3-4 Muaj - Përvoja të ndryshme
Zhvillimi i fëmijës në periudhën nga muaji i 3-të deri në muajin e 4-të
Të komunikuarit
Çfarë kemi të re?
Në dy muajt e parë ju u familjarizuat me njëri-tjetrin dhe keni krijuar rutina të përbashkëta. Tani do ta shihni që fëmija juaj zotëron aftësi të reja të komunikimit dhe mëson më intensivisht për ndjenjat. Megjithëse e qara është ende sinjali i saj më i rëndësishëm, periudha e të qarit intensiv ngadalë do të marrë fund, meqë fëmija juaj tani do të përpiqet të komunikojë me ju në mënyra të ndryshme. Për shembull, do ta shihni buzëqeshjen e saj, madje edhe të qeshura me zë të lartë kur ajo sheh ose përjeton diçka që i pëlqen. Ajo shpesh do të përpiqet t'ju përgjigjet duke ngritur zërin ose duke lëshuar tinguj zanoresh si "aaaah"! Asaj i pëlqen të lëshojë tinguj, kështu që ju mund ta dëgjoni gugatjen e saj kur e lini vetëm. Ndonjëherë madje i kopjon tingujt që i dëgjon. Ajo me të vërtetë komunikon tani!
Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Kur e mbani në krahë dhe i flisni asaj me gëzim, ajo do të dëgjojë me kujdes dhe ndonjëherë do të përpiqet t’i përsërisë tingujt e zërit tuaj. Pra, bëjeni këtë shpesh. Flisni me fëmijën tuaj dhe sigurohuni që ta dëgjoni përgjigjen e saj. Kur ajo lëshon tinguj, tregojini se jeni të lumtur dhe të ngazëllyer kur i dëgjoni ato. Ajo do të kënaqet kur ju dëgjon duke i imituar disa tinguj të saj të gugatjes. Gjeni kohë gjatë ditës për lojëra të qeta, kur i këndoni fëmijës tuaj, i tregoni asaj ndonjë përrallë ose ia tregoni ndonjë libër.
Ndjenjat
Çfarë kemi të re?
Fëmija juaj vazhdon të magjepset nga fytyrat. Ajo mund t'i vështrojë ato me kujdes dhe për një kohë të gjatë. Ajo është kaq e interesuar te ju - ajo mund të imitojë buzëqeshjen tuaj dhe madje edhe fytyrën e ngrysur. Gjatë kësaj periudhe, ajo gjithashtu do të fillojë t’i lidhë ato që po i thoni me shprehjen tuaj të fytyrës. Tani ajo mund t’i njohë zërat e njerëzve që përkujdesen për të dhe kthen kokën kur i dëgjon. Në këtë moshë, do ta shihni atë duke u buzëqeshur njerëzve të veçantë në mënyrë spontane. Gjithashtu do të vini re se fëmijës tuaj i pëlqen të luajë me njerëz. Mund të thoni që tani njerëzit janë lodrat e saj të preferuara!
Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Teksa flisni ose e dëgjoni atë, gjithmonë shikojeni në sy. Jepini asaj sa më shumë mundësi që t’i sheh shprehjet tuaja të fytyrës. Buzëqeshini dhe tregojini se ju pëlqen ta imitoni atë. Mbajeni në krahë, përkëdheleni, buzëqeshini, përdorni të folurit si fëmijë, flisni me të, këndojini dhe pastrojeni me vëmendje çdo ditë. Kushtojini vëmendje asaj që e kënaq fëmijën tuaj dhe plotësojani nevojat. Duke vepruar kështu, ju do ta lumturoni atë.
Të menduarit
Çfarë kemi të re?
Ajo do të dëshirojë ta eksplorojë botën me duart e veta. Dikur gjatë kësaj periudhe, ajo do të fillojë përpjekjet për t’i kapur objektet rreth saj dhe do të përpiqet t’i fusë në gojë gjërat që mund t'i kapë. Teksa fëmija juaj i përdor duart dhe gishtat më shumë, mund ta vëreni se i shikon duart e veta me admirim dhe shpesh i përdor ato si lodrat më argëtuese. Gjatë kësaj periudhe, ajo mëson edhe duke vështruar. Sytë e saj i ndjekin objektet lëvizëse. Sigurisht që ajo i do fytyrat por ajo mëson edhe duke i vështruar ato. Ajo fillon t’i njohë njerëzit dhe objektet, jo vetëm kur ata janë afër saj por edhe nga larg.
Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Lëreni atë të eksplorojë duke i dhënë mundësinë të kapë objekte të sigurta të formave, teksturave dhe ngjyrave të ndryshme. Lëreni të kënaqet me to, si përmes të prekurit ashtu edhe përmes të shijuarit. Vendosni objekte interesante në duart e saj dhe ndihmojeni që t’i mbajë ato. Luani lojëra si symbyllazi.
Të lëvizurit
Çfarë kemi të re?
Gjatë muajit të tretë dhe të katërt, do të vini re se fëmija juaj mund t’i kontrollojë më mirë lëvizjet e kokës së saj. Asaj nuk i duhet aq shumë mbështetje për kokën e saj kur e mbani në krahë ose e lëshoni poshtë. Fëmija juaj eksploron mënyrat e mundshme të lëvizjes. Kur e vendosni në bark, ajo mund të jetë në gjendje të ngrejë kokën dhe ta mbajë veten me krahët e saj. Ajo mund të jetë në gjendje të rrotullohet nga barku në shpinë. Ajo tani jo vetëm që mund ta mbajë në duar një lodër ose objekt tjetër, por edhe mund ta tundë dhe të lëkund ndonjë objekt që është i varur para saj.
Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Jepini fëmijës tuaj më shumë mundësi për të përdorur trupin e saj në mënyra të ndryshme. Uluni në dysheme me të për të kaluar kohë duke luajtur. Gjeni objekte të thjeshta të përditshme që ajo mund t’i mbajë dhe eksplorojë. Fëmija juaj ka nevojë të eksplorojë me gojën e saj, por vetëm me objekte të sigurta. Kini kujdes të veçantë për sendet e vogla që mund të shkaktojnë mbytje.
Për të gjetur më shumë mënyra të tjera se si ta mbështesni zhvillimin e fëmijës përmes lojës, shkoni tek sesioni i Lojërave.
Shqetësimet e prindërve për zhvillimin në periudhën nga muaji i 3-të deri në muajin e 4-të
Meqenëse secili fëmijë zhvillohet në mënyrën e vet të veçantë, është e pamundur të parashikohet saktësisht se kur ose si fëmija juaj do ta përsosë një aftësi të caktuar. Aftësitë (gurët kilometrik zhvillimor) e pritshme dhe të listuara për këtë periudhë ju japin vetëm një ide të përgjithshme për ndryshimet që mund t’i prisni teksa fëmija juaj rritet. Ju lutemi mos u shqetësoni nëse zhvillimi i saj ndjek një rrugë pak më ndryshe.
Sidoqoftë, për t’u siguruar, flisni me pediatrin tuaj [ose me ndonjë ofrues tjetër të kujdesit shëndetësor] nëse fëmija juaj shfaq ndonjë nga shenjat e mëposhtme të zhvillimit të vonuar të mundshëm; nëse fëmija juaj duket se ka humbur disa nga aftësitë që kishte në një moshë më të hershme, ose nëse keni arsye të tjera për tu shqetësuar:
- fëmija juaj shpesh qan shumë dhe nuk mund të qetësohet.
- nuk ju shikon në sy apo kushton vëmendje fytyrave të njerëzve.
- nuk i shikon gjërat teksa lëvizin.
- nuk lëshon asnjë tingull ose nuk reagon ndaj tingujve.
- nuk mund ta mbajë kokën qëndrueshëm.
- nuk përpiqet ta kapë lodrën ose objektin që gjendet para saj.
- nuk i futë gjërat në gojë.
Reference:
https://raisingchildren.net.au/babies/development/development-tracker-3-12-months/3-4-months
https://raisingchildren.net.au/babies/development/development-tracker-3-12-months/4-5-months
Laura E. Berk (2006), Child development (7ht edition), Allyn & Bacon
Dr sci Nirvana Pištoljević (2016), Rani razvoj deteta: šta treba znati, Udruženje pedijatara Srbije, Beograd.