Si të përballojmë ankthin: këshilla për prindërit

Asgjë nuk është më normale sesa të shqetësoheni për fëmijën tuaj apo mënyrën se si po prindëroni. Por trajtimi i ankthit mund t'ju ndihmojë të gëzoni më shumë jetën tuaj si prind.
Body

Përballimi i ankthit: pse është i rëndësishëm

Është normale nëse ndjeni ankth ose jeni të shqetësuar për mënyrën se si po prindëroni.

Problemi është kur shqetësimi ose ankthi tejkalon në nivele ekstreme. Kjo më pas mund të ndikojë në shëndetin dhe jetën tuaj të përditshme. Mund t'ju ndalojë edhe të jeni prindi që ju dëshironi.

Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të trajtoni ankthin.

Simptomat e ankthit

Disa simptoma të zakonshme të ankthit janë:

  • ndjesi shqetësimi të vazhdueshme
  • lodhje e pazakontë dhe vështirësi për të pushuar
  • vështirësi për t'u relaksuar ose për të fjetur
  • vështirësi për t'u përqendruar
  • nervozizëm ose irritim i pazakontë
  • rrahje të shpeshta të zemrës.

Është normale që herë pas here të përjetoni disa nga këto simptoma. Por nëse përjetoni shumë nga këto simptoma dhe keni vështirësi të funksiononi në jetën tuaj të përditshme, mund të jetë koha që të gjeni mënyra si të përballoni ankthin.

Përballimi i ankthit: këshilla të përditshme

Ka disa gjëra që mund të bëni nëse keni një situatë ose problem që ju shkakton ankth:

  • Jepini vetes kohë për t'u qetësuar para se t'i përgjigjeni situatës. Për shembull, nëse fëmija juaj del nga shkolla dhe ju thotë se dikush po sillet keq me të, ju mund të ndiheni të shqetësuar. Në vend që të takoni menjëherë mësuesin/en, do ishte më mirë nëse shkoni në shtëpi dhe bisedoni me fëmijën. Nëse jeni ende i/e shqetësuar ditën tjetër, mund të takoni edhe mësuesin/en e tij/saj.
  • Mundohuni të përqendroheni vetëm në situatën aktuale dhe me gjërat e tjera merreni më vonë. Për shembull, nëse ndiheni të shqetësuar sepse fëmija juaj ka ethe, fokusohuni vetëm në ndihmën që fëmija ka nevojë dhe ta vizitoni te mjeku. Ju mund të keni edhe gjëra të tjera për t'u shqetësuar, si blerja e ushqimeve apo punë të tjerë në shtëpi, të cilat mund të bëhen në një moment tjetër.

Ju gjithashtu mund të bëni disa hapa të thjeshtë për të përballuar ankthin më në përgjithësi:

  • Bisedoni me dikë se si ndiheni - partnerin/partneren, anëtarë të familjes ose shokun/shoqen tuaj.
  • Ndërveproni me prindër të tjerë që mund të jenë në një situatë të ngjashme dhe mund të ndajnë këshilla nga përvojat e tyre.
  • Mbani shënime ose një ditar ku shkruani ndjenjat tuaja. Kjo mund t'ju ndihmojë që të kuptoni më shumë për shqetësimin tuaj.
  • Provoni ushtrime për frymëmarrjen dhe relaksimin e muskujve etj.

Nëse këto këshilla të përditshme për trajtimin e ankthit nuk ju ndihmojnë, është e rëndësishme të kërkoni ndihmë profesionale. Kontaktoni një profesionist/e të kujdesit shëndetësor dhe lini një takim për të folur për gjërat që ju shqetësojnë.