Si t’i zbuloni vështirësitë perinatale (pas lindje) të prindërve!?

Është normale që nënat dhe baballarët të jenë shumë emocionalë pas lindjes së fëmijës. Ndryshimet hormonale, mungesa e gjumit, përshtatja në jetë me të porsalindurin, si dhe pritshmëritë e tyre dhe të tjerëve në lidhje me rolin e tyre të ri prindëror mund të kërkojë shumë përkushtim. Shumica dërrmuese e femrave kalojnë nëpër një periudhë të ndryshimeve të papritura të humorit, që janë të vështira për t’u shpjeguar në ditët e para pas lindjes.
Body

Problem e shëndetit mendor të prindërve

Shëndeti fizik dhe mendor i nënës dhe babait gjatë shtatzënisë, madje edhe para asaj periudhe, paraqet themelet fillestare për një fëmijë të vogël që të lulëzojë me sukses. Sistemi shëndetësor shpesh është më i fokusuar në testet mjekësore, siç janë matja e tensionit të gjakut dhe pesha trupore e femrave shtatzëna dhe nënave, sesa në shëndetin mendor dhe mirëqenien e nënës dhe partnerit të saj, siç janë zbulimi i tensionit, ankthit, agjitacionit, rritjes së shqetësimit, stresit dhe depresionit/gjendjes depresive, mendimeve dhe reagimeve.

Problemet e shëndetit mendor të prindërve dallohen bazuar në sjelljet e mëposhtme:

  • Zhvillimi i një marrëdhënie me foshnjen (aftësia e nënës dhe babait për t’u lidhur emocionalisht me fëmijën, për të krijuar një marrëdhënie, “lidhje”, për t’u gëzuar kur i shohin reagimet dhe aktivitetet e para të foshnjes) është e vështirë për t’u arritur.
  • Marrëdhëniet me partnerin/en dhe me anëtarët e tjerë të familjes po ndryshojnë.
  • Prindërit e kanë të vështirë ose pothuajse të pamundur t’i “dëgjojnë” dhe t’i përgjigjen nevojave të foshnjes (për lëvizjet e tij/saj dhe sinjalet që ai/ajo fillimisht i jep vetëm duke qarë, ndërsa prindërve në depresion të gjitha të qarat iu duken njësoj).
  • Prindërit kanë vështirësi të ndjekin dhe të kuptojnë se çfarë mund të bëjë dhe për çfarë është e aftë foshnja e tyre – në varësi të moshës, si dhe fazës së zhvillimit të fëmijës, motivimit të tij/saj (nëna ose babai në depresion nuk mund ta kuptojnë pse një foshnje një muajshe nuk i lejon ata të flenë gjatë natës pa ndërprerje dhe mund të mendojnë se foshnja qan qëllimisht).
  • Prindërit nuk janë në gjendje ta shohin foshnjën në një kontekst pozitiv.
  • Ata nuk janë në gjendje të vlerësojnë nevojat e foshnjes së tyre në aspektin e shëndetit, sigurisë dhe kujdesit.
  • Ata nuk janë në gjendje të tolerojnë mjedisin e drejtpërdrejtë, janë apatikë, nuk shfaqin reagime emocionale në kontaktin me foshnjen e tyre. 

Nëse ju jeni nëna ose babai i një foshnje të porsalindur, nëse jeni të mërzitur, të shqetësuar, të zemëruar, keni ndjenja të fajit ose të mungesës së shpresës për më shumë se disa javë pas lindjes, kjo mund të manifestojë depresionin pas lindjes ose ndonjë çrregullim tjetër mendor perinatal. Disa femra dhe meshkuj raportojnë se nuk ndjejnë ndonjë gëzim apo entuziasëm për shkak të lindjes së foshnjes dhe nuk i gëzojnë më gjërat që i pëlqenin. Edhe pse babai dhe nëna përshtaten mirë në fillim, problemet mund të shfaqen më vonë. Depresioni pas lindjes shfaqet më vonë, shpesh midis muajit të tretë dhe të gjashtë pas lindjes. 
Përdorni disa nga pyetjet e mëposhtme për të përcaktuar nëse ekziston rreziku i zhvillimit të vështirësive perinatale:
1) Gjatë muajit të kaluar, a keni qenë shpesh të shqetësuar nga humori i ulët, depresioni apo ndjenjat e mungesës së shpresës?
2) Gjatë muajit të kaluar, a keni ndjerë shpesh se nuk keni interes për asgjë, ose nuk keni qenë të kënaqur me kryerjen e aktiviteteve të përditshme?
3) A ekziston diçka për të cilën mendoni se keni nevojë për ndihmë?

Nëse përgjigja për të tre pyetjet është PO, kontaktoni mjekun tuaj për t'ju referuar edhe te një psikolog ose psikoterapist.

Mbështetja psikologjike dhe edukative gjatë periudhës së lindjes (para lindjes së foshnjes) mund t’i përgatisë nënat dhe baballarët për prindërimin, t’i inkurajojë pritshmëritë realiste, të diskutojë me ta se si foshnja do të ndryshojë jetën e tyre dhe jetën familjare, nëse ata tashmë kanë një fëmijë (më shumë fëmijë).   

Çfarë mund t’ju ndihmojë t’i tejkaloni vështirësitë: 

  • Rritja e mbështetjes familjare - mund të jetë shumë e dobishme nëse bashkëshorti ose një i afërm tjetër siguron mbështetje duke marrë përsipër disa nga përgjegjësitë (pazarin ushqimor, gatimin, kujdesin për fëmijët e tjerë në familje...).
  • Nëna ose babai (ose të dy) mund të bëhen pjesë në grupet mbështetëse për prindërit e foshnjave të porsalindur (nëse është e mundur në një qendër shëndetësore ose në një institucion tjetër).
  • Pjesëmarrja në aktivitetet e organizuara nga shkollat e prindërimit, duke filluar nga tremujori i dytë i shtatzënisë.
  • Ushtrimet fizike, vrapimi, ecje të shpejta, duke marrë foshnjen për një shëtitje ose një udhëtim me prindër të tjerë, pushim të mirë dhe një dietë të shëndetshme.
  • Referimi i prindërve te mjeku i zgjedhur për një kontroll shëndetësor të plotë, monitorim dhe trajtim, sipas nevojës.