Depresioni perinatal te femrat (periudha e shtatzënisë dhe pas lindjes)

“Shenjat e depresionit antenatal ose postnatal përfshijnë ndryshime emocionale negative, që zgjasin më shumë se dy javë gjatë shtatzënisë ose pas lindjes. Nëse mendoni se mund të keni depresion antenatal ose postnatal, atëherë vizitoni mjekun tuaj. Profesionisti/ja shëndetësor mund t’ju ndihmojë të gjeni trajtimin e duhur për depresionin para lindjes ose pas lindjes. Mbështetja e familjes dhe miqve mund t’ju ndihmojë në menaxhimin e simptomave të depresionit”.
Body

Depresioni perinatal (periudha e shtatzënisë dhe ajo pas lindjes): çfarë është?

Depresioni perinatal ka dy forma - depresioni që shfaqet gjatë shtatzënisë dhe depresioni që shfaqet pas lindjes. Të dyja janë serioze dhe përfshijnë ndryshime negative emocionale që zgjasin më shumë se dy javë dhe ju pengojnë të bëni gjërat që dëshironi t’i bëni në jetën tuaj të përditshme.

Ato kanë të njëjtat simptoma dhe trajtohen në të njëjtën mënyrë. I vetmi ndryshim midis tyre është koha e përgjigjes ndaj trajntimit. Në çdo rast, të dyja format e depresionit janë më shumë se ndryshime emocionale, që mund t’i prisni gjatë shtatzënisë dhe menjëherë pas lindjes së fëmijës. Për shembull, femrat shtatzëna mund të presin që të ndihen mjaft emocionale, ndërsa kalojnë në ndryshime të mëdha fizike dhe praktike gjatë asaj kohe. Nënat e reja mund të përjetojnë depresion të lehtë disa ditë pas lindjes.

Të dyja format e ndryshimit emocional nuk zgjasin shumë. Ju mund të keni dëgjuar se depresioni antenatal dhe postnatal, ndonjëherë referohen bashkërisht si depresioni perinatal. Nëse ju ose partneri juaj po përjetoni simptoma të depresionit, atëherë ju keni nevojë për ndihmë profesionale dhe mbështetje familjare. Është e rëndësishme t’i njihni sa më herët shenjat dhe simptomat e depresionit.

Simptomat e depresionit perinatal

Depresioni perinatal mund të ndryshojë nga personi në person. Nëse keni qenë në humor të keq ose nervoz ose keni humbur interesin për gjërat që normalisht ju pëlqejnë, kjo duhet të merret seriozisht. Ju gjithashtu mund të vini re ndryshime në emocionet dhe të menduarit tuaj, sjelljen dhe jetën shoqërore dhe mirëqenien e përgjithshme fizike, të cilat janë renditur më poshtë. Nëse ndjeni ndonjë nga ndryshimet e mëposhtme për më shumë se dy javë, është e rëndësishme të kërkoni mbështetje profesionale. Është gjithashtu e rëndësishme t’i tregoni mjekut tuaj dhe të konsultoheni me një profesionist të shëndetit mendor nëse keni pasur një sëmundje mendore në të kaluarën. Sëmundjet mendore të mëparshme mund të rikthehen në shtatzëni.

Ndryshimet emocionale

Mund të vini re që:

  • nuk jeni në humor të mirë për një kohë të gjatë
  • qani shpesh ose jeni të mërzitur
  • keni mungesë vetëbesimi
  • jeni të zemëruar ose të pushtuar nga frika
  • jeni të vetmuar ose frikësuar për të qëndruar vetëm me foshnjën.

Ndryshime në të menduarit

Ju shfaqen mendime me përmbajtje:

  • se gjithçka po shkon mbrapsht
  • se është i gjithë faji juaj ose jeni të pavlefshëm ose të pasuksesshëm dhe se fëmija juaj do jetë më mirë me dikë tjetër “Unë nuk mund ta bëj këtë” ose “Unë nuk mund ta përballoj këtë”.
  • po humbisni aftësinë për të menduar dhe marrë vendime,
  • përqendrimi juaj bie
  • ju mendoni se fëmija juaj nuk ju do
  • mendoni se do ta lëndoni veten ose fëmijën tuaj.

Ndryshimet e sjelljes dhe ndryshimet sociale

Mund të ndodhë që:

  • ju ta humbisni interesin për aktivitetet që zakonisht ju pëlqejnë.
  • e keni të vështirë të lëvizni përreth.
  • të keni vështirë me aktivitetet e përditshme (gatimi, pazari)
  • të largoheni nga miqtë dhe anëtarët e familjes.
  • ju nuk kujdeseni për shtëpinë tuaj.

Ndryshimet fizike

Ju mund të keni:

  • probleme me gjumin - pagjumësi ose gjumë i tepruar.
  • ndryshime në oreks - nuk hani mjaftueshëm ose hani shumë.
  • nivel të ulët të energjisë.

Më pak femra i përjetojnë shenjat e para të depresionit në javët e para pas lindjes. Nëse jeni të shqetësuar se ju ose partneri juaj po mendoni ose silleni ndryshe nga mënyra e zakonshme, sa më shpejt që është e mundur bisedoni me mjekun tuaj dhe konsultohuni gjithashtu me një psikolog/e.

Nëse keni ide se po e lëndoni veten ose një anëtar të familjes, kontaktoni menjëherë mjekun tuaj për ndihmë.

Marrja e ndihmës për depresionin perinatal

Nëse mendoni se mund të keni depresion perinatal, ndihma e hershme profesionale është e rëndësishme. Mjeku juaj mund t’ju referojë te specialistët që mund t’ju ndihmojnë. Marrja e mbështetjes së duhur do t’ju ndihmojë t’i menaxhoni simptomat tuaja dhe së shpejti të ndiheni më mirë.

Disa nëna mund të mendojnë se të kërkosh ndihmë do të thotë të ndahen nga foshnja e tyre. Por shërbimet shëndetësore janë aty për t’ju ndihmuar të rikuperoheni në mënyrë që të mund të lidheni me foshnjen tuaj dhe të jeni prindi që dëshironi të jeni.

Trajtimi i depresionit perinatal

Ka shumë mundësi trajtimi nëse keni simptoma të depresionit perinatal. Profesionisti i shëndetit mendor (psikolog/terapist/psikiatër) do të diskutojë me ju një plan mjekimi, që i përshtatet rrethanave personale dhe moshës tuaj, si dhe llojit dhe ashpërsisë së depresionit tuaj. Për shumë njerëz, medikamentet e përdorura së bashku me terapinë psikologjike mund të funksionojnë shumë mirë.

Pranimi në spital

Nuk është e pazakontë që nënat e reja të shtrohen në spital për shkak të depresionit perinatal. Profesionistët e kujdesit shëndetësor mund ta konsiderojnë pranimin e tyre në spital nëse ato kanë një dëshirë të fortë për të kryer vetëvrasje ose mendojnë ta lëndojë veten ose foshnjen e tyre. Duhet të kontaktoni menjëherë mjekun tuaj ose departamentin e urgjencës së spitalit tuaj lokal. Mjekët dhe stafi i spitalit mund t’ju japin ndihmën dhe mbështetjen që ju nevojitet.

Strategjitë praktike të ndihmës

Nëse ju ose dikush afër jush ka depresion perinatal, këtu janë dhënë disa strategji për tju ndihmuar

Mbështetja emocionale

Marrja e mbështetjes emocionale nga partneri, familja dhe miqtë tuaj është një mënyrë e rëndësishme për të përballuar depresionin perinatal. Biseda me dikë që mund të kuptojë se si ndiheni mund t’ju ndihmojë t’i menaxhoni disa nga simptomat. Një grup prindërish, dhomë lojërash ose terapia në grup mund të jetë një burim tjetër i mbështetjes emocionale. Në këto grupe mund të takoni njerëz të tjerë, me të cilët do të ndani përvojat tuaja.

Ndihma në shtëpi

Partneri, familja dhe miqtë e ngushtë mund t’ju ofrojnë ndihmë praktike në shtëpi. Është mirë t’i kërkoni dikujt që keni besim që të vijë rregullisht dhe tju ndihmojë në punët e shtëpisë ose në kujdesin e fëmijëve. Ndihma në shtëpi ju jep mundësinë të pushoni, të flini gjumë ose të bëni diçka relaksuese. Është gjithashtu një burim i mirë socializimi, i cili është i rëndësishëm për rikuperimin tuaj. Nuk ka nevojë të ndiheni në faj për kërkimin e kësaj ndihme. Shumë pëlqejnë të ndihmojnë dhe do të jenë të lumtur, nëse iu kërkoni të bëjnë diçka konkrete.

Kujdesuni për veten

Mirëqenia juaj emocionale dhe shëndeti juaj fizik janë të lidhura drejtpërsëdrejti.

Në të dyja rastet, mund të veproni si më poshtë:

  • bëni ushtrime rregullisht.
  • gjeni një mënyrë të mirë për të planifikuar ditën tuaj.
  • ushqehuni mirë - mbani gati disa ushqime të thjeshta, siç janë frutat, kosi, buka integrale dhe perimet e freskëta të prera gati për t’u ngrënë.
  • përpiquni të pushoni - flini ndërsa foshnja është duke fjetur, shkoni në shtrat herët dhe flini sa herë që mundeni.

Meshkujt gjithashtu përjetojnë depresion perinatal. Në fakt, 1 në 10 burra përjetojnë depresion gjatë shtatzënisë ose pas lindjes së një fëmije.