25-36 muaj - Imagjinata fillon të zhvillohet

Nëse do të mund t’ju thoja. . ." Kjo jam unë! E di emrin tim, dhe i di emrat e nënës dhe babit tim. Kam disa miq, ndoshta kushërinj, fëmijë që jetojnë afër meje, ose fëmijë në kopshtin tim. Më pëlqen të luaj, vetë dhe me të tjerët. Unë nuk di shumë fjalë, por më pëlqen të flas dhe të bëj pyetje. Më pëlqen të bëj shenja ose shkarravitje në letër apo edhe në baltë. Më pëlqen t’i shikoj librat dhe më pëlqen kur më lexon ose tregon përralla. Më pëlqen t’i dëgjoj përrallat e mia të preferuara pa ndaluar. Më pëlqen gjithashtu të vrapoj dhe t’i ngjis shkallët nëse mundem. Mund ta hedh topin. Mund të grumbulloj objekte për të ndërtuar kulla. Mund të shtirem sikur flas në telefon dhe unë përdor objekte për të luajtur lojëra imagjinare. Mund të bëj shumë gjëra: ndonjëherë mendoj se mund të bëj gjithçka! Kjo është arsyeja pse ndonjëherë mërzitem kur nuk ia dal mbanë. Por mos u shqetëso, unë do të provoj përsëri. Nëse nuk mund ta bëj tani, do të jem në gjendje ta bëj më vonë."

Zhvillimi i fëmijës në periudhën nga muaji i 25-të deri në muajin e 36-të

 

Të komunikuarit

Çfarë kemi të re?

Gjatë kësaj moshe, fjalori i fëmijës tuaj pasurohet çdo ditë. Në këtë moshë, shumica e fëmijëve mund të formojnë fjali me nga 2 deri në 5 fjalë dhe është më lehtë të kuptohet se çfarë po ju thotë fëmija juaj. Ajo ngadalë do të mësojë se si të dëgjojë dhe ta presë radhën për të folur dhe do të jetë në gjendje të zhvillojë biseda të shkurtra. Gjatë kësaj periudhe, fëmija juaj mëson se si t’i përshkruajë gjërat që kanë ndodhur gjatë ditës. Me pak ndihmë nga ju, ajo madje mund ta tregojë një tregim të thjeshtë me sekuenca. Sa emocionuese për të dhe për ju!

Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?

Përcaktoni një orar të përbashkët leximi me fëmijën tuaj dhe lëreni që ajo vetë t’i ndërrojë faqet e librit me figura. Mësojini fëmijës tuaj këngë dhe vjersha të thjeshta, mbase nga fëmijëria juaj ose traditat. Kërkoni nga fëmija juaj t'ju tregojë gjërat në fotografi dhe inkurajojeni atë t’i përsërisë fjalët pas jush, edhe nëse nuk tingëllon shumë si shqiptimi juaj. Fëmija juaj do të interesohet për emrat e gjërave. Mundohuni të mos e thoni vetëm emrin, por shtoni edhe disa fjalë përshkruese (si "po, është një kamion i madh ngjyrë blu", ose "Topi - topi është i madh, apo jo?").

Ndjenjat

Çfarë kemi të re?

Kjo është një periudhë shumë e rëndësishme për zhvillimin emocional të fëmijës suaj. Fëmija juaj përjeton shumë ndjenja çdo ditë - nga lumturia e intensifikuar te pikëllimi, frustrimi dhe, ndonjëherë zemërimi. Në të njëjtën kohë, ajo po mëson për ndjenjat e njerëzve të tjerë, duke përfshirë fillimet e ndjeshmërisë - duke u ndjerë ashtu siç mund të ndihet dikush tjetër. Sikurse kur ishte më e vogël, ajo ende mund të ketë disa shpërthime zemërimi ose inati. Ajo ende e ka të vështirë t’i shprehë ndjenjat e mëdha me fjalë. Gjatë kësaj periudhe, fëmija juaj gjithashtu do të fillojë të kuptojë se si sjellja e saj ndikon në sjelljen tuaj, dhe gjithashtu se si sjellja juaj ndikon tek ajo. Tani ajo është e prirur të shqetësohet më pak kur ndahet nga ju, edhe pse ndonjëherë mund të jetë ende e vështirë, pasi çdo fëmijë është ndryshe.

Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?

Flisni me fëmijën tuaj për ndjenjat, tregojini përralla ose lexojini libra të përshtatshëm për moshën e saj për të gjitha llojet e emocioneve. Nxiteni që të fantazojë në lidhje me emocionet me lodrat e saj ose me objekte të tjera. Pranojeni që ajo ende nuk mund t’i menaxhojë ndonjëherë ndjenjat e saj të mëdha dhe përdorni qetësinë tuaj për të krijuar një mjedis të sigurt për të. Dhe loja, sidomos loja e imagjinuar, është mënyrë e mrekullueshme që ajo të kuptojë dhe të përballet me ndjenjat.

Të menduarit

Çfarë kemi të re?

Fëmija juaj ngadalë ka filluar t’i kuptojë idetë e rëndësishme si koha (të tilla si dita dhe nata, para dhe pas) dhe të kundërtat (e madhe dhe e vogël). Gjithashtu, në këtë periudhë ajo me shumë mundësi do t'ju tregojë se i kupton qëllimet e pjesëve të ndryshme të trupit të saj ("Unë shoh me sytë e mi"). Ajo fillon që të provojë grupimin e objekteve sipas ngjyrës, madhësisë ose formës. Ajo gjithashtu do të fillojë të zgjidhë probleme të thjeshta përmes provave dhe gabimeve - "Nëse këtë lugë nuk e zë në kavanoz, mbase mund ta provoj me një më të vogël."

Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?

Mos harroni se fëmija juaj vazhdon të mësojë më së miri përmes eksplorimit dhe lojës. Koncepte të reja mund të eksplorohen duke përdorur objekte dhe duke luajtur përmes imagjinatës. Inkurajoni fëmijën tuaj të luajë shumë “lojëra imagjinare” dhe ndonjëherë bashkohuni në lojën që fëmija juaj po udhëheq. Vazhdoni ta përfshini atë në përvojat e përditshme që ju lejojnë të eksploroni së bashku dhe të provoni gjëra të reja: "Le të mbjellim disa lule sot!" ose “A mund të gjesh një vend të mirë për t’i vendosur këta filxhanë? Faleminderit!"

Të lëvizurit

Çfarë kemi të re?

Fëmija juaj po bëhet shumë më i pavarur. Gjatë kësaj periudhe, fëmija juaj mund të vishet dhe zhvishet vetë - natyrisht jo në mënyrë të përsosur - si dhe lan duart ose ha vetë. Një aspekt i rëndësishëm për t’u bërë e pavarur është përdorimi i tualetit. Në shumë kultura dhe familje, kjo zakonisht fillon gjatë kësaj kohe. Lëvizjet e fëmijës suaj janë më komplekse se më herët. Deri në fund të vitit të tretë të jetës, fëmija juaj ndoshta mund të vrapojë dhe të kërcejë, të qëndrojë në njërën këmbë, t’i ngjitë dhe zbresë shkallët (nëse shtëpia ka shkallë) dhe nëse keni ndoshta do përpiqet të ngasë një skuter ose triçikël.

Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?

Fëmija juaj dëshiron që të provojë gjëra të reja, por ajo ka nevojë për mbështetjen tuaj. Nxiteni të provojë, pavarësisht nëse ka sukses në fillim ose jo - dhe ngazëllehuni për aftësitë e reja. Ju gjithashtu mund t’i zhvilloni aftësitë dhe rritni vetëbesimin duke e përfshirë atë në punët e përditshme shtëpiake të familjes - duke ndihmuar në klasifikimin e çorapeve të pastra, shëtitjet  për pazar, përzierjen e ushqimit dhe detyra të tjera të thjeshta që e magjepsin atë.

Nëse jeni afër, fëmija juaj do të jetë më i gatshëm të përpiqet të ngjitet, të kërcejë, të tërheqë, të hedhë topin ose të eksplorojë sfida të tjera të reja. Vetëm duke i qëndruar pranë, ju po krijoni një mjedis të sigurt për zhvillim.

Për të gjetur më shumë mënyra të tjera se si ta mbështesni zhvillimin e fëmijës përmes lojës, shkoni tek sesioni i Lojërave.

Shqetësimet e prindërve për zhvillimin në periudhën nga muaji i 25-të deri në muajin e 36-të

Meqenëse secili fëmijë zhvillohet në mënyrën e vet të veçantë, është e pamundur të parashikohet saktësisht se kur ose si fëmija juaj do ta përsosë një aftësi të caktuar. Aftësitë (gurët kilometrik zhvillimor) e pritshme dhe të listuara për këtë periudhë ju japin vetëm një ide të përgjithshme për ndryshimet që mund t’i prisni teksa fëmija juaj rritet. Ju lutemi mos u shqetësoni nëse zhvillimi i saj ndjek një rrugë pak më ndryshe.

Sidoqoftë, për t’u siguruar, flisni me pediatrin tuaj [ose me ndonjë ofrues tjetër të kujdesit shëndetësor] nëse fëmija juaj shfaq ndonjë nga shenjat e mëposhtme të zhvillimit të vonuar të mundshëm; nëse fëmija juaj duket se ka humbur disa nga aftësitë që kishte në një moshë më të hershme, ose nëse keni arsye të tjera për tu shqetësuar:

  • nuk ju shikon (nuk mban kontaktin me sy).
  • ka vështirësi t’i dëgjojë ose shohë disa gjëra.
  • nuk flet me fjali të shkurtra (të paktën 3 fjalë së bashku).
  • flet shumë paqartë.
  • nuk i ndjek udhëzimet e thjeshta.
  • nuk dëshiron të luajë me fëmijë të tjerë ose me lodra dhe objekte të tjera.
  • nuk luan lojëra imagjinare ose lojëra “bëjmë sikur”.
  • nuk mund të vrapojë.
  • nuk shkarravit apo vizaton.
  • nuk mund të mbajë objekte të vogla në dorë.
References and comments

Reference:

https://raisingchildren.net.au/toddlers/development/development-tracker-1-3-years/2-3-years

Laura E. Berk (2006), Child development (7ht edition), Allyn & Bacon

Dr sci Nirvana Pištoljević (2016), Rani razvoj deteta: šta treba znati, Udruženje pedijatara Srbije, Beograd.