë të nxjerrin kutitë e drekës dhe t'i heqin çantat, kështu që ndjesitë tuaja të irritimit dhe zemërimit rriten.

Ja disa mendime negative që mund të keni në këtë situatë:

  • 'Askush nuk më ndihmon - unë duhet të bëj gjithçka vetë.'
  • 'Fëmijët e mi nuk më dëgjojnë.'
  • 'Po të silleshit më mirë, nuk do të ndihesha kaq i/e zemëruar.'
  • 'Pse do të më mërzisësh?'

Nëse vëreni mendime si këto, është një sinjal që duhet të ndaloni dhe të bëni diçka për t'u qetësuar para se të humbisni durimin dhe të shpërtheni me zemërim.

Ide të thjeshta për menaxhimin e zemërimit

Hapi 1: identifikoje zemërimin
Hapi i parë për ta kontrolluar zemërimin është që të vini re shenjat e hershme. Është shumë e rëndësishme të dalloni dhe ta pranoni kur ju jeni i/e zemëruar, qoftë edhe vetëm vetes tuaj. Për shembull, 'kjo po më zemëron' ose 'ndjej që po filloj të zemërohem'.

Hapi 2: përpiqu të qetësohesh
Kur vëren shenjat e para të zemërimit, mund të bësh disa gjëra që të fillosh të qetësohesh. Ja disa ide:

  • Merrni frymë thellë, mbajeni atë dhe nxirreni. Përpiqu të ngadalësosh frymëmarrjen.
  • Bëj diçka që të qetëson, si të dëgjosh pak muzikë, të shfletosh një revistë ose thjesht të shikosh nga dritarja.
  • Dil jashtë për një vrapim ose për të ecur.
  • Bëj një dush të ngrohtë.
  • Shko diku qetë për disa minuta.

Shenjat që tregojnë se po qetësoheni përfshijnë ngadalësimin e ritmit të zemrës dhe shplodhjen e muskujve.

Hapi 3: medito për situatën
Nëse mendon se je qetësuar, mund të jetë një ide e mirë të reflektosh për situatën dhe të mendosh për atë që sapo ka ndodhur. Kjo mund të të ndihmojë të mësosh nga përvoja dhe të përballosh më mirë situata të ngjashme në të ardhmen. Pyet veten:

  • Sa e rëndësishme është kjo? Pse u mërzita kaq shumë për këtë gjë?'
  • 'Si dua ta zgjidh këtë situatë?'
  • 'A duhet të bëj diçka për këtë, apo mund ta lë të zgjidhet natyrshëm?'

Është një ide e shkëlqyer t'u tregosh fëmijëve ose partnerit se si ndihesh dhe çfarë po bën për këtë. Kjo gjithashtu ju tregon atyre një mënyrë më të mirë për të drejtuar zemërimin e tyre. Për shembull, 'Ndihem e zemëruar. Duhet të dal jashtë që të qetësohem për një minutë para se të flasim për këtë temë'.

Krijimi i një shembulli të mirë për fëmijët

Nëse kërkoni ndjesë që u zemëruat, fëmijët mund të kuptojnë se zemërimi nuk është i pranueshëm. Por është në rregull të ndihemi të zemëruar – thjesht nuk është në rregull të bërtisni.

Prandaj është më mirë të thoni më fal që keni bërtitur apo që keni humbur durimin. Kjo j'u tregon fëmijëve se është në rregull të ndihen ndonjëherë të zemëruar. E rëndësishme është të gjejmë mënyra të shëndetshme për ta përballuar zemërimin.

Çfarë mund të bëni kur nuk e menaxhoni mirë zemërimin?
Do të ketë gjithmonë raste kur nuk mund ta menaxhoni mirë zemërimin, dhe si rezultat mund të bërtisni apo të thoni gjëra që më pas mund të pendoheni. Kjo është normale.

Kur kjo të ndodhë, është një ide e mirë të merrni një moment për të kuptuar se çfarë mund t'ju thoni fëmijëve ose partnerit. Ja disa ide:

  • 'Më vjen keq që humba durimin. Herën tjetër do mundohem që fillimisht të qetësohem!'
  • 'Më vjen keq që bërtita. A mund të flasim për atë që sapo ndodhi?'
  • 'Më vjen keq. Nuk duhej ta kisha thënë këtë, edhe pse isha i/e zemëruar. Duhej të isha larguar dhe të qetësohesha përpara se të flisnim.'

Ndjenjat rriten kur je i/e lodhur dhe i/e stresuar. Kujdesi për veten mund t'ju ndihmojë të ndiheni më të qetë dhe më të aftë për të zgjidhur problemet me fëmijët tuaj, si dhe me partnerin, familjen dhe miqtë tuaj.