Pije të shëndetshme për fëmijët
Pije të shëndetshme nën gjashtë muaj
Nën gjashtë muaj, foshnjat kanë nevojë vetëm për qumësht gjiri ose formulë për foshnja. Qumështi i gjirit ose formula është ushqim dhe pije për foshnjat në këtë moshë.
Pije të shëndetshme në 6-12 muaj
Ju mund t'u jepni foshnjave që ushqehen me qumësht gjiri dhe me formulë, sasi të vogla të ujit të çezmës të vluar dhe të ftohur me gotë prej moshës gjashtë muaj.
Pirja e ujit nga gota - në vend të shishes - e ndihmon fëmijën tuaj të mësojë se si të mbajë gotën.
Dhënia e pijeve të tjera përveç ujit, qumështit të gjirit ose formulave në 12 muajt e parë mund të bëjë që foshnja juaj të mos marrë mjaftueshëm lëndë ushqyese thelbësore.
Pije të shëndetshme në 12 muaj
Pas 12 muajsh, ju mund t'i jepni fëmijës suaj qumësht lope të pasterizuar, pa aromë dhe me yndyrë të plotë për të pirë nëse ai/ajo ka dietë të ekuilibruar.
Qumështi me yndyrë të reduktuar nuk rekomandohet për fëmijët nën dy vjeç. Kjo ndodh për shkak se fëmijët e vegjël kanë nevojë për lëndët ushqyese të cilat gjenden në qumështin me yndyrë të plotë për të plotësuar nevojat e tyre për energji, rritje dhe zhvillim.
Ju mund ta vazhdoni ushqyerjen me gji pas 12 muajsh për aq sa ju përshtatet juve dhe fëmijës suaj. Nëse fëmija juaj është ushqyer me formulë, ai/ajo nuk ka nevojë për formulë pas 12 muajsh.
Fëmija juaj mund të pijë edhe ujë çezme, por pasi ti ketë mbushur 12 muaj nuk ka nevojë të vlohet uji.
Pije të shëndetshme për fëmijët e vegjël, parashkollorët dhe fëmijët më të mëdhenj
Për fëmijët e vegjël dhe ata/ato më të rritur, uji i çezmës dhe qumështi janë pijet më të mira.
Kur fëmija juaj pi shumë ujë rregullisht gjatë gjithë ditës, ai/ajo do të jetë i/e hidratuar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në mot të nxehtë ose kur fëmija juaj vrapon shumë. Pirja e sasisë së bollshme të ujit mund ta ndihmojë atë të shmangë kapsllëkun.
Inkurajimi i fëmijës tuaj për të pirë më shumë ujë
Në vijim ju paraqesim disa këshilla për ta inkurajuar fëmijën tuaj të pijë dhe të shijojë ujin:
- Bëni që të gjithë në familje të pinë ujë si pijen e tyre kryesore. Kur fëmijët tuaj ju shohin duke pirë ujë, edhe ata/ato do ta bëjnë të njëjtën gjë.
- Bëjeni ujin lehtësisht të disponueshëm duke u dhënë fëmijëve më të vegjël shishe uji në shtëpi dhe duke u treguar fëmijëve më të mëdhenj se si ta marrin ujin e tyre nga çezma.
- Mbani ujë në tavolinë gjatë vakteve dhe kohës së ngrënies.
- Mbani ujin e ftohur në një enë në frigorifer. Mund të provoni të shtoni kube akulli ose copa frutash të ngrira për ta bërë ujin më tërheqës për fëmijën tuaj.
- Merrni shishe të mbushura me ujë kur dilni me fëmijën tuaj.
Pijet jo të shëndetshme: lëngjet e frutave
Lëngjet e frutave kanë nivele të larta të sheqerit dhe acidit dhe nuk kanë shumë fibra. Fëmijët nuk kanë nevojë për sheqer shtesë – por kanë nevojë për fibra. Kjo është arsyeja pse në vend se të pinë lëngje, ata/ato është më mirë të hanë fruta.
Nëse fëmija juaj pi lëngje, duhet të kufizohet në gjysmë gotë në ditë. Është ide e mirë të përzieni lëngun e frutave me pak ujë ose akull dhe madje të futni fshehurazi disa perime. Përzierja e frutave në blender në vend të shtrydhëses së frutave e perimeve do t'i ruaj fibrat.
Është më mirë që fëmijët të hanë fruta dhe të pinë ujë të thjeshtë ose qumësht. Uji është gjithmonë më i mirë se lëngu i frutave, sepse e plotëson etjen, por nuk përmban sheqer.
Pijet jo të shëndetshme: pijet e gazuara, freskuese, pijet sportive, pijet energjike, qumështi me aromë
Pijet e gazuara, pijet freskuese, sportive dhe pijet energjike kanë shumë sheqer dhe nuk kanë fare lëndë ushqyese.
Ato nuk janë të mira për fëmijët, sepse zënë vendin e ushqimeve dhe pijeve të tjera më ushqyese dhe mund të shkaktojnë shtim në peshë ose prishje të dhëmbëve. Shumë pije freskuese përmbajnë gjithashtu kafeinë, e cila mund ta bëjë fëmijën tuaj jashtëzakonisht të emocionuar dhe më pastaj të rraskapitur. Kafeina gjithashtu mund të ndikojë në gjumin e fëmijës suaj.
Ujërat minerale mund të kenë sasi të mëdha të disa mineraleve që mund të rëndojnë veshkat e fëmijës suaj. Llojet të cilat janë me aromë mund të kenë gjithashtu sasi të larta të sheqerit.
Qumështi me aromë dhe pijet e qumështit të mëngjesit kanë sasi të mëdha të sheqerit të shtuar, kësisoj është më mirë t'u jepni fëmijëve tuaj qumësht të thjeshtë.
Pijet jo të shëndetshme: çaji dhe kafeja
Çaji dhe kafeja përmbajnë kafeinë, e cila mund të ndikojë në gjumin, sjelljen dhe zhvillimin e fëmijës suaj.
Disa çajra bimore mund të përmbajnë komponime që mund të jenë të dëmshme për fëmijët. Kontrolloni me profesionistin tuaj shëndetësor nëse keni pyetje në lidhje me çajin bimor për fëmijën tuaj