Shpërthimet e inatit (tantrumet): pse ato ndodhin dhe si të reagoni
Çfarë janë shpërthimet e inatit (tantrumet)?
Shpërthimet e inatit ndodhin në të gjitha format dhe madhësitë.
Ato mund të përfshijnë shpërthime të mëdha zemërimi, zhgënjimi dhe sjellje të paorganizuar - në momentin që fëmija juaj humbet kontrollin.
Ju mund të shihni fëmijën duke qarë, duke ulëritur, duke ngurtësuar gjymtyrët, duke goditur, duke u shtrirë në tokë apo duke u larguar të inatosur. Në disa raste, fëmijët e shfaqin zemërimin duke mbajtur frymën, me të vjella, thyejnë gjërat ose bëhen agresivë.
Pse ndodhin shpërthimet e inatit?
Shpërthimet e inatit (tantrumet) janë shumë të zakonshme tek fëmijët e moshës 1-3 vjeç.
Kjo ndodh sepse në këtë moshë sapo kanë filluar të zhvillohen aftësitë shoqërore dhe emocionale të fëmijëve. Fëmijët shpeshherë nuk gjejnë fjalët për të shprehur emocionet e forta. Ata mund të testojnë pavarësinë e tyre në rritje. Dhe ata po zbulojnë që mënyra se si ata sillen mund të ndikojë në mënyrën se si sillen njerëzit e tjerë.
Pra, zemërimi është një nga mënyrat me të cilën fëmijët e vegjël shprehin dhe menaxhojnë ndjenjat, dhe përpiqen të kuptojnë ose ndryshojnë atë që po ndodh rreth tyre.
Fëmijët më të mëdhenj gjithashtu mund të zemërohen. Kjo mund të ndodhë pasi ato akoma nuk kanë mësuar mënyra më të përshtatshme për të shprehur ose menaxhuar ndjenjat.
Si për fëmijët e vegjël ashtu edhe për fëmijët më të mëdhenj, ka gjëra që mund të nxisin shpërthimet e inatit:
- Temperamenti - kjo ndikon në reagimin e shpejtë dhe të fortë të fëmijëve ndaj gjërave, siç janë ngjarjet frustruese. Fëmijët që zemërohen lehtësisht mund të kenë më shumë gjasa që ta shprehin atë.
- Stresi, uria, lodhja dhe stimulimi i tepërt - këto mund ta bëjnë më të vështirë për fëmijët të shprehin dhe menaxhojnë ndjenjat dhe sjelljen.
- Situatat me të cilat fëmijët thjesht nuk mund të përballen - për shembull, një fëmijë i vogël mund të ketë probleme të reagojë nëse një fëmijë më i madh i merr lodrat e tij/saj.
- Emocionet e forta - shqetësimi, frika, turpi dhe zemërimi mund të jenë të papërballueshme për fëmijët.
Vetë-rregullimi është aftësia për të kuptuar dhe menaxhuar sjelljen dhe reagimet. Fëmijët fillojnë ta zhvillojnë atë rreth moshës 1 vjeç. Ndërsa fëmija juaj rritet, ai/ajo do të jetë më në gjendje të rregullojë reagimet dhe të qetësohet kur të ndodhë diçka shqetësuese. Si rezultat, do të shihni më pak zemërim.
Si të reduktoni shpërthimet e inatit te fëmija juaj
Ka gjëra që mund të bëni për të reduktuar shfaqjen dhe përjetimin e shërthimeve të inatit (tantrumeve):
- Zvogëloni stresin. Fëmijët e lodhur, të uritur dhe të mbi-stimuluar kanë më shumë gjasa të përjetojnë zemërim.
- Përshtatuni me ndjenjat e fëmijës tuaj. Nëse jeni të vetëdijshëm për ndjenjat e fëmijës, mund të jeni në gjendje të kuptoni kur fëmija përjeton emocione të forta. Ju mund të flisni për atë që po ndodh dhe të ndihmoni fëmijën që të menaxhojë ndjenjat e vështira. Ju gjithashtu mund të jeni në gjendje të shpërqendroni fëmijën tuaj.
- Identifikoni shkaktarët e zemërimit. Për shembull, fëmija juaj mund të zemërohet kur e merrni me vete ndërsa bëni pazaret. Ju mund të përgatiteni për këtë situatë ose të ndryshoni mjedisin për të shmangur zemërimin. Për shembull, mund t'ju ndihmojë të bëni pazar pasi fëmija juaj të ketë fjetur gjumë apo të ketë ngrënë.
- Flisni për emocionet me fëmijën tuaj. Kur fëmija lufton me një ndjenjë të fortë, inkurajoni atë që të emërtojë ndjenjën dhe çfarë e ka shkaktuar atë. Për shembull, 'A e hodhe lodrën tënde sepse nuk të pëlqen? Si mund të reagoje ndryshe?'
Si të përballoni zemërimin e fëmijëve
Ndonjëherë shpërthimet e inatit (tantrumet) ndodhin, pavarësisht se çfarë bëni për t'i shmangur ato. Më poshtë paraqiten disa ide si të reagoni ndaj fëmijës tuaj të zemëruar:
- Qëndroni të qetë (ose bëni sikur!). Merrni kohë një moment për veten nëse keni nevojë. Nëse zemëroheni, kjo do ta bëjë situatën më të vështirë si për ju ashtu edhe për fëmijën tuaj. Kur flisni, mbani zërin tuaj të qetë dhe të barabartë dhe veproni me qëllim dhe ngadalë.
- Pranoni ndjenjat e forta të fëmijës suaj. Për shembull, 'Mërzitemi shumë kur nuk blejmë dot lodrën e preferuar, apo jo?' Kjo mund të ndihmojë në parandalimin e sjelljes jashtë kontrollit dhe i jep fëmijës një shans për të kontrolluar emocionet.
- Njihni të drejtën e fëmijës për t'u zemëruar. Qëndroni pranë në mënyrë që fëmija juaj të dijë që jeni aty. Por mos u përpiqni të arsyetoni me fëmijën tuaj në ato momente, ose mos e shpërqendroni atë. Duke i qëndruar pranë i jepni mesazhin që ndjenjat e tij/saj kanë rëndësi për ju.
- Merrni drejtimin kur është e nevojshme. Nëse zemërimi ndodh sepse fëmija dëshiron diçka, mos i jepni fëmijës tuaj atë që do. Nëse fëmija juaj nuk dëshiron të bëjë diçka, përdorni gjykimin tuaj. Për shembull, nëse fëmija nuk dëshiron të hajë ushqimin, mundohuni t'i ofroni alternativa të tjera.
- Jini të qëndrueshëm dhe të qetë në qasjen tuaj. Nëse ndonjëherë i jepni fëmijës tuaj atë që ai/ajo dëshiron kur është i/e zemëruar dhe herë të tjera jo, problemi mund të përkeqësohet.
Kur fëmija juaj sillet mirë, shpërblejeni me shumë lavdërime entuziaste - për shembull, kur fëmija emërton një emocion të fortë, ose kur arrin të qetësohet para se të shfaqë zemërim.
Shpërthimet e inatit (tantrumet) te fëmijët parashkollorë dhe fëmijët e moshës së hershme shkollore
Ju mund të përdorni të gjitha këshillat e mësipërme për të ndihmuar me zemërimin tek fëmijët parashkollorë dhe fëmijët e moshës së hershme shkollore.
Në këtë moshë, fëmijët janë gjithashtu më të aftë të kuptojnë se veprimet e tyre kanë efekte. Kjo do të thotë që ndonjëherë mund të përdorni pasojat e sjelljeve të caktuara për të menaxhuar sjelljen e fëmijës.
Është e rëndësishme të mos i shpërbleni rastësisht zemërimet. Për shembull, nëse fëmija juaj ka një zemërim të fortë sepse i thoni fillimisht jo blerjes së një çokollate, dhe më pas blini dy të tilla, kjo shpërblen zemërimin. Të bërtisni ose të ndëshkoni fëmijën kur është i/e zemëruar mund të jetë gjithashtu një formë shpërblimi. Në këtë rast fëmija, mund të marrë mesazhin që merr vëmendjen tuaj duke u zemëruar.
Nëse fëmija juaj ka nevoja specifike pasi vuan nga një çrregullim i spektrit të autizmit (ASD), mund të shfaqë zemërim të shpeshtë. Në këto raste, kërkoni këshilla nga profesionistët e zhvillimit që punojnë me fëmijën tuaj.
Si t'i përballojmë shpërthimet e inatit (tantrumet)
Ballafaqimi me tantrumet mund të jetë shumë i lodhshëm dhe stresues. Ju mund të ndjeni se duhet të ndërhyni për t'i dhënë fund menjëherë një shpërthimi emocional. Por është më e sigurt, të merrni frymë thellë përpara se të vendosni si do reagoni.
Më poshtë janë disa ide se si të qëndroni të qetë dhe t'i mbani gjërat në perspektivë:
- Zhvilloni një strategji për të përballuar shpërthimet e inatit. Bëni një plan të qartë se si do ta përballoni zemërimin në çfarëdo situate që të jeni. Përqendrohuni në zbatimin e planit tuaj kur të ndodhë zemërimi.
- Pranoni që nuk mund të kontrolloni drejtpërdrejtë emocionet ose sjelljen e fëmijës tuaj. Ju mund ta mbani fëmijën të sigurt dhe të drejtoni sjelljen e tij/saj, në mënyrë që zemërimet mos të ndodhin në të ardhmen.
- Pranoni se duhet kohë që të ndodhë ndryshimi. Fëmija juaj ka shumë për të bërë para se të mësojë që të shfaqë zemërimin në mënyrë të përshtatshme. Zhvillimi dhe praktikimi i aftësive të vetë-rregullimit është një detyrë gjatë gjithë jetës.
- Kini kujdes dhe mos dyshoni që fëmija juaj po e bën atë me qëllim ose po përpiqet t'ju shqetësojë. Fëmijët nuk kanë zemërim të qëllimshëm - ata kanë ngecur në një zakon të keq ose thjesht nuk kanë aftësitë për të përballuar situatën.
- Mbani sensin tuaj të humorit. Por mos qeshni me inatin - nëse e bëni këtë, mund ta shpërblejë fëmijën tuaj me vëmendje. Gjithashtu mund ta shqetësojë fëmijën tuaj edhe më shumë nëse ai/ajo mendon se ju jeni duke qeshur me ta.
- Nëse njerëzit e tjerë reagojnë në mënyrë gjykuese, injorojini ato. Zemërimi është emocion dhe është mëse normale që fëmijët të reagojnë me shpërthime të tilla. Qëllimi është që të mësoni fëmijët tuaj që të komunikojnë ndjenjat e tyre dhe të shfaqin zemërimin në mënyrë të përshtatshme.
Mos e gjykoni veten si prind, bazuar në sa zemërime ka fëmija juaj. Mos harroni se të gjithë fëmijët kanë zemërim. Në vend të kësaj, përqendrohuni në mënyrën se si të reagoni ndaj tyre. Dhe mbani mend që është pjesë e prindërimit të mësoni me kalimin e kohës.