Pas një lindje para kohe: ndjenjat tuaja
Ndjenjat tuaja pas lindjes para kohe: çfarë duhet të prisni
Një lindje e parakohshme (prematur) mund të trondisë besimin tuaj në botë. Eshtë normale të ndjeni emocione të përziera dhe ndonjëherë konfliktuale.
Natyrisht që ka emocione pozitive, si gëzimi dhe dashuria për të porsalindurin tuaj.
Por është e zakonshme të pyesësh veten se çfarë ndodhi dhe çfarë e shkaktoi lindjen e parakohshme. Ju mund të ndiheni të pafuqishëm, të trishtuar, fajtorë, të shqetësuar ose të traumatizuar nga përvoja e lindjes. Mund të ketë gjithashtu shqetësime, frikë dhe konfuzion për të parë fëmijën në reanimacion.
Disa prindër mund të ndihen të zemëruar me veten ose me mjekët. Ose mund të ndihen të zemëruar me foshnjën që i bëri të ndihen keq, ose që ka lindur para kohe. Kjo mund të nënkuptojë që ata ndjehen ngurrues për ta mbajtur foshnjën në krahë ose për të vizituar reanimacionin, ku ndodhet fëmija. Edhe kjo është normale.
Shumë njerëz mendojnë se gjërat nuk janë plotësisht reale. Dhe është e lehtë të ndihesh i pafuqishëm apo të mos kesh kontroll mbi të ardhmen. Disa prindër e kanë të vështirë të ndiejnë se ata me të vërtetë "zotërojnë" fëmijën e tyre ndërsa ai/ajo është në reanimacion.
Shumë nëna e kanë shumë të vështirë ditën kur dalin nga spitali. Ndarja nga fëmija i bën të ndihen më keq ditën kur të ato shkojnë në shtëpi.
Me kalimin e kohës, në përgjithësi ka më pak sfida, dhe ato bëhen më të lehta për t'u përballuar. Dhe ndërsa fëmija rritet dhe është më i qëndrueshëm nga ana mjekësore, ju do të jeni në gjendje ta mbani dhe të kujdeseni për të më shpesh. Njohja e repartit të reanimacionit ju bën të ndiheni më komod. Stafi infermieror dhe anëtarët e tjerë të ekipit të reanimacionit do t'ju ndihmojnë si dhe do të kujdesen për fëmijën tuaj.
E gjithë kjo mund t'ju ndihmojë të ndiheni më të sigurt, më pak të shqetësuar dhe më të aftë për t'u lidhur me fëmijën tuaj.
Këshilla për të përballuar ndjenjat tuaja për lindjen e parakohshme
Më poshtë janë disa ide që mund t'ju ndihmojnë të përballoni ndjenjat negative dhe të filloni të ndiheni më pozitivë.
Ballafaqimi me ndjenjat
- Pranoni ndjenjat tuaja, cilado qofshin - mos i largoni. Pranimi i emocioneve është një gjë e shëndetshme për të bërë.
- Flisni me dikë se si ndiheni. Ky mund të jetë partneri juaj, një anëtar i besuar i familjes, një mik, ose një profesionist.
- Pranoni mënyrën e përballimit të partnerit tuaj nëse është e ndryshme nga e juaja. Mundohuni ta lini partnerin të bëjë gjërat sipas mënyrës së tij ose të saj dhe zbuloni se si ndihet partneri juaj duke folur me njëri -tjetrin dhe duke dëgjuar njëri -tjetrin.
Kujdesi për veten
- Hani ushqim të shëndetshëm, bëni aktivitet fizik, pushoni sa më shumë që të jetë e mundur dhe merrni kohë për gjërat që ju pëlqejnë. Gjithashtu është një ide e mirë për të kufizuar kafeinën, alkoolin dhe droga të tjera.
- Rrethojeni veten me njerëz që ju ndihmojnë të ndiheni pozitivë.
- Shmangni stresin e panevojshëm, nëse mundeni. Mirë është që herë pas here të bësh pak pushim, që të bësh gjëra edhe për veten tënde.
- Merrni kohë për t'u çlodhur çdo ditë, edhe për vetëm disa minuta. Për shembull, bëni frymëmarrje të thellë, të kontrolluar, dëgjoni muzikën tuaj të preferuar ose dilni për një shëtitje. Ju gjithashtu mund ti bëni këto gjëra edhe nëse jeni ulur pranë foshnjës suaj.
Qëndrimi me fëmijën tuaj
- Festoni sukseset, gjërat pozitive dhe progresin - si tuajin ashtu edhe të foshnjës tuaj. Foshnja mund të jetë në reanimacion, por ajo mund të arrijë gurët kilometrikë zhvillimorë. Kjo bën që të ketë shumë arsye për t'u ndjerë pozitivë.
- Afrimi me foshnjën ndihmon në përmirësimin e mirëqenies suaj. Ju mund ta bëni këtë duke u përfshirë në kujdesin e përditshëm ndaj foshnjës.
- Zbuloni se si mund ta ndihmoni foshnjën tuaj prematur. Për shembull, ju mund të mësoni elementë të teknologjisë (të aparaturave) ose shenjat e rëndesës së foshnjës, ose se si të ndërroni me kujdes një pelenë. Eshtë e rëndësishme të përqendroheni vetëm në një gjë në të njëjtën kohë.
- Mos harroni se ka gjëra që vetëm ju si prind mund t'i bëni. Prekja, aroma dhe zëri juaj janë të gjitha shumë të rëndësishme për fëmijën. Ju jeni gjithashtu avokati më i rëndësishëm i foshnjës suaj.
Eshtë e rëndësishme që në ditët dhe javët e para pas lindjes prematurë të kujdeseni për veten. Kur kujdeseni për veten, do të jeni në gjendje më të mirë për t'u kujdesur për fëmijën tuaj.
Ide nga prindërit e tjerë të foshnjave prematurë: një "listë emocionale dëshirash"
Disa prindër të foshnjave prematurë e kanë parë të dobishme të shkruajnë një listë emocionale dëshirash për ta ndarë me miqtë dhe familjen. Më poshtë renditen disa mendime nga lista e dëshirave të një prindi:
- Foshnja ime jeton dhe kjo gjë është e rëndësishme për mua. Unë kam nevojë të festoj lindjen e saj me ju, pavarësisht se sa e sëmurë është ajo.
- Nëse më lejoni të qaj, ju falënderoj sepse kjo gjë bën që emocionet e mia të vërshojnë dhe të mos mbyllem në ankth.
- Lindja e një foshnje të parakohshme nuk është si çdo shtatëzani ose lindje tjetër, dhe do të ishte e dobishme nëse nuk do të krahasoni foshnjën time me tuajën ose me të të tjerëve.
- Prematuriteti nuk është ngjitës, prandaj do të dëshiroja që të mos trembeni nga unë.
- Ju lutemi mos prisni që lufta ime të përfundojë pas gjashtë javësh, gjashtë muajsh apo edhe gjashtë vitesh. Po pajtohem me shumë emocione kontradiktore dhe e ardhmja do të shfaqet në kohën e vet.
- Ju lutem mos më qetësoni me fjalë boshe si, 'Më e keqja ka mbaruar tani'. Foshnja jonë mund të ketë probleme në të ardhmen, dhe është detyra jonë të ndihmojmë fëmijën tonë të zhvillohet, ndërsa në të njëjtën kohë të kujdesemi për problemet.
- Shpresoj se e kuptoni që të kesh një fëmijë prematur të ndryshon, dhe nuk e di nëse ose kur do të kthehem në gjendjen time të mëparshme.
Familjet përjetojnë lindje të parakohshme në mënyra të ndryshme dhe unike. Eshtë ndihmuese të dëgjosh sesi e kanë përballuar familjet e tjera, por mos harroni se nuk ka një mënyrë të drejtë për t'u ndier ose për t'u përgjigjur.
Më shumë se baby blues: depresioni postnatal pas një lindje të parakohshme
Ndryshimet e humorit janë të zakonshme pasi keni lindur një fëmijë dhe variojnë nga forma të lehta deri në forma më të rënda.
Shumë gra përjetojnë një lloj depresioni të lehtë në ditët pas lindjes. Nëse kjo gjendje vazhdon dhe bëhet më e rëndë, mund të instalohet depresioni pas lindjes (DPL). Edhe burrat mund të vuajnë nga DPL.
Shenjat e DPL përfshijnë një ndjenjë të vazhdueshme trishtimi, humor të ulët, mungesë të shpresës, mungesë energjie, vetëvlerësim të ulët dhe probleme me gjumin.
Nëse mendoni se vuani nga DPL, keni nevojë për mbështetje emocionale nga familja dhe miqtë. Shumë prindër i konsiderojnë trajtimet psikologjike të dobishme. Gjithashtu mund të ndihmojnë dhe ilaçet kundër depresionit. Eshtë ide e mirë të vizitoni mjekun tuaj të familjes, i cili mund t'ju rekomandojë trajtim më të mirë. Lexoni më shumë rreth DPL tek gratë dhe DPL tek burrat.