Ushqyerja optimale e foshnjave nga 10 deri 12 muajsh
Nëse i ofroni fëmijës tuaj një përzgjedhje të madhe të ushqimeve të shëndetshme dhe cilësore që nga fillimi, kjo është një mënyrë e sigurt që ai/ajo të adoptojë zakone të shëndetshme të ushqyerjes që do ta shoqërojnë atë gjatë gjithë jetës. Ushqimi dhe të ushqyerit janë shumë më tepër sesa marrja e lëndëve ushqyese; është një mundësi për të mbështetur shumë aspekte të zhvillimit të fëmijës.
Edhe në këtë moshë, qumështi i gjirit mbetet ushqimi më i rëndësishëm për foshnjat dhe siguron gjysmën e energjisë së nevojshme. Ushqimet e ngurta nuk mund të zëvendësojnë qumështin gjatë vitit të parë të jetës. Vazhdoni të ushqeni me gji fëmijën tuaj sipas kërkesës, si ditën ashtu edhe natën. Kjo do të ruajë shëndetin dhe forcën e tij/saj. Nuk ka nevojë t'i jepni foshnjës formulë ose formula përcjellëse (të cilat janë qumësht i formuluar posaçërisht për fëmijë më të rritur nga mosha 6 muajsh), pasi qumështi i gjirit me një dietë të larmishme siguron të gjitha lëndët ushqyese për të cilat fëmija juaj ka nevojë. Mos harroni të ushqeni me gji së pari, para se t’i jepni ushqime të tjera.
Kur i jepni ushqime plotësuese foshnjës suaj, janë gjashtë gjëra të rëndësishme që duhet bërë:
- Shpeshtësia: Ushqeni fëmijën tuaj me ushqime plotësuese 4 herë në ditë.
- Sasia: Rritni sasinë në gjysmë (½) filxhani në çdo shujtë. Përdorni një pjatë të veçantë për t'u siguruar që fëmija i vogël ha të gjithë ushqimin e dhënë.
- Trashësia: Jepni ushqime familjare të prera imët, ushqime të vogla, ushqime të prera në feta.
- Shumëllojshmëria: Është e rëndësishme që fëmija të ushqehet me shumëllojshmëri ushqimesh në çdo vakt.
- Ushqimet me burim shtazor (mish, vezë dhe produkte qumështi) janë shumë të rëndësishme. Ushqeni fëmijën tuaj me mish viçi të grirë dhe të zier mirë me pak yndyrë, mish qengji, mish kali, mish derri, mish pule, gjel deti, mëlçi, peshk, vezë.
- Shtoni pure perimesh të ziera: karotë, rrepë, kungull, kungull i njomë, lloje të ndryshme të lakrës (lulelakër, lakëre bardhë, lakra Brukseli), pastinak, domate, gjithashtu mund të kombinoni perime të ndryshme në qull.
- Fasule, të ziera mirë dhe të grira (të qëruara).
- Shtoni pure të frutave të buta: banane, mollë, dardha, pjeshka, megjithëse sigurohuni që fëmija juaj të mos ushqehet vetëm me fruta.
- Midis vakteve ushqimore (ushqim shtesë midis shujtave) mund të ofrohen një ose dy herë në ditë, për shembull copa frutash ose perimesh të pjekura.
- Filloni me ushqime me burim shtazor sa më herët dhe sa më shpesh të jetë e mundur. Gatuani mirë dhe pritni mirë.
- Përdorni kripë të jodizuar.
- Shmangni dhënien e pijeve me sheqer, biskotave të ëmbla/ëmbëlsira, ushqimeve të skuqura ose ushqimeve të shpejta.
- Të ushqyerit e përgjegjshëm: Jini të durueshëm dhe inkurajoni në mënyrë aktive fëmijën tuaj të hajë. Mos e detyroni fëmijën të hajë. Përdorni një pjatë të veçantë për ta ushqyer fëmijën në mënyrë që të siguroheni që ai/ajo e ha të gjithë ushqimin e dhënë.
- Higjiena: Higjiena e mirë (pastërtia) është e rëndësishme për të shmangur diarrenë dhe sëmundjet e tjera. Përdorni një lugë ose filxhan të pastër për t’i dhënë fëmijës suaj ushqime ose lëngje. Ruani ushqimet që do t’i jepen fëmijës suaj në një vend të sigurt higjienik. Pastroni duart me sapun dhe ujë para se të përgatisni ushqime dhe të ushqeni fëmijën. Pastroni duart tuaja dhe duart e fëmijës suaj para se të hajë. Pastroni duart me sapun dhe ujë pasi të përdorni tualetin dhe pasi të lani ose pastroni pjesën e poshtme të fëmijës.
Ushqimet që duhet shmangur
- Mos i jepni qumësht lope, dhie ose deleje, me yndyrë të plotë ose të paholluar - si lëng për ta pirë.
- Nëse fëmija juaj nuk ushqehet me gji, atëherë mund ta ushqeni me qumësht me yndyrë të plotë, por duhet të zihet që të jetë i sigurt për një fëmijë të kësaj moshe.
- Qumështi mund të shtohet edhe për përgatitjen e qullit -1/2 hollim); dhe sigurohuni që të zihet brenda qullit
- Shmangni lëngjet e frutave dhe agrumeve; lëngjet e ëmbëlsuara
- Shmangni shtimin e sheqerit, mjaltit, kripës, erëzave
- Arrat e plota (përdorni vetëm në formë paste).
- Të gjitha llojet e çajit (i zi, i gjelbër, bimor)
Nga muaji i 9-të deri në muajin e 12-të, shumica e fëmijëve janë mjaft të aftë për të ngrënë vetëm dhe për të pirë nga filxhani që e mbajnë me të dy duart. Inkurajoni pavarësinë e fëmijës tuaj!
Foshnja ka një afinitet të lindur e të fituar evolucionarisht ndaj gjërave të ëmbla (sidomos!) dhe të kripura. Refuzimi i ushqimit të athët është gjithashtu i lindur, gjë që e bën të vështirë futjen në përdorim të perimeve me gjethe jeshile. Ofroni së pari në kombinim me perime me të cilat fëmija tashmë është mësuar (patate, karota).
Nëse fëmija nuk pranon menjëherë një ushqim të ri, mos u dorëzoni. Pajisuni me durim; ndonjëherë atij/asaj duhet t'i ofrohet ai ushqim deri në dhjetë herë që të mësohet me erën dhe shijen e tij.
Kur një vakt shoqërohet me durim, buzëqeshje, inkurajim dhe respektim të nevojave të fëmijës, ju inkurajoni të mësuarit dhe të përfituarit e aftësive, dhe koha e ushqyerjes bëhet kohë gëzimi dhe kënaqësie.