Frika nga larja/banja?

"Foshnjave të sapolindura ndonjëherë nuk u pëlqen të lahen. Fëmijët pak më të rritur mund të kenë frikë nga larja/banja. Prandaj, është e rëndësishme që i sapolinduri të lahet ngadalë, butësisht, duke e vlerësuar si një mundësi për t'u kënaqur dhe për t'u çlodhur. Luani, lëreni ujin të kujdeset për trupin e foshnjës, lejojeni foshnjën të ndiejë ato rreze të lehta të ujit dhe valëzimet që formohen ndërsa lëshoni ngadalë ujin përreth foshnjës. Ofroni një shumëllojshmëri lojërash për t'u çlodhur, për t'u kënaqur me foshnjën dhe për të stimuluar ndjenjat e këndshme. Jini gjithmonë të kujdesshëm dhe vëzhgoni me kujdes se si sillet dhe luan fëmija kur lahet".
Body

Si lind frika nga larja/banja?

  • Një foshnjë e sapolindur mund të ketë frikë se mos humbet kontrollin.
  • Fëmijët pak më të rritur mund të tremben nga zhurma e ujit, nga lagia e flokëve dhe e kokës së tyre ose nga fshirja me peshqir pas larjes/banjës.

Si të parandalohet parehatia dhe frika nga larja:

  • Ndiqni me kujdes sinjalet  dhe mos e lani nëse shihni se foshnja ndihet e pasigurt, grindet dhe nuk ndihet mirë.
  • Bëni të mundur që foshnja juaj të fitojë një ndjenjë sigurie:
    • zgjidhni një vaskë (legen, govatë) më të vogël dhe mos hidhni shumë ujë në fillim,
    • rregulloni temperaturën e ujit,
    • mbështeteni mirë pjesën e prapme të qafës dhe të kokës së fëmijës dhe ruajeni kontaktin me sy,
    • gradualisht,  futeni trupin në ujë në mënyrë që lëkura e tij të vihet në kontakt me ujin dhe prisni që foshnja ta ndiejë dhe ta pranojë ngrohtësinë,  
    • masazhojani stomakun për ta mbajtur trupin të ngrohtë,
    • mos hidhni ujë në fytyrën dhe hundën e fëmijës, por përkundrazi lajani me dorën tuaj,
  • Flisni me foshnjën, këndoni, derdhni ujë mbi trupin e tij/saj me lëvizje të lehta.

Po sikur fëmija të dalë nga vaska?

  • Pak nga pak, bëjeni larjen e fëmijës në një vaskë më të madhe - duke rritur nivelin e ujit ngadalë.
  • Vendoseni vaskën e vogël në një vaskë të madhe (në vaskën ku bëni dush ju), lëreni fëmijën të mësohet me përmasat e reja.
  • Lahuni së bashku me fëmijën, vendoseni fëmijën në prehër ose mes këmbëve tuaja për ta bërë të ndihet i sigurt.
  • Ngjitni ngjitëset e gomës në fund të vaskave për të parandaluar rrëshqitjen.
  • Nxirreni fëmijën nga vaska/madje edhe nga banja para se ta derdhni ujin, në mënyrë që fëmija të mos frikësohet nga zhurma e krijuar nga derdhja e ujit.
  • Nëse fëmija ka frikë se shampoja do të hyjë në sytë e tij/saj, lajani kokën me shumë kujdes dhe vendosini mbrojtjëse mbi sytë e tij  ose përdorni shampo për bebe që nuk i dëmton sytë e tij/saj.

Bëni aktivitete zbavitëse gjatë kohës së larjes dhe luani së bashku!

Mund ta minimizoni ose ta eliminoni frikën e larjes nëse e shihni si njç kohë argëtimi për fëmijën dhe për ju:

  • Merrni lodra të veçanta për lojëra uji (ngjyra natyrale uji, lodra për spërkatje, derdhje, zhytje etj.). Lëreni fëmijën të zgjedhë një lojë të re me flluska ose një lodër të veçantë.
  • Larja e përbashkët edhe me fëmijët e tjerë të familjes është zbavitëse; duke luajtur dhe duke e shijuar shfaqjen së bashku do të zvogëlohet frika e foshnjës për t'u larë.
  • Mendojeni kohën e larjes si kohë të përbashkët me fëmijën. Këndoni, tregoni histori., gëzoni së bashku
  • Koha e larjes/e banjës është një mundësi për fëmijën të lajë lodrat ose kukullat e dashura. e ndihmon fëmijën të kuptojë domethënien dhe rëndësinë e larjes.
  • Fëmija mund të zgjedhë aromën e kremit me të cilin do të lyejë trupin pas banjës. Gjithashtu, mund të zgjedhë peshqirin me ngjyrën ose modelin që dëshiron.
  • Ndërrojeni kohën e larjes gjatë ditës. Zbuloni pjesën e ditës kur fëmijës i pëlqen më shumë të bëjë banjë.

Mos u largoni kurrë nga banja, ndërkohë që fëmija lahet. Fëmijët rrëshqasin lehtë nën ujë. Sigurohuni të keni në banjë gjithçka që ju nevojitet përpara se ta nisni larjen e fëmijës.

Lavdëroni dhe përgëzoni çdo veprim të pavarur të fëmijës ndaj larjes. Nëse koha e larjes është plot me ndjenja pozitive, të dobishme, të gëzuara dhe të përmbushura, frika me siguri do të pakësohet dhe përfundimisht do të zhduket.