Zhvillimi i lidhjes së fortë emocionale me foshnjën (mosha 9-12 muaj)
Secili prej eksplorimeve i sjell fëmijës një mori zbulimesh të reja, përvojash, mprehtësish dhe ndjenjash të reja. Kjo sasi e re përvojash, megjithatë, shpesh mund të jetë kërkuese dhe frikësuese për të. Fëmija mund të ketë nevojë të qetësohet kur është shumë e emocionuar, të bëjë pushim nga aktivitetet, të gjejë mënyra të reja për të ndryshuar aktivitetin etj. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të ketë shumë ndërveprime të buta dhe të ngrohta me ju, që ta stimulojnë për të eksploruar më tej, por gjithashtu edhe ta ndihmojnë t’i kuptojë gjërat që ndodhin përreth, të qetësohet dhe të pushojë. Mes gjithë eksplorimit dhe mësimit, lidhja me ju është ende gjëja më e rëndësishme për foshnjën. Foshnja do të dëshirojë që eksplorimi të ndodhë me ju dhe pranë jush – t’ju tregojë atë që po bën dhe të shohë që interesat e tij/saj janë të rëndësishme për ju dhe që ju doni të merrni pjesë në to.
Ja se si mund të forconi lidhjen emocionale me fëmijën tuaj në këtë moshë:
- përgjigjuni dhe emërtoni shprehjet e fytyrës së foshnjës ose mënyrat në të cilat ai/ajo i shfaq ndjenjat. Për shembull: “Oh, a nuk është shumë e zhurmshme kjo rrake-takja?” ose “Shiko sa i butë është ky arushi!”. Kjo e ndihmon foshnjën tuaj të dallojë dhe kuptojë atë që ndjen/përjeton. Empatia dhe mirëkuptimi i botës nga perspektiva e fëmijës e forcon lidhjen mes jush;
- dalloni dhe përfshihuni në atë që fëmija është i interesuar dhe atë që ai/ajo po përpiqet të bëjë. Gjithmonë emërtoni - shpjegoni me fjalë se çfarë po bën fëmija. Për shembull, nëse ai/ajo tregon një libër, mund të thoni: “Është një libër. A do që të lexojmë një libër?” Lëreni fëmijën tuaj të luajë pranë jush. Sigurohuni që lodrat, librat dhe gjërat e tjera me të cilat fëmija juaj luan të jenë të arritshme për të - vendosni librat në rafte ose në kuti, të cilat fëmija mund t’i marrë - në dhomën e ndenjes ose në kuzhinë.