Gjumi i fëmijëve: 20 pyetjet më të shpeshta
Në të shumtën e rasteve vështirësitë e gjumit mund t'i trajtoni duke caktuar rutinë të mirë të gjumit dhe duke përdorur këshillat tona për t'i ndihmuar fëmijët të kenë gjumë më të mirë. Por, ju duhet të vizitoni mjekun tuaj nëse jeni të shqetësuar se problemet e gjumit janë duke ndikuar në mirëqenien, detyrat e shkollës ose marrëdhëniet e fëmijës suaj. Ju gjithashtu duhet të vizitoni mjekun tuaj të përgjithshëm nëse jeni të shqetësuar se fëmija juaj ka ndonjë problem shëndetësor ose sëmundje që ndikon në gjumin e tij/saj.
Fëmija im tre vjeçar ka dridhje gjatë gjumit. A është kjo gjë normale?
Po. Këto dridhje me gjasë janë të ashtuquajturat ''trembje të gjumit'' - që janë lëvizje të shpejta të krahëve dhe këmbëve që ndodhin kur fëmijën tuaj e zë gjumi. Deri në 70% e fëmijëve dhe të rriturve kanë këso lloj dridhjesh. Lodhja, stresi apo mungesa e gjumit mund t'i përkeqësojnë ato, kësisoj ia vlen të kontrolloni shprehitë e gjumit të fëmijës suaj. Nëse dridhjet janë repetitive dhe jo vetëm një ose dy lëvizje të shpejta, ose nëse të njëjtat ndodhin gjatë gjithë natës, atëherë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj.
Fëmija im gërhit dhe ka gulçim natën. A duhet të shqetësohem?
Gërhitja mund të shkaktohet nga ftohja ose hundët e bllokuara. Zakonisht ajo kalon kur të ftohtit të ketë kaluar.
Nëse gërhitja nuk largohet dhe përsëritet shumicën e netëve, edhe në rastet kur fëmija juaj është mirë, atëherë kjo mund të jetë shenjë e apnesë obstruktive të gjumit gjë që kërkon trajtim adekuat. Apnea obstruktive e gjumit bën që fëmija juaj të ndalojë frymëmarrjen për periudha të shkurtra gjatë gjumit. Vizitoni mjekun tuaj nëse fëmija juaj gërhit vazhdimisht, i ndalon frymëmarrja gjatë gjumit, përpiqet shumë për të marrë frymë, merr frymë përmes gojës, lëkundet dhe rrotullohet ose djersitet shumë gjatë natës. Këto vështirësi në frymëmarrje mund të bëjnë që fëmija juaj të zgjohet i/e lodhur dhe i/e irrituar në mëngjes dhe mund të shkaktojnë dëmtime të zemrës.
A fle fëmija im mjaftueshëm? Për sa gjumë kanë nevojë fëmijët në mosha të ndryshme?
Secili fëmijë ka nevoja të veçanta të gjumit, prandaj mund të jetë e vështirë të dihet nëse fëmija juaj është duke fjetur mjaftueshëm. Në këta artikuj ju mund të shihni sasinë e rekomanduar të gjumit për moshën e fëmijës suaj:
- Gjumi tek fëmijët e vegjël
- Gjumi tek parashkollorët
Kur duhet fëmijë të mos bëjnë gjumë dite? Sa kohë duhet të zgjasë gjumi i ditës?
Rreth 25% e fëmijëve ndalojnë gjumin e ditës kur arrijnë moshën tri vjeçare. 50% e tyre ndalojnë në moshën 3-4 vjeçare. Shumica e fëmijëve ndalojnë gjumin e ditës në moshën pesë vjeçare nëse flenë mjaftueshëm gjatë natës. Gjumi i ditës mund të variojë nga 30 minuta deri në rreth dy orë.
Nëse jeni duke pasur vështirësi me kohën e gjumit, provoni ta lini fëmijën tuaj të bëjë gjumë të shkurtër më herët gjatë ditës - si për shembull, pas drekës. Nëse fëmija juaj nuk bën gjumë gjatë ditës, përpiquni t'i jepni pak kohë të qetë pushimi në dhomën e tij/saj ose inkurajoni atë të bëjë diçka të qetë, si për shembull të lexojë me ju, ose vetë të shikojë libra me figura.
Çfarë do të thotë nëse fëmija im zgjohet i/e mërzitur?
Arsyeja kryesore përse fëmija juaj zgjohet i/e mërzitur është se ai/ajo nuk ka fjetur mjaftueshëm. Por nëse ai/ajo është duke marrë sasinë e duhur të gjumit për moshën e tij/saj, zgjimi nga gjumi i/e mërzitur mund të nënkuptojë se ai/ajo nuk ka pasur gjumë të mirë. Në rast se fëmija juaj gërhit ose ka probleme të flejë gjatë natës, vizitoni mjekun tuaj për ta kontrolluar lidhur me problemet e gjumit.
Si ta vej fëmijën tim në gjumë para mesnatës?
Në vijim ju prezantojmë disa ide për të ju ndihmuar ta veni fëmijën tuaj në gjumë më herët:
- Inkurajoni fëmijën tuaj të bie në gjumë dhe të ngrihet nga gjumi në të njëjtën kohë çdo ditë. Kjo mund të ndihmojë që ora e trupit të tij/saj të kthehet në ritëm të rregullt. Për shembull, në fundjavë gjumi prej një ore më shumë se zakonisht është në rregull, por duhet të shmangni gjumin më të gjatë. Këto veprime mund të bëjnë që fëmija juaj të mos ndihet i/e lodhur gjatë natës.
- Shmangeni ngrënien natën vonë dhe inkurajoni fëmijën tuaj të hajë mëngjesin kur të zgjohet.
- Jepini kohë të bollshme, për shembull 40 minuta, që fëmija juaj të pushojë përpara se të fikni dritat për të fjetur. Inkurajoni aktivitete të qeta si leximi i një libri ose reviste, vizatimi, shkrimi, luajtja me letra ose loja me puzzle (enigma).
- Fikni pajisjet elektronike në dhomën e gjumit të fëmijës suaj të paktën një orë para gjumit. Këtu përfshihen të gjitha ekranet - telefonat mobil, tabletët, ekranet e kompjuterit dhe TV.
Gjatë pubertetit, fëmijët fillojnë të sekretojnë melatoninë në kohë më të vona gjatë natës krahasuar me fëmijërinë e hershme. Kjo ndikon në ritmin e tyre cirkadian. Që do të thotë se fëmija juaj do të dëshirojë të flejë më vonë gjatë natës dhe të zgjohet më vonë në mëngjes.
Fëmija juaj adoleshent me shumë gjasë do të ketë gjumë më të mirë dhe do të funksionojë më mirë gjatë ditës nëse ai/ajo ka orar të caktuar për gjumë për netët kur ditën e nesërme shkon në shkollë. Informacione shtesë mund të gjeni në udhëzuesin tonë me ilustrime mbi shprehitë e gjumit të adoleshentëve.
Çfarë mund të bëj gjatë ditës për të përmirësuar gjumin e fëmijës tim?
Këto këshilla për ditën mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjumit të fëmijës tuaj gjatë natës:
- Jepini fëmijës tuaj të hajë mëngjes të shëndetshëm për të ndihmuar në fillimin e orës së tij/saj trupore.
- Inkurajoni fëmijën tuaj t'i ekspozohet sa më shumë dritës natyrale gjatë ditës, me theks të veçantë në mëngjes. Drita e diellit e ndalon melatoninën tek fëmija juaj dhe e ndihmon atë të zgjohet dhe të jetë i/e gatshëm/-me. Errësira e fillon lëshimin e melatoninës duke e bërë atë të përgjumur.
- Inkurajoni fëmijën tuaj të jetë fizikisht aktiv dhe të ushtrojë. Aktiviteti fizik i ndihmon fëmijët të flenë më gjatë.
- Mbajeni fëmijën tuaj larg kafeinës – si ajo në pije energjike, kafe, çaj, çokollata dhe kola – veçanërisht në orët e vona të pasdites dhe në mbrëmje.
- Sigurohuni që fëmija juaj të hajë darkë të kënaqshme në mbrëmje në kohë të arsyeshme. Ndjenja e urisë ose ngopja e tepërt para gjumit mund të bëjë që fëmija juaj të mos jetë i/e përgjumur dhe mund t'i shkaktojë parehati. Kjo mund ta vështirësojë fjetjen.
Si t'i ndaloj fëmijët nga aktiviteti i tepërt para gjumit, kohë kjo që është edhe kur partneri/ja im/e kthehet në shtëpi nga puna?
Është normale që partneri/ja juaj të dëshirojë të argëtohet me fëmijët pas punës. Diçka e tillë është problematike vetëm nëse loja është shumë aktive dhe e zhurmshme, që si rezultat e bën më të vështirë për fëmijët tuaj të rehatohen në shtrat për të fjetur.
Flisni me partnerin/en tuaj për krijimin e një rutine familjare që funksionon për familjen tuaj, duke përfshirë kohën e qetësisë nën drita të lehta për një orë para gjumit për fëmijët. Për shembull, partneri/ja juaj mund të mbërrijë në shtëpi më herët. Nëse kjo nuk është e mundur, partneri/ja juaj mund të lexojë në heshtje me fëmijët përpara se të fiken dritat.
Si mund të bëjë që koha e gjumit e fëmijës tim të jetë më e hershme?
Për ta ndihmuar fëmijën tuaj të flejë më herët, filloni me orën e tij/saj aktuale të gjumit dhe ndryshojeni gradualisht duke e filluar rutinën e gjumit 15 minuta më herët rreth çdo dy ditë. Shumica e fëmijëve bien në gjumë brenda 20 minutave pasi të shkojnë në shtrat. Nëse fëmija juaj është i/e shtrirë dhe zgjuar në shtrat për më shumë se 20-30 minuta pasi të fiken dritat, mund t'ju duhet të mbani orarin e gjumit të njëjtë për disa javë përpara se ta ndryshoni përsëri.
Përpiquni ta zgjoni fëmijën tuaj pothuajse në të njëjtën orë çdo mëngjes, duke përfshirë edhe fundjavat. Koha e rregullt e zgjimit në mëngjes mund të ndihmojë në mbajtjen e një orari të rregullt të gjumit.
Si t’ia bëj që djali/vajza ime gjashtëvjeçar/e të flejë në shtratin e tij/saj?
Më poshtë ju paraqesim disa ide për ta ndihmuar fëmijën tuaj të flejë në shtratin e tij/saj:
- Caktoni rutinë të rregullt para gjumit - për shembull, dush, tregime dhe shtrat.
- Sigurohuni që dhoma e gjumit e fëmijës suaj ka ndriçim të lehtë dhe është mjaftueshëm e qetë.
- Përdorni metodën e kampingut – kjo është teknikë graduale dhe e lehtë gjatë aplikimit të së cilës ju uleni me fëmijën tuaj derisa t'i zë gjumi dhe më pas lëvizni gradualisht karrigen tuaj nga dhoma përgjatë një periudhë prej 1-3 javësh.
- Inkurajoni shprehitë e mira të gjumit gjatë ditës - për shembull, këtë mund ta bëni duke qëndruar në diell dhe duke bërë ushtrime.
- Lavdëroni fëmijën tuaj kur vini re se ai/ajo përpiqet të bëjë ndryshime në shprehitë e gjumit. Ju gjithashtu mund të provoni aplikimin e tabelës së shpërblimeve për të inkurajuar shprehitë e gjumit.
Nëse planifikoni të bëni ndryshime në rutinën e gjumit dhe shprehitë e gjumit të fëmijës suaj, mund të jetë e dobishme t'i shpjegoni fëmijës tuaj planet që i keni për rutinë të re të gjumit. Mbani konsistencë për sa i përket planit.
Si t'i ndaloj thirrjet e fëmijës tim nga shtrati dhe nga ngritja nga shtrati gjatë natës?
Një rutinë e mirë para gjumit mund të zvogëlojë problemet me gjumin. Pasi fëmija juaj të shtrihet në shtrat, tregojini që prisni që ai/ajo të qëndrojë i/e qetë në shtratin e tij/saj derisa t'i vijë gjumi. Shkuarja shumë herët në shtrat mund ta përkeqësojë situatën, prandaj mendoni paraprakisht sa kohë i duhet fëmijës tuaj për të fjetur pasi të jenë fikur dritat.
Lexoni artikullin tonë mbi thirrjet nga shtrati dhe ngritjet nga shtrati për më shumë këshilla dhe strategji.
Çfarë të bëj për goditjen e kokës dhe lëkundjet e fëmijës tim në kohën e gjumit?
Goditja e kokës, lëkundja e trupit dhe rrotullimi i kokës janë pothuajse gjithmonë të padëmshme dhe fëmija juaj me gjasë do t'i tejkalojë ato.
Mundohuni të injoroni këtë sjellje, mundohuni të gjeni mënyra për të reduktuar zhurmën dhe për ta siguruar fëmijën tuaj nga lëndimet. Për shembull, mund ta largoni shtratin nga muri dhe të kontrolloni dhe shtrëngoni vidat e shtratit. Ndonjëherë shtrimi i dyshekut në dysheme në mes të dhomës ndihmon në lehtësimin e shqetësimit për pjesën tjetër të familjes. Në rast se keni shqetësime atëherë vizitoni mjekun tuaj.
Fëmija im tre vjeçar kërkon shishe me qumësht natën. Si mund ta ndaloj këtë?
Kjo me gjasë ndodh sepse fëmija juaj ka shprehi të nevojës për shishe për të fjetur. Në rastet kur zgjohet dhe nuk mund të flejë përsëri gjatë natës, ai/ajo kërkon shishe.
Në vijim i kemi disa këshilla për të hequr gradualisht ushqimet e natës dhe për të ndihmuar fëmijën tuaj të mësojë të flejë në mënyrë të pavarur:
- Zgjidhni kohën tuaj. Periudha e ndryshimit ose stresit për ju ose fëmijën tuaj mund të mos jetë koha më e mirë për të hequr shishen.
- Flisni me fëmijën tuaj për heqjen e shishes.
- Inkurajoni përdorimin e elementeve të tjera të komforit siç janë batanijet apo arinjtë lodër.
- Kur fëmija juaj arrin të heqë dorë nga shishja, bëni një festë të madhe ose jepini fëmijës tuaj një shpërblim.
- Mundohuni të mos ktheheni mbrapa. Pavarësisht se sa mirë e keni përgatitur fëmijën tuaj për këtë ndryshim, duhet të jeni të përgatitur për rezistencë.
Si ta ndaloj fëmijën tim pesëvjeçar/e nga ecja në gjumë?
Ju mund të filloni duke parë se a është fëmija juaj duke fjetur mjaftueshëm. Orari më i hershëm i gjumit, ose orari i rregullt i gjumit, mund të zvogëlojë ecjen në gjumë.
Nëse fëmija juaj ec në gjumë, sigurohuni që ai/ajo të jetë i/e sigurt duke hequr çdo pengesë nga dhoma e gjumit dhe korridoret, duke mbyllur dyert e përparme dhe të pasme, duke hequr gjërat në të cilat mund të ngecë dhe rrëzohet dhe duke u siguruar që nuk ka gjësende të mprehta përreth.
Rreth 7-15% e fëmijëve ecin në gjumë dhe shumë prej tyre edhe flasin në gjumë. Zakonisht, kjo nuk është diçka për t'u shqetësuar. Fëmijët shpesh i harrojnë këto zakone si adoleshentë, por në rast se keni shqetësime atëherë vizitoni mjekun tuaj.
Fëmija im ndonjëherë zgjohet i/e shqetësuar, duke qarë dhe nuk arrij ta qetësoj. Çfarë duhet te bej?
Nëse fëmija juaj nuk i përgjigjet ngushëllimit ose qetësimit, por përndryshe është mirë, ai/ajo mund të ketë të ashtuquajturin ankth nate. Qëndroni të qetë dhe shmangni zgjimin ose prekjen e fëmijës tuaj, përveç nëse ai/ajo rrezikon të lëndojë veten. Ankthet e natës mund të jenë shqetësuese për t'u parë, por ato nuk i bëjnë dëm fëmijës suaj dhe ai/ajo nuk do t'i mbajë në mend ato në mëngjes.
Ankthet e natës mund të paraqiten kur fëmija juaj nuk fle mjaftueshëm, kësisoj ia vlen të kontrolloni shprehitë e gjumit të fëmijës tuaj. Ato gjithashtu mund të përkeqësohen ose ndodhin më shpesh nëse fëmija juaj nuk ndihet mirë ose ka temperaturë. Ndonjëherë shqetësimet dhe ankthi mund të çojnë në më shumë ankthe të natës.
Nëse jeni të shqetësuar lidhur me shëndetin ose mirëqenien e fëmijës tuaj, ose nëse ankthet e natës iu duken të zgjatura ose të dhunshme, kërkoni këshilla profesionale.
Çfarë duhet të bëj kur fëmija im sheh ëndrra të këqija?
Nëse fëmija juaj zgjohet pas një ëndrre të keqe, shpjegoni atij/asaj se ajo ishte vetëm një ëndërr. Tregojini atyre se gjithçka është në rregull dhe ai/ajo është i/e sigurt. Një puthje dhe një përqafim mund ta ndihmojnë fëmijën tuaj të qetësohet përsëri. Ju gjithashtu mund të mendoni për gjërat që kanë ndodhur gjatë ditës - si shikimi i një emisioni të frikshëm televiziv - që si rezultat mund të shkaktojë ëndrra të këqija.
Mund të jetë e dobishme të kërkoni këshilla profesionale nëse fëmija juaj ka ëndrra të këqija dhe gjithashtu ka shumë ankth gjatë ditës. Kërkoni gjithashtu ndihmë nëse fëmija juaj ka kaluar nëpër ngjarje traumatike dhe ka ëndrra të këqija nga ato.
Fëmija im ka çrregullim të spektrit të autizmit (ASD) dhe nuk fle sa duhet. Si mund ta ndryshoj këtë?
Problemet e gjumit janë të zakonshme tek fëmijët me ASD, por në këto raste mund të ofrohet ndihmë. Gjumi më i mirë tek këta fëmijë mund të përmirësojë potencialisht funksionimin e tyre gjatë ditës, si dhe të përmirësojë gjumin e anëtarëve të familjes. Ju mund të menaxhoni dhe kapërceni shumë vështirësi të gjumit tek fëmija juaj me ASD me anë të strategjive të zakonshme të sjelljes. Ju gjithashtu mund t'i inkurajoni fëmijës tuaj me ASD shprehi të mira të gjumit duke përfshirë oraret e rregullta të gjumit, rutinat pozitive të gjumit dhe oraret e përshtatshme të gjumit. Në rast se keni ndonjë shqetësim drejtojuni profesionistit tuaj shëndetësor.
Fëmija im ka vonesë në zhvillim. Si mund ta ndihmoj atë të flejë më mirë?
Ju mund të menaxhoni dhe tejkaloni shumë nga problemet e gjumit të fëmijës suaj me anë të strategjive të zakonshme të sjelljes para gjumit. Një rutinë e rregullt dhe e parashikueshme e gjumit do ta ndihmojë fëmijën tuaj të kuptojë se është koha e gjumit. Kur i tregoni fëmijës tuaj se prisni që ai/ajo të qëndrojë në shtrat, ju vetëm se do ta përforconi mesazhin.
Ju gjithashtu mund të provoni strategjinë e kampingut ose kthimit të fëmijës në shtrat. Për disa natë mund t'ju duhet ta ktheni në shtrat fëmijën disa herë. Në rast se keni shqetësime drejtojuni profesionistit tuaj shëndetësor.