10-12 Muaj – Krijimi i shprehive dhe qëndrueshmërisë
Zhvillimi i fëmijës në periudhën nga muaji i 10-të deri në muajin e 12-të
Të komunikuarit
Çfarë kemi të re?
Kjo është periudha kur, me shumë gjasë, fëmija do ta thotë fjalën e parë të vërtetë. Megjithëse ai kryesisht do të gugatë, deri në fund të vitit të parë, fëmija juaj do ta thotë dhe kuptojë të paktën një fjalë (të tilla si "ma-mi" ose "ba-bi"). Ai do të përpiqet të komunikojë intensivisht me ju në çfarëdo mënyre që mundet - jo vetëm duke përdorur fjalë, por edhe duke bërë me gisht, duke lëvizur, duke tundur kokën, dorën... Nëse fëmija juaj nuk thotë ndonjë fjalë akoma, mos u shqetësoni. Ai do të gjejë mënyra tjera për ta tërhequr vëmendjen tuaj dhe t'ju bëjë me dije se çfarë dëshiron. Ai do t'ju kuptojë gjithnjë e më shumë.
Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Flisni me fëmijën tuaj gjatë ritualeve të përditshme - veshjes, ushqyerjes, shëtitjes, pazarit ... Thjesht përmendni gjërat që po i bëni ose që po i shihni përreth jush - nuk është mësim, thjesht bisedë! Nëse ai përpiqet të flasë, jepini tingujve kuptim, duke shtuar - për shembull, kur ai thotë "ba-bi" ose "ma-mi", ju mund të përgjigjeni me "Po, babai ka ardhur" ose "Po, mamaja ka ardhur". Përmes kësaj, ju e pasuroni fjalorin e tij dhe zhvilloni aftësitë e tij komunikuese.
Gjatë kësaj periudhe, mund të vini re se ai kupton udhëzime të shkurtra të tilla si "jepja motrës", "bëj pa-pa me dorë" ose "mos e prek atë". Miratojeni të kuptuarit e tij të ri duke i dhënë atij një buzëqeshje të madhe ose lëvdata.
Ndjenjat.
Çfarë kemi të re?
Sikurse kur ishte më i vogël, fëmija juaj, me gjasë, do të shfaqë ende ankth të çuditshëm. Ai ende mund të frikësohet dhe të fillojë të qajë kur largoheni nga dhoma. Teksa zhvillimi i tij emocional përparon, ai do të bëhet gjithnjë e më i vetëdijshëm për nevojat e tij. Dhe teksa ai bëhet më i mirë në komunikim, ai do të jetë në gjendje t'ju tregojë për dëshirat dhe ndjenjat e tij.
Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Vazhdoni t’i ofroni siguri fëmijës suaj nëse ai i shmanget njerëzve të panjohur. Mundësojani të përballet me përvoja të përditshme në të cilat ju mund të largoheni shkurt – qoftë për ta marrë ndonjë lodër nga dhoma tjetër - dhe të ktheheni. Lojëra si kukafshehtas ose symbyllazi janë lloj praktike në menaxhimin e këtyre ndjenjave gjithashtu. Pavarësisht nga ndjenjat e tij, dëgjojeni dhe përpiquni t’i interpretoni dëshirat e tij duke i shprehur ato me fjalë (për shembull, "Oh, bebja ime është lodhur" ose "Bebja ime e dëshiron atë lugë; më lër ta marr për ty").
Të menduarit.
Çfarë kemi të re?
Mos harroni se fëmija juaj është në proces të të mësuarit gjatë gjithë kësaj periudhe. Fëmijëve të kësaj moshe ju pëlqen t’i gjejnë objektet e fshehura nën batanije apo ndonjë filxhan. Atij gjithashtu i pëlqen të mësojë se si funksionojnë objektet - shpesh duke kapur, tundur, goditur, hedhur ose përplasur diçka në tokë (sigurohuni që objektet janë të sigurta!). ... ai do të kënaqet duke luajtur me të rriturit të cilët kujdesen për të. Në fund të vitit të parë, ai gjithashtu mund ta nisë lojën - duke ju treguar lodrat me të cilat po luan.
Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Sikurse kur ishte më i vogël, fëmija juaj do të mësojë më së miri përmes lojës. Në seksionin Të Luajmë së Bashku, do të gjeni shumë aktivitete të cilat do t’i pëlqejnë shumë fëmijës tuaj në këtë moshë. Çdo fëmijë është unik, andaj ndiqni iniciativën e tij dhe përkrahni përzgjedhjen e tij të lodrave dhe interesat e tij. Objektet dhe aktivitetet e thjeshta të përditshme do t’i pasurojnë njohuritë dhe aftësitë e tij të të menduarit. Lexojini libra, tregojini përralla tradicionale, lëshoni muzikë ose këndojini ndonjë këngë, si dhe lexojini vjersha për fëmijë. Lëreni atë t’i ndërrojë faqet e librave me figura. Gjatë larjes ose veshjes, është mundësi e mrekullueshme për ta ndihmuar atë t’i përmend pjesët e trupit.
Të lëvizurit.
Çfarë kemi të re?
Këta muaj sjellin disa zhvillime interesante. Me shumë gjasa, fëmija juaj do të fillojë të ngrihet duke u mbajtur diku. Pastaj, ai mund të përpiqet të qëndrojë vetë dhe ndoshta t’i bëjë hapat e tij të parë. Çdo fëmijë është i ndryshëm, por, deri në fund të kësaj periudhe, disa fëmijë mund edhe të ecin vetë. Sidoqoftë, ecja është sfidë e madhe për fëmijët e kësaj moshe, dhe disa fëmijë të cilët fillojnë të ecin herët përsëri do t'i kthehen zvarritjes si një mënyrë më e lehtë për ta eksploruar botën e tyre. Në të njëjtën kohë, fëmija bëhet më i aftë në përdorimin e duarve dhe gishtave për ta eksploruar mjedisin e tij.
Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Nuk është e nevojshme ta mësoni fëmijën tuaj të ecë! Por është mirë të gjeni mënyra argëtuese, të përditshme, për ta inkurajuar atë të lëvizë, në mënyrë që ai t’i forcojë muskujt për lëvizje më komplekse. Tani që ai është në lëvizje, sigurohuni që shtëpia juaj është e sigurt për aventurierin e vogël. Koordinimi dhe përdorimi i tij i duarve përmirësohen gjithashtu. Mund ta ndihmoni duke e inkurajuar atë të eksplorojë tekstura të ndryshme të objekteve përmes prekjes, ose t’i përplasë objektet me njëra-tjetrën, ose t'i vendosë ato në kuti dhe t'i nxjerrë prej saj, ose të mbledhë thërrime ushqimi nga tavolina. Jepini atij shkumësa me ngjyra për të shkarravitur në letër.
Për të gjetur më shumë mënyra të tjera se si ta mbështesni zhvillimin e fëmijës përmes lojës, shkoni tek seksioni Të Luajmë së Bashku.
Shqetësimet e prindërve për zhvillimin në periudhën nga muaji i 10-të deri në muajin e 12-të
Meqenëse secili fëmijë zhvillohet në mënyrën e vet të veçantë, është e pamundur të parashikohet saktësisht se kur ose si fëmija juaj do ta përsosë një aftësi të caktuar. Aftësitë (gurët kilometrikë zhvillimor) e pritshme dhe të listuara për këtë periudhë ju japin vetëm një ide të përgjithshme për ndryshimet që mund t’i prisni teksa fëmija juaj rritet. Ju lutemi mos u shqetësoni nëse zhvillimi i tij ndjek një rrugë pak më ndryshe.
Sidoqoftë, për t’u siguruar, flisni me pediatrin tuaj [ose me ndonjë ofrues tjetër të kujdesit shëndetësor] nëse fëmija juaj shfaq ndonjë nga shenjat e mëposhtme të zhvillimit të vonuar të mundshëm, nëse fëmija juaj duket se ka humbur disa nga aftësitë që kishte në një moshë më të hershme, ose nëse keni arsye të tjera për t’u shqetësuar:
- fëmija juaj nuk ju shikon në sy ose nuk i përcjell me sy objektet në lëvizje,
- nuk interesohet për tinguj,
- nuk reagon kur i thirret emri,
- nuk gugat,
- nuk përpiqet të ju bëjë me dije në asnjë mënyrë cilat janë dëshirat ose nevojat e tij,
- nuk bënë me gisht kah objekteve,
- nuk tregon emocione,
- nuk zvarritet
Reference:
https://raisingchildren.net.au/babies/development/development-tracker-3-12-months/10-11-months
https://raisingchildren.net.au/babies/development/development-tracker-3-12-months/11-12-months
Laura E. Berk (2006), Child development (7ht edition), Allyn & Bacon
Dr sci Nirvana Pištoljević (2016), Rani razvoj deteta: šta treba znati, Udruženje pedijatara Srbije, Beograd.